Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani mori pjesë në një tryezë të organizuar nga World Council Affairs në Dallas, Teksas, ku pati rastin t’u drejtohet përfaqësuesve të bizneseve amerikane.
Me këtë rast, e para e vendit, kërkoi investime nga këto biznese në Kosovë teksa ka ritheksuar se Kosova është shteti më proamerikan në botë.
Presidentja Osmani u shoqërua nga një delegacion i bizneseve kosovare dhe Drejtori Ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë.
Delegacioni i bizneseve ka marrë pjesë edhe në Samitin e Biznesit ShBA-Afrikë, për të eksploruar mundësitë e shumta për bashkëpunim ekonomik që offohen në Afrikë.
Gjatë fjalimit të saj, presidentja Osmani theksoi përparësitë konkurruese të Kosovës, “duke përfshirë fuqinë punëtore të re dhe të kualifikuar, normat tatimore miqësore për investitorët dhe pozitën gjeografike strategjike që shërben si një portë në mes të lindjes dhe perëndimit”.
“Ajo nënvizoi mbështetjen dhe përkushtimin e palëkundur të Kosovës për marrëdhëniet e saj të veçanta me Shtetet e Bashkuara të Amerikës duke theksuar Kosovën si shtetin më proamerikan në botë”, thuhet në njoftimin e Odës Amerikane.
Arian Zeka, Drejtor Ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, elaboroi më tej mundësitë për investime në Kosovë.
Zeka theksoi qasjen e vendit në tregje më të mëdha, afërsinë me portet detare, kostot e ulëta operacionale, valutën e qëndrueshme, mekanizmat efektivë të mbrojtjes së investimeve dhe rrezikun e ulët politik.
Ai përshkroi sektorët potencialë të investimeve, duke përfshirë energjinë, minierat, përpunimin e ushqimit, teknologjinë e informacionit dhe komunikimit, kujdesin shëndetësor, menaxhimin e mbetjeve, turizmin dhe modën.
Tryeza ofroi një platformë për bizneset kosovare që të ndërveprojnë me bizneset amerikane dhe të eksplorojnë mundësitë e bashkëpunimit, për lidhje më të mëdha ekonomike ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Presidentja Osmani shprehu mirënjohjen e saj për pritjen e ngrohtë dhe diskutimet e frytshme në tryezën e rrumbullakët, duke theksuar përkushtimin e përbashkët për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe promovimin e prosperitetit ekonomik për të dyja shtetet.