Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC) dhe Qeveria e Kosovës lansuan programin Kompakt, i cili do të mundësojë zgjidhje të energjisë së pastër, për të përmirësuar gjendjen e energjisë në Kosovë.
Në fjalën e saj, Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, duke falënderuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës, tha se ky projekt nuk është vetëm investim në energji, por edhe në të ardhmen e vendit.
Ajo tha se në qendër të këtij projekti është transformimi i sektorit të energjisë nëpërmjet parimit të barazisë.
Osmani theksoi se MCC fokusohet në projekte që synojnë ruajtjen e energjisë në bateri e që si të tilla do ta revolucionarizojnë sektorin e energjisë së Kosovës.
Osmani: ShBA-të vazhdimisht kanë mbështetur Kosovën në ditët më të errëta
“ShBA-të vazhdimisht kanë mbështetur Kosovën në ditët më të errëta në secilën hap të saj me që kemi zhvilluar zhvillimin ekonomik dhe atë demokratik. Kompakti që po lansojmë sot është pivotal, nuk është vetëm një investim në infrastrukturën e energjisë, mirëpo është një investim në të ardhmen e Kosovës dhe njerëzve të saj. Në qendër të këtij projekti që do ta lansojmë sot është transformimi i sektorit të energjisë përmes zbatimit të solucioneve inovative dhe vendosja e parimit të barazisë si parakusht për qëndrueshmërinë në botën e energjisë. MCC fokusohet kryesisht në projektet e ruajtjes së energjisë në bateri që do ta revolucionarizojë energjinë e Kosovës”, tha Osmani.
Ndërkaq, kryeministri Albin Kurti, duke u shprehur i lumtur për dizajnimin e programit që e vendos Kosovën në ballë të zhvillimit të energjisë së përtrishme, tha se fal këtij projekti, vendi do t’i ketë së paku 350 megavatë rezerva.
Kurti theksoi se me këtë program synohet që të sigurohet që të rinjtë e vendit që janë të përgatitur profesionalisht të marrin pjesë në sektorin e energjisë moderne në të ardhmen.
Ai gjithashtu premtoi se do të rritet edhe pjesëmarrja e grave në sektorin e energjisë, të paktën 33 për qind deri në vitin 2031.
Kurti: Republika e Kosovës do të ketë së paku 350 mega vatë rezerva
“Jam i lumtur që ekipet tona që e kanë dizajnuar programin për të ardhmen e vendos Kosovën në ball të zhvillimit të energjisë së ripërtrishme. Republika e Kosovës do të ketë së paku 350 mega vatë rezerva, duke e bërë shtetin ndër vendet që ruajnë më së shumti energjinë. Popullata mund të jetë nëse kontribuon me njohuritë dhe aftësitë të përfaqësojë e të përfitojë nga zhvillimi ekonomik i kontrolluar. Prandaj zhvillimi i infrastrukturës me këtë program synojmë që t’i sigurojmë të rinjtë tanë që janë të përgatitur në mënyrë profesionale dhe marrin pjesë në sektorin e energjisë modern në të ardhmen. Do të përcaktojmë trajnime profesionale sipas kërkesave të tregut dhe do të rrisim pjesëmarrjen e grave në sektorin e energjisë, të paktën 33 për qind deri në vitin 2031. Kompakti i programit me MCC do të arrijë edhe tranzicionin e energjisë sonë. 230.6 milionë dollarë paraqet Kompakti paraqet investimin më të madh në vendin tonë”, tha Kurti.
Kurse në fjalën e tij, ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, dha më shumë detaje në lidhje me këtë grant.
Ai tha se kompaktet janë grante 5-vjecare mes MCC dhe vendeve që i plotësojnë disa kritere, duke shtuar se është me rëndësi që Kosova është pjesë e atyre vendeve.
Hovenier tha se këto marrëveshje financojnë programe për të mundësuar mjedise për investime në sektorin privat.
Hovenier: Këto marrëveshje financojnë programe për të mundësuar mjedise për investime në sektorin privat
“Kompaktet janë grante 5-vjecare të cilat i lëshojmë mes MCC dhe vendeve të cilat i plotësojnë kriteret e kualifikueshmërisë. Është rëndësi e madhe që tani Kosova konsiderohet ndërmjet atyre vendeve. Këto marrëveshje financojnë programe për të mundësuar mjedise për investime në sektorin privat. Investimet tona substanciale e demonstrojnë konfidencën për zhvillimin e Kosovës dhe rritjen e saj. Kompakti i MCC-së vjen pas programit të pragut që ishte një investim 49 milionë dollarësh”, tha Hovenier.
Ndërsa, zv.presidenti i MCC-së, Cameron Alford, e ka vlerësuar të rëndësishëm për sigurinë e energjisë programin “Kompakt”.
Ai shtoi se me këtë program u ofrohen mundësi karriere të rinjve që duan të jenë në sektorin e energjisë.
Ndërkaq, duke u shprehur i bindur në rezultate të këtij projekti, ai tha se ka besim se do të arrihen suksese fal punës së madhe që do të bëhet nga anëtarët e Qeverisë, MCC-ja dhe të gjithë të tjerët të përfshirë në këtë program.
Alfrod: Kam besimin që do të arrijmë me sukses këtë program me qytetarët e Kosovës së bashku
“Këtu jemi për të treguar mundësitë për njerëzit për të gjithë ata, posaçërisht gratë dhe të rinjtë e këtij vendi për të krijuar karrierë në sektorin e ri modern të energjisë. Dhe pjesët e fundit për të katalizuar sektorin privat me bashkëpunime të veçanta me SHBA-të do të na mundësojë që ta sjellim sektorin privat në sektor dhe t'i fuqizojmë me programet të tjera, dhe kur ta bëjmë të gjithë këtë, pas 5 viteve, siç tha edhe ambasadori disa herë, koha është e limituar. A është kjo ambicioze? Po, sigurisht. Por unë kam besim se do të arrijmë dhe ky besim vjen nga puna e madhe, nga përkushtimi, zotimi dhe pasioni që e kam parë nga njerëzit në këtë dhomë, duke filluar nga anëtarët e Qeverisë së Kosovës, institucioneve të Kosovës, nga CDT-ja, MCA-ja, apo LLSM-ja, që janë bashkuar për të na sjellur deri në këtë pikë. Po ashtu e kemi përdorur hyrjen në fuqi si arritje dhe si mundësi për të vendosur bazamentin për të rritur bashkëpunimin. Bashkëpunimi nuk do të siguroj që 5 vitet e ardhshme do të jenë të lehta si pjesë e implementimit, mirëpo do të sigurojë që do të kemi fuqinë, qëndrueshmërinë, për t'i adresuar sfidat që na dalin përballë. Duke marrë parasysh ato takime dhe ato mundësi, prapë them që kam besimin që do të arrijmë me sukses këtë program me qytetarët e Kosovës së bashku”, tha ai.
Kompakti MCC-Kosovë synon të prezantojë një sistem të avancuar të ruajtjes së energjisë, duke hedhur themelet për burime të besueshme, të ripërtëritshme të energjisë që do të integrohen në rrjetin e Kosovës, dhe duke reduktuar nevojën për energji të prodhuar nga thëngjilli si dhe importet e kushtueshme të energjisë.
Kompakti prej 202 milionë dollarësh, së bashku me një kontribut prej 34.7 milionë dollarësh nga Qeveria e Kosovë kap totalin prej 236.7 milionë dollarësh.