Regjistrimi i Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave në Kosovë (ReKos 2024) ka filluar nga data 5 prill dhe do të zgjasë deri më 17 maj 2024.
Për javën e parë të këtij procesi, Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) në një konferencë për media do të prezantojë ecurinë e punës në terren për Regjistrimin e Popullsisë.
Për procesin e regjistrimit të popullsisë në terren, do të flasë U.d Kryeshefi Ekzekutiv i Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), Avni Kastrati.
“Regjistrimi i Popullsisë është një proces tejet voluminoz dhe kompleks që kërkon mbështetjen dhe përfshirjen e të gjithëve. Kjo konferencë mbledhë të gjithat palët e përfshira, si dhe palët e interesit që mund të kontribuojnë në këtë proces për ta lehtësuar punën në terren të Regjistrimit të Popullsisë”, njofton ASK.
Konferenca mbahet në ambientet e ASK-së, duke filluar prej orës 10:00.
Në Projektin e Regjistrimit të Popullsisë (ReKos 2024) janë angazhuar rreth 3500 regjistrues dhe rreth 900 mbikëqyrës. Numri i mbikëqyrësve dhe regjistruesve në secilën komunë përcaktohet në varësi të numrit të popullsisë dhe shtrirjes hapësinore të Zonave Regjistruese (ZR).
ASK u ka dërguar edhe mesazhe telefonike qytetarëve për t’i njoftuar lidhur me këtë proces.
ASK-ja do të dalë me rezultate preliminare pas tre muajsh. Gjatë këtij procesi do të aktivizohet edhe një lojë shpërblyese. Cilido qytetar që qëllon më së afërmi numrin e popullsisë do të fitojë 10 mijë euro.
Regjistrimi i fundit i popullsisë është kryer në vitin 2011. Sipas këtij regjistrimi, Kosova ka mbi 1.7 milionë banorë.