Kreditë e reja shënojnë rritje për muajin shkurt me 24.28 për qind

Ekonomi

Kreditë e reja shënojnë rritje për muajin shkurt me 24.28 për qind

Më: 6 prill 2024 Në ora: 14:38
Foto ilustrim

Në muajin shkurt të këtij viti, kreditë e reja në Kosovë, kanë shënuar rritje për 24.28 për qind, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak. Ekonomitë familjare dominojnë me 158.2 milionë euro. Kështu thonë zyrtarë nga Shoqata e Bankave të Kosovës.

Përfaqësues të bizneseve thonë se marrja e kredive është thellim i krizës, përderisa ekonomistët vlerësojnë se nga kjo situatë, përfituese janë bankat.

Vlera e kredive të reja të raportuara deri në shkurt 2024 është 310.1 milion euro, e që krahasuar me  periudhën e njëjtë të vitit 2023, është 24.28  për qind më e lartë. Në një përgjigje elektronike për Radio Kosovën, zyrtarë nga Shoqata e Bankave të Kosovës, thonë se 152 milion janë për koorporata jo financiare dhe 158.2  milion për ekonomitë familjare.

Bedrija nga Prishtina, sapo ka marr kredi për ekonomi familjare. Ajo thotë se pa kredi, nuk mund të zgjidhësh asgjë.

“Unë sapo e kam marr kredinë për çështje familjare për 5 vjet, sepse jeta shumë e shtrenjtë në Kosovë. Pa kredi nuk po mundesh me bo asgjë, kjo normal  dëmton se po të heket pak prej buxhetit, e çmimet po ngritën çdo ditë”, thotë Bedrija.

Përfaqësuesi i bizneseve, Agim Shahini duke folur për Radio Kosovën, thotë se bizneset marrin kredi të reja për t’i shlyer të vjetrat, dhe kjo siç thotë ai, vetëm sa e thellon krizën dhe më shumë.

“Kjo është veç zhytje e problemit dhe jo zgjidhje e problemit. Nuk mund të rriten bizneset pa mbështetjen e bankave, por bankat në Kosovë kanë interesin më të lartë në Ballkan edhe pse e kanë rrezikshmërinë më të ulët në Ballkan. Rrezikshmëria në Kosovë e kthimit të kredive është vetëm 2 për qind dhe që kjo është norma më e ulët në Evropë, sepse qytetarët, bizneset e Kosovës janë të vetëdijshëm që duhet ti kthejnë borxhet me çdo kusht, por në anën tjetër, edhe bankat marrin siguri për kthimin e kredive, duke marr hipoteka dhe duke marr trefishin e tyre dhe këto e bëjnë që ato të jenë te sigurta dhe të jenë në favor të kthimit të kredive”, thotë Shahini.

Ndërkohë ekonomisti, Ardijan Sahiti thotë se kreditë konsumuese kanë pësuar rritje e paralel me to edhe fitimet e bankave.

“Kjo ka lind si nevojë e njerëzve për konsum në shoqërinë tonë dhe në ekonominë tonë janë duke u thelluar pabarazitë e natyrave të ndryshme dhe kjo ka bërë që njerëzit të hyjnë në kredi madje edhe për çështje të konsumit. E shoqëruar edhe me pagat e ulëta, dhe me inflacionin e që e ka zhvlerësua në afër 50 për qind vlerën reale të parasë, dhe këta janë faktorët që kanë nxitur kosovarët të zhyten në kredi dhe ky trend do të jetë rritës”, thotë Sahiti.

Në një njoftim nga BQK, theksohet se asetet e bankave komerciale në fund të muajit shkurt 2024 kanë arritur vlerën në 7.4 miliardë euro, duke shënuar rritje për 29.9 milionë euro, ose 0.4 për qind krahasuar me muajin paraprak.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat