Delegacioni i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, i kryesuar nga Guvernatori Ahmet Ismaili, është takuar me Zëvendës Ndihmës Sekretarin e Departamentit të Thesarit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Luyen Tran dhe ekipin e tij të Zyrës se Asistencës Teknike në Washington D.C.
Në këtë takim u diskutua forcimi i bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve, në ngritjen e kapaciteteve të BQK-së.
Në takimin me Departamentin amerikan të Thesarit, Guvernatori Ismaili shprehu mirënjohjen e sinqertë për ndihmën e çmuar teknike të ofruar nga OTA-ja dhe rolin e tyre kryesor në mbështetjen e zhvillimit të infrastrukturës kritike.
“Kjo përfshinë mbështetjen në zhvillimin e Sistemit Qendror Depozitar të Letrave me Vlerë, krijimin e linjave të likuiditetit si dhe bashkëpunimin e suksesshëm në shumë projekte të tjera për mbikëqyrjen bankare dhe sigurimeve, si dhe në kornizën e luftimit të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, ndër të tjera”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga BQK-ja.
Gjithashtu, u diskutuan mundësitë e reja të asistencave teknike dhe bashkëpunimit, me qëllim të forcimit të partneritetit me Departamentin e Thesarit të SHBA-së.
“Këto angazhime nënvizojnë përkushtimin e BQK-së për të kultivuar partneritet të qëndrueshëm me akterët kryesorë ndërkombëtarë, duke fuqizuar më tej misionin e institucionit për promovimin e stabilitetit financiar dhe zhvillimin të qëndrueshëm të vendit”, thuhet tutje.