Një delegacion i Bankës Qendrore të Kosovës, i kryesuar nga guvernatori Ahmet Ismaili, po merr pjesë në takimet pranverore të Fondit Monetar Ndërkombëtar, që po mbahet në Washington të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Gjatë këtyre punimeve, delegacioni i BQK-së do të ketë takime me zyrtarë të lartë të FMN-së dhe BB-së, ku do të diskutohet mbi zhvillimet e fundit ekonomike, fiskale dhe financiare dhe pritjet e mëtejshme.
“Në takimet që do të zhvillohen nga 15 deri më 21 prill, Guvernatori Ismaili do të prezantojë prioritetet për sektorin financiar në pajtim me objektivat dhe Planin Strategjik të BQK-së, përditësimin lidhur me zbatimin e programeve dhe asistencave teknike profesionale, përfshirë nevojat e reja për mbështetje profesionale. Në kuadër të vizitës zyrtare në SHBA, përfaqësuesit e BQK-së do kenë takime bilaterale me drejtuesit e Departamentit Thesarit të SHBA-së, Bankës Federale të New York – FED (Banka Qendrore Amerikane), si dhe me homologët nga bankat qendrore partnere”, thuhet në njoftimin e BQK-së.
Në kuadër të takimeve pranverore të FMN-së dhe BB-së, Guvernatori Ismaili do të takohet me Zëvendësdrejtorin Menaxhues të FMN-së, z. Bo Li, Drejtorin e Departamentit Evropian të FMN- së, z. Kammer, Zëvendëspresidenten e BB-së për Evropën dhe Azinë Qendrore, znj. Bassani, Zëvendëspresidentin e BB-së njëherësh Drejtor i Thesarit, z. Familiar, drejtorët ekzekutiv të Konstituencave të FMN-së dhe BB-së, z. Palotai dhe Z. Demircan.
“Gjithashtu, delegacioni i BQK-së do të ketë takime me drejtues dhe zyrtarë të lartë të institucioneve financiare për bashkëpunim në fusha të interesit. Paraprakisht në Boston të SHBA-ve, Guvernatori i BQK-së takoi drejtues të Universitetit të Harvardit, duke përfshirë Dekanin e Harvard Kennedy School, Dr. Elmendorft dhe profesorë eminentë që kanë shërbyer në pozita të rëndësishme shtetërore, si krye-ekonomistë, drejtues të Departamentit të Thesarit, anëtarë të Bordit të Rezervës Federale (FED Board), këshilltarë të ekonomisë në Shtëpinë e Bardhë”, thuhet në njoftim.