​Mustafa: Kemi krizë në ekonominë e Kosovës

Ekonomi

​Mustafa: Kemi krizë në ekonominë e Kosovës

Më: 10 prill 2024 Në ora: 09:43
Arben Mustafa

Situata ekonomike gjatë qeverisjes së kryeministrit Albin Kurti, ka shënuar ngecje dhe degradim, duke shkaktuar rritje të varfërisë, papunësisë dhe largim të investitorëve.

Kështu thotë koordinatori në Departamentin për Ekonomi në Partinë Demokratike të Kosovës (PDK), Arben Mustafa në një intervistë për KosovaPress, derisa potencon se gjatë tri viteve të fundit, ka pasur varfërim të të gjitha shtresave të qytetarëve, për shkak të rritjes së çmimeve të produkteve bazike dhe faktorëve të tjerë që quan në këtë gjendje.

Mustafa e quan të dështuar udhëheqjen e ekonomisë nga partia në pushtet, për çka thotë se niveli i investimeve kapitale për vitin 2023, është i ngjashëm me atë të vitin 2012, kur Kosova ka pasur vetëm gjysmën e buxhetit që e ka sot.

Për këtë dështim dhe shumë të tjera të vlerësuara nga PDK-ja, këta të fundit po kërkojnë që të mbahen zgjedhjet e parakohshme në qershor të këtij viti, derisa kanë propozuar kryetarin e Mitrovicës, Bedri Hamza, kandidat për kryeministër.

Mustafa: Qeverisja Kurti ka shkaktuar varfërim të qytetarëve

"Situata ekonomike gjatë qeverisjes së Albin Kurtit ka shënuar përgjithësisht një ngecje, dhe në sektorë të caktuar edhe degradim dhe nuk bëhet fjalë për asnjë progres në ndonjë nga sektorët e ekonomisë. Ajo çfarë e ka karakterizuar qeverisjen ekonomike të kësaj qeverie, është një komunikim shumë jo i sinqertë me publikun, një komunikim shumë joprofesional, i bazuar në paragjykimet që publiku nuk kupton në ekonomi...Ajo se çfarë ka ndodhur në ekonomi gjatë kësaj periudhe, është një varfërim i të gjitha shtresave të qytetarëve për shkak se kemi një rritje të çmimeve të produkteve bazë me mbi 30 për qind, përderisa të hyrat përgjithësisht kanë mbetur të njëjtat, që do të thotë se aftësia e qytetarëve për t'i përmbushur shpenzimet e jetesës është dobësuar në masë mjaftë të madhe”, thotë Mustafa.

Mustafa vlerëson se rritja e deficitit tregtar është një dështim tjetër i kësaj qeverie, derisa potencon se të hyrat në vendin tonë po shpenzohen për të blerë mallra që vijnë nga jashtë.

Po ashtu, ai thekson se gjendja ekonomike në Kosovë aktualisht është e pa sigurt, për çka përmend sektorin privat për mosmbështetje nga shteti, përveç atyre të favorizuara.

Largimi i investitorëve po konsiderohet si një ndër faktorët e rëndësishëm që po ndikojnë në përkeqësimin e ekonomisë në vend.

Mustafa: Qeveria Kurti po i largon investitorët

"Kur jemi te deficiti tregtar, gjatë kësaj qeverie nëse e marrim vitin e fundit kemi rënie të eksportit, por kemi një rritje të madhe të deficitit tregtar, i cili ka rritur në 5 miliardë euro apo 52 për qind të bruto produktit vendor, niveli ky që nuk është parë asnjëherë më parë...Të hyrat në Kosovë po shpenzohen për të blerë mallra që vijnë nga jashtë dhe nuk po lënë gjurmë në zhvillimin ekonomik të vendit...Qeverisja e Albin Kurtit në këto tri vite, nuk mund të quhet ndryshe përveçse një qeverisje e dështuar që i ka humbur vendit një periudhë shumë të rëndësishme. Sot në ekonominë e Kosovës, kemi një pasiguri të paparë, sektori privat ka një gjendje të lartë pa sigurisë, nuk gëzon mbështetje të shtetit, bizneset kosovare ndahen në atë se a janë të favorizuar nga pushteti apo jo dhe këtë po e shohim edhe me kontratat një burimore që po jepen...Sot investitorët kosovarë fatkeqësisht, një pjesë e tyre po shqyrtojnë mundësi se ku të gjejnë një vend më të përshtatshëm, të sigurt për të ushtruar aktivitetin e tyre, përderisa Kosova vendi i tyre amë po ofron një ambient jo miqësor ndaj tyre", potencon Mustafa.

Nivelin e investimeve kapitale për vitin 2023, Mustafa e krahason me atë të vitit 2012, kur Kosova, sipas tij, kishte gjysmën e buxhetit që e sot.

Sipas Mustafës, investimet kapitale që janë kategoria më e rëndësishme e shpenzimeve publike për të krijuar mirëqenie dhe zhvillim ekonomik, gjatë kësaj qeverie nuk kanë pasur prioritet.

Mustafa: Qeveria nuk e ka asnjë projekt kapital të përfunduar

"Infrastruktura që është e domosdoshme për zhvillim ekonomik dhe mirëqenie, po degradon. Sot në Kosovë niveli i investimeve kapitale është i ngjashëm me vitin 2012, kur Kosova ka pasur vetëm gjysmën e buxhetit që e ka sot. Investimet kapitale që janë kategoria më e rëndësishme e shpenzimeve publike për të krijuar mirëqenie dhe zhvillim ekonomik, gjatë kësaj qeverie nuk kanë pasur prioritet, por po ashtu edhe qeveria ka dështuar për të realizuar projekte të rëndësishme kapitale në Kosovë. Përderisa para ardhjes në pushtet të Albin Kurtit, investimet kapitale kanë përfaqësuar mbi 30 për qind të gjithsej shpenzimeve të buxhetit, sot pjesa e buxhetit që shkon për investime kapitale është nën 20 për qind...Nuk ka asnjë projekt të madh kapital që e ka gjetur kjo qeveri, të cilin e ka përfunduar dhe nuk ka asnjë projekt të ri të rëndësishëm, projekt të madh kapital të cilin e ka lansuar kjo qeveri dhe që mund ta përfundoj brenda mandatit të saj", thekson Mustafa.

Ndër të tjera, koordinatori në Departamentin për Ekonomi në Partinë Demokratike të Kosovës (PDK), Arben Mustafa potencon se çmimet e produkteve po shënojnë rritje në vazhdimësi, duke u vështirësuar jetën qytetarëve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat