Një delegacion i nivelit të lartë i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), kryesuar nga Guvernatori Ahmet Ismaili, Zëvendësguvernatori Fusha, Koordinatorja për Bashkëpunim Ndërkombëtar Abazi dhe Shefi i Kabinetit Zyfliu, kanë përfunduar me sukses pjesëmarrjen në takimet pranverore të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe Bankës Botërore (BB), që u mbajtën në Washington D.C. të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Në takimet që u zhvilluan nga 15 deri më 21 prill, Guvernatori Ismaili ka prezantuar prioritetet për sektorin financiar në pajtim me objektivat dhe Planin Strategjik të BQK-së, përditësimet dhe zhvillimet lidhur me zbatimin e programeve dhe asistencave teknike profesionale.
Guvernatori Ismaili gjatë takimit me Zëvendëspresidentin dhe njëherësh Drejtuesin e Thesarit të BB-së, Jorge Familiar ka theksuar vlerësimin e tij të sinqertë për anëtarësimin e BQK-së në Partneritetin për Këshillimin dhe Menaxhimin e Rezervave (RAMP) dhe mundësitë që ka ofruar ky program për ngritjen e ekspertizës dhe kapaciteteve të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës përmes seminareve dhe programeve të saj trajnuese.
Gjatë takimit, diskutimet u fokusuan edhe në progresin e bërë drejt investimeve të përgjegjshme Mjedisore, Sociale dhe të Qeverisjes (ESG). Guvernatori Ismaili theksoi përkushtimin e BQK-së ndaj këtij qëllimi, i cili është paraqitur dukshëm në Planin Strategjik 2024-2028.