​Nunaj: Kosova dhe Shqipëria të punojnë fort për të realizuar një treg unik ekonomik

Ekonomi

​Nunaj: Kosova dhe Shqipëria të punojnë fort për të realizuar një treg unik ekonomik

Më: 21 prill 2024 Në ora: 13:09
Teuta Nunaj

Mungesa e stabilitetit të politikave fiskale vazhdon t’i sfidojë bizneset që duan të investojnë në Shqipëri. Kjo për shkak që në këtë shtet nuk ka një qëndrueshmëri të politikave fiskale, pasi që qeveria atje vazhdimisht i ndryshon ato. Kështu thotë për KP ekspertja e ekonomisë, Teuta Nunaj, e cila thekson, se kjo e dëmton edhe klimën e të bërit biznes.

Derisa flet për marrëdhëniet e Kosovës dhe Shqipërisë, Nunaj thotë se të dy vendet duhet të punojnë më shumë në mënyrë që të zhvillohen ekonomikisht për të realizuar një treg unik ekonomik.

Ndërsa, bënë thirrje qeverisë që të hartojë politika të qëndrueshme afatgjate, Nunaj thotë se ky shtet ka pasur një ndihmesë ndaj bizneseve tek shpërndarja e fitimit.

Nunaj: Shqipëria është karakterizuar nga mungesa e stabilitetit të politikave fiskale

“Sa i përket politikave fiskale, Shqipëria është karakterizuar nga mungesa e stabilitetit të politikave fiskale që nënkuptohen që në mënyrë të vazhdueshme qeveria i ndryshon politikat fiskale. Pra, nuk ka një qëndrueshmëri në tre apo pesë vite, pra në një periudhë afatmesme të mos ketë një ndryshim të paketës fiskale në mënyrë që bizneset kur planifikojnë investimet e tyre, i planifikojnë me rezerva pasi nuk e dinë nëse do jenë më këto politika pas një apo dy vite. Kjo e dëmton edhe klimën e biznesit ose mënyrën e të bërit biznes, ndërsa sa i përket ndihmesës këtu, në 2024, janar qeveria ka miratuar vendosjen e një politike fiskale tatuese kundrejt profesioneve të lira, gjë e cila deri në 31 dhjetor të 2023 nuk ka qenë në Shqipëri, pasi profesionet e lira ishin të klasifikuara si biznese të vogla dhe kishin tatimin zero. Në këtë rast, qeveria ka pasur një ndihmesë ndaj bizneseve tek pjesa e shpërndarjes së dividendit”, thotë Nunaj.

Duke folur për raportet tregtare mes Kosovës dhe Shqipërisë, Nunaj thotë se të dyja vendet duhet të funksionojnë dhe duhet të punojnë shumë fort për të realizuar një treg unik ekonomik.

Nunaj: Kosova dhe Shqipëria duhet të funksionojnë dhe duhet të punojnë shumë fort për të realizuar një treg unik ekonomik

“Kosova dhe Shqipëria duhet të funksionojnë dhe duhet të punojnë shumë fort për të realizuar një treg unik ekonomik. Të dyja këto vende do duhej të shikonin ekonominë e tyre si qendrore me dy degë dhe projektet e zhvillimit të tyre duhet të jenë sa më të harmonizuara në mënyrë që ekonomia në të dy anët të jetë gjithmonë edhe më lartë... Këtu shikoj mungesën e vullneteve politike nga të dyja qeveritë që nga pavarësia e Kosovës dhe më tej, por njëkohësisht shikoj edhe mungesat e vullneteve të vet bizneseve për t’u rritur dhe bashkëpunuar. Kosova dhe Shqipëria duhet të bashkëpunojnë shumë më tepër për të rritur volumin e tyre tregtar duke punuar për të realizuar planifikimit e një tregu, dhe për ta avantazhuar njëra tjetrën, duke mos e parë shtetet njëra tjetrën si konkurrente, por si shtete të cilat duhet të punojnë për një qëllim të përbashkët... Që Kosova të rritet dhe zhvillohet ekonomikisht do duhej që të dyja vendet tona të rrisin nivelet më të mëdha të bashkëpunimit ekonomik në mënyrë që të dyja vendet të ecin me të njëjtën rrugë dhe të njëjtat hapa.

Ndërsa ka theksuar se ishte lajm i mirë kur mësuan se Kosova për herë të parë kishte Shqipërinë shtetin që kishte nivelin më të lartë të tregtisë, duke zbritur Serbinë që ishte shteti që kishte nivelin më të lartë të eksporteve, ose Kosova nivelin më të lartë të importeve nga Serbia.

Nunaj thotë se zhvlerësimi i euros i ka dëmtuar kompanitë për faktin se të ardhurat i kanë në euro dhe konvertimi i tyre në lek ishte më pak, derisa thotë se qeveria ka hartuar një plan për të ndihmuar këtë sektor.

Sipas saj, aktualisht Shqipëria po përjeton një situatë të stabilizuar ekonomike.

Nunaj: Shqipëria po përjeton një situatë të stabilizuar ekonomike dhe janë dy elemente që kanë ndikuar në këtë stabilizim

“Aktualisht Shqipëria po përjeton një situatë të stabilizuar ekonomike dhe janë dy elemente që kanë ndikuar në këtë stabilizim. Me kursin e këmbimit dhe fluksin e lartë të turisteve të cilat sollën jo vetëm një vlerë shumë të konsiderueshme të cilët e shpenzuan duke e mbrojtur dhe ruajtur nivelet e konsumit në Shqipëri, por njëkohësisht një numër kaq shumë i lartë i dhanë edhe fokusin ekonomisë, ku tashmë për herë të parë në këto 30 vjet qeveria është shumë e fokusuar në një sektor preciz duke e vendosur si sektor strategjik ose prioritar në zhvillimin e ekonomisë që është në këtë rast turizmi. Pra, nëse deri tashmë kemi pasur politika që i kam quajtur ad-hoc në kuptimin që këtë vit po mbështesim bujqësinë, më pas po mbështesim turizmin dhe industritë e tjera, aktualisht është fokusi qendror në investime kryesore, në infrastrukturë bëhen për të mbështetur pikërisht këtë sektor që është turizmi. Faktori tjetër që ka quar tek stabiliteti ekonomik lidhet me kursin e këmbimit, një zhvlerësim shumë i ndjeshëm i euros, kryesisht gjatë vitit 2023, i cili ka vijuar edhe në 2024, i ka dhënë një qëndrueshmëri ekonomike në nivelin e makro ekonomisë Shqipërisë, pasi e kanë mbajtur një ekonomi stabile, ka ulur në mënyrë të ndjeshëm borxhin publik, kjo është duke favorizuar qeverinë e cila e ka paguar edhe më pak”, thotë Nunaj.

Nunaj thotë se inflacioni gjatë vitit të kaluar ka bërë që të ketë ulje të konsumit, porse shton se aktualisht ka një stabilitet të çmimeve.

Nunaj: Kemi një stabilitet të çmimeve, gjë që në shkurt të kishim për herë të parë edhe një rënie të inflacionit

“Variabila që ka dëmtuar në aspekt mikro ekonominë shqiptare më tepër ka qenë inflacioni, pasi normat e larta të inflacionit, kryesisht gjatë 2023, kanë ndikuar në çmime mjaft të larta, kryesisht të produkteve ushqimore, dhe këto ndikuan në ulje të konsumit. Aktualisht kemi një stabilitet të çmimeve, gjë që në shkurt të kishim për herë të parë edhe një rënie të inflacionit”, thotë Nunaj.

Mes tjerash, ajo thotë se qeveria prej gati dy viteve ka ndërmarrë një nismë për të rritur pagat e sektorit publik, për të realizuar një pagë mesatare 900 euro, politikë kjo që sipas saj, synon të shërbejë si nxitje për rritjen e pagave në sektorin privat.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat