CEFTA dhe WB6 CIF bashkohen për të fuqizuar zërat e bizneseve

Ekonomi

CEFTA dhe WB6 CIF bashkohen për të fuqizuar zërat e bizneseve

Më: 28 prill 2024 Në ora: 09:52
Foto nga takimi

Me qëllim për të rritur bashkëpunimin me bizneset dhe për të forcuar rolin e tyre në integrimin ekonomik rajonal, Sekretariati i CEFTA-s dhe Forumi Investiv i 6 Dhomave të Tregtisë në Ballkanin Perëndimor (WB6 CIF) kanë nënshkruar një Memorandum Mirëkuptimi (MoU) në Bruksel.

Siç njoftojnë nga Oda Ekonomike e Kosovës,kjo marrëveshje vendos një bazë për bashkëpunim të fuqishëm dhe ndarje të informacionit që do të nxisë krijimin e një Tregu të Përbashkët Rajonal nën përkujdesjen dhe përkrahjen e Procesit të Berlinit.

"Përmes kësaj, të dy organizatat demonstojnë një përkushtim për të promovuar rrjedhat e tregtisë efikase ndërmjet palëve të CEFTA-s dhe për të nxitur integrimin ekonomik rajonal. Duke bashkuar përpjekjet, Sekretariati i CEFTA-s dhe WB6 CIF synojnë të mbështesin implementimin e planit të veprimit të përbashkët të Tregut Rajonal dhe planit të ri të zhvillimit për Ballkanin Perëndimor, duke ngritur harmonizimin me Bashkimin Evropian", thuhet në komunikatë.

"Bizneset kanë nevojë të vazhdojnë të shohin përmirësime reale për çdo ditë në secilen fushë, dhe për të arritur këtë, partneritetet e forta siç është partneriteti me Sekretariatin e CEFTA-s për vite, janë thelbësore dhe shumë të rëndësishme. Ne vlerësojmë punën e tyre në lehtësimin e tregtisë, duke punuar vazhdimisht për të zgjeruar tutje bashkëpunimin tonë, në mënyrë që të kemi një tregti më të shpejtë dhe më efikase në rajon," deklaroi Lulzim Rafuna, Kryetar i WB6 CIF.

Elementet kryesore të këtij bashkëpunimi përfshijnë forcimin e dialogut publiko-privat, promovimin e lehtësimit të tregtisë, mbështetjen e digitalizimit, si dhe organizimin e ngjarjeve të përbashkëta për të rritur dukshmërinë e proceseve reformuese që promovojnë një treg të përbashkët dhe destinacionin e investimeve në Ballkanin Perëndimor.

"Së bashku ne jemi më të fuqishëm në përpjekjet investuese, jo vetëm në promovimin e tregtisë së mallrave dhe shërbimeve, por edhe në fuqizimin e zërit të bizneseve tona në Ballkanin Perëndimor. Duke integruar nevojat dhe sfidat e tyre në politikat dhe inicativat tona, ne po nxisim një mjedis vërtetë të orientuar drejt bizneseve. Ky është një bashkëpunim që qëndron në krah të bizneseve, për bizneset," deklaroi drejtoresha në detyrë e CEFTA-s, Danijela Gaçević.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat