Gërxhaliu: Ka tendenca që të politizohen statistikat që kanë të bëjnë me zhvillim ekonomik

Ekonomi

Gërxhaliu: Ka tendenca që të politizohen statistikat që kanë të bëjnë me zhvillim ekonomik

Më: 8 prill 2024 Në ora: 11:04
Safet Gërxhaliu

Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, ka thënë për eo se kohëve të fundit ka tendenca që të politizohen skajshmërisht statistikat që kanë të bëjnë me rritje e zhvillim ekonomik.

Sipas Gërxhaliut, ekziston rreziku që të humb besimi edhe në analiza statistikore. Ai kërkon që ekonomia të depolitizohet dhe ekspertët ta thonë rezultatin konkret të analizave.

Ajo që është për t’u brengosur në Kosovë është politizimi i skajshëm i çdo pore të shoqërisë kosovare, në këtë drejtim gjithmonë kemi theksuar që statistika në Kosovë jep rezultate të sakta të të dhënave të gabuara, mirëpo ajo tendenca që po vërehet kohëve të fundit është një politizim i skajshëm i statistikave dhe në këtë drejtim ky politizim është shndërruar në një debat mes pozitës dhe opozitës por edhe mes pozitës dhe ekspertëve të fushave të caktuara. Nuk mund të ketë progres dhe zhvillim ekonomik, pa një analizë të thuktë ekonomike, nuk mund të ketë zhvillim ekonomik drejtë ardhmërisë pa rezultate të sakta dhe konkrete të indikatorëve ekonomik në Kosovë dhe më e keqja që i ndodh shoqërisë që tenton të jetë pjesë e familjes evropiane është kur humbet besimi edhe në analiza statistikore”, u shpreh Gërxhaliu.

Profesori universitar kërkon që politika të mendojë për jetën e qytetarit në përditshmëri dhe jo vetëm në kohë fushate.

“Prandaj, definitivisht është koha kur duhet ekonomia të depolitizohet, është koha kur ekspertë të fushave ta thonë rezultatin konkret të analizave dhe jo gjithmonë politika dhe politikanët të jenë determinues të fatit të numrave dhe indikatorëve ekonomik. Besoj që indikatori kyç që po anashkalohet nga institucionet vendore është ajo çka mendon sot qytetari, si jeton sot qytetari dhe çfarë ardhmërie po i ofrohet qytetarit dhe besoj se kjo duhet të jetë brenga e të gjithë atyre që janë akterë në politikë, atyre që duhet të mendojnë më tepër për shtet dhe për qytetarin dhe jo vetëm për kalkulim votave dhe për pushtet”, deklaroi ai, teksa citon Teorinë e Keinsit, i cili thotë se inflacioni është mekanizmi kyç për ta varfëruar një popull.  

“Definitivisht inflacioni ka lënë gjurmë të veta, është e vërtetë që ngritja e çmimeve ka qenë shumë e shpejtë dhe shkenctarisht thuhet se ‘çmimet ngritën shpejtë por nuk vijnë në stadet fillestare’ dhe kur kësaj i shtohet fakti i një teorie të Keinsit i cili thotë se ‘nëse dëshiron që ta varfërosh një shtet dhe ta rritësh buxhetin e shtetit në dëm të qytetarëve, atëherë inflacioni është mekanizmi kyç’. Kemi ngritje të çmimeve, kemi stagnim në ulje të çmimeve, kemi kontrolle të ulët të qasjes spekulative dhe kur krejt kësaj i shtohet fakti që e kemi pagën minimale më të ultë në rajon, e kemi pagën mesatare më të ultë në rajon dhe Kosova po zbrazet mu nga arsyet e ndryshme ekonomike dhe sociale”, u shpreh Gërxhaliu.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat