Rafuna paralajmëron se me afrimin e muajve të verës, çmimet do të shkojnë duke rënë

Ekonomi

Rafuna paralajmëron se me afrimin e muajve të verës, çmimet do të shkojnë duke rënë

Më: 11 maj 2024 Në ora: 10:15
Lulzim Rafuna

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK) Lulzim Rafuna, ka thënë se sipas parashikimeve të tyre inflacioni është në rënie si në vendet e Bashkimit Evropian (BE) edhe në Kosovë dhe se në muajt në vijim pritet që të ketë stabilizim të çmimeve të produkteve dhe ulje të normave të interesit të bankave.

Ai ka thënë se në rritjen e çmimeve të produkteve ndikon edhe fakti që Kosova është e varur nga importi që bën nga shtetet e ndryshme.

Rafuna ka thënë se qytetarët janë duke u përballur me çmimet e larta të produkteve bujqësore për faktin se në vendin tonë në këtë periudhë nuk kultivohen produktet këto produkte por që ato importohen nga venet e tjera.

“E para sa i përket produkteve bujqësore është ndërrimi i sezones dhe ne importojmë në këtë kohë për arsye se ende nuk është periudha kur kultivohen produktet tona për atë arsye janë edhe më të shtrenjta. Ndërsa sa i përket inflacionit, inflacioni është në rënie, jo vetëm në Kosovë por është edhe në vendet e BE-së. Ne kemi thënë edhe në fillimi të vitit kur e kemi prezantuar raportin e OEK-ut por edhe parashikimet tona kemi paraparë që këtë vit do të ketë ulje të inflacionit por do të ketë edhe ulje të normave të interesit të bankave. Që është një lajm i mirë edhe për qytetarët po është një lajm i mirë edhe për bizneset. Kështu që me rënin e inflacionit ne besojmë shumë që do të shkojnë duke rënë edhe çmimet, për arsye se sipas dinamikes së sotme, sipas dinamikës së sotme, sipas indikacioneve që i kemi sot nuk pritet që do të ketë një rritje të inflacionit apo një rritje të çmimeve”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se me afrimin e muajve të verës çmimet do të shkojnë duke rënë.

“Ne besojmë që edhe pritjet tona janë që me ofrimin e muajve të verës çmimet do të shkojnë duke rënë. Ne jemi duke importuar prej Turqisë edhe prej vendeve të tjera produktet bujqësore se nuk është koha tani që kultivohen në Kosovë. Me afrimin e muajve të tjerë do të fillojnë edhe produktet tjera tonat që dalin në treg do të fillojnë edhe çmimet të bien”, ka thënë ai.

Kryetari i OEK-ut ka thënë se së pari pritet që të këtë stabilizim të çmimeve për shkak të rënies së inflacionit dhe rëni të çmimeve, por sipas tij, nëse çmimet nuk bien duhet të ndërhyjnë institucionet përgjegjës.

“Së pari do të ketë stabilizim të çmimeve për shkak të rënies së inflacionit, sepse nuk ka logjikë inflacioni të bie e çmimet të rriten. Nuk ka arsye, nëse ndodh kjo me të vërtet na duhet me ndërhyrë inspektorati dhe organet kompetente për të parë. Mirëpo e them me përgjegjësi të plotë se anëtaret e OEK-ut janë shumë të kujdesshëm ndaj klientëve të tyre dhe as një here nuk ka ndodhur që ta mbingarkojnë konsumatorin me çmim i cili nuk është i arsyeshëm. Kështu që ne dihet edhe shumë here e kemi thënë që ne po jemi të varur prej importit, ende prodhimin nuk e kemi filluar që ta mbulojmë me import dhe kështu që sa më shumë që ka inflacion aq më shumë e importojmë ne inflacionin. Do të thotë ne jemi duke e importuar inflacionin për këtë arsye edhe çmime janë më të larta. Mirëpo me rënien e inflacionit, jo vetëm Kosovë por edhe në vende e BE-së duhet që edhe çmimet të bien dhe pritjet tona janë që kanë me rënë çmimet”, ka thënë ai për EO.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat