Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Safet Gërxhaliu, ka thënë se është shqetësuese zhvendosja e kapitalit nga kompani kosovare që përzgjedhin shtetet e rajonit për të investuar.
Sipas Gërxhaliut, veprimet institucionale po anojnë tek politikat majtiste, gjë që sipas tij janë të gabuara. Ai thotë se shqetësuese është fakti që orientimi institucional është “që të gjithë të jenë të barabartë në varfëri dhe jo zhvillim dhe qëndrueshmëri”.
Shqetësuese për bizneset e sheh ikjen e fuqisë punëtore e kamatat e larta bankare.
Për këtë, Gërxhaliu ka kërkuar veprime institucionale.
“Dhe ajo brenga tjetër që askush nuk po e vëren është një ikje në heshtje e kapitalit të bizneseve kosovare në vendet e rajonit dhe më gjerë. Po të shkoni në Maqedoni, Shqipëri, Mal të Zi edhe Slloveni e vende tjera evropiane ju do të habiteni me numrin e investitorëve nga Kosova që investojnë në kapitalin e atyre vendeve dhe kjo duhet të jetë brenga më e madhe. Ajo që dua ta ndaj me ju është një fakt tjetër. Nuk duhet gjithmonë të numërohet sa largohen nga Kosova por çka bën shteti që ata t’i motivoj të mbesin në Kosovë. Ne nuk kemi reforma në arsim për një ligj në shërbime shëndetësore, kampanja vetëdijesuese që kish me i motivu të rinjtë me qëndrua në Kosovë dhe atëherë nëse të gjitha këto përcillen me qetësi, nuk duhet të na habis fakti qe po largohen të rinjtë, nuk duhet të krijojmë teatër, ta ekzagjerojmë se është një zbrazje masive dhe kjo i shkon përshtati shumë më tepër armiqve të saj shekullor se sa progresit dhe perspektives së republikës sonë”, deklaroi Gërxhaliu.
Ikja e fuqisë punëtore e kamatat e larta bankare, janë disa nga problematikat që sipas ish-kreut të OEK-ut po e “ngulfatin” sektorin privat në Kosovë. Për këtë, Gërxhaliu ka kërkuar veprime institucionale.
“Sfidat e sektorit privat çdo ditë janë më të mëdha. Nuk kemi të bëjmë vetëm me ikjen e fuqisë punëtore, kemi me oraret e eksporteve, pasivizim të diplomacisë ekonomike, kamatat e larta bankare dhe e tëra kjo po e ngulfat çdo ditë e më tepër ambientin biznesor kosovar, ikja e fuqisë punëtore vërtetë është shqetësuese edhe pse nuk është në nivelin e paralajmëruar se do jetë shumë e lartë, por nuk duhet të merremi me shitjen e biletave dhe ikjen me vetura. Por çka bëjmë që ata të mbesin në Kosovë, cilat janë kampanjat vetdijësuese që të rinjtë ta kuptojnë që Evropa nuk është ajo që ka qenë më parë, cilat janë ligjet të cilat me urgjencë janë draftuar apo hartuar të jenë në funksion të zbrazjes në Kosovë”, thotë Gërxhaliu.
Gërxhaliu ka përmendur edhe barrierat dhe vështirësitë e të bërit biznes në vend. Thotë se Kosova po rrezikon të shndërrohet në një politikë majtiste.
“Definitivisht ndër arsyet kryesore është stabiliteti ekonomik që Kosovës po i mungon. Në rend të dytë e kemi një burokraci të politizuar dhe në rend të tretë qasja institucionale shumë më tepër drejt një ekonomie majtiste se sa djathtiste dhe iniciativa që të shikohet biznesi për tu gjobitur jo për tu mbështetur është një arsye shtesë kur krejt kësaj i shtohet fakti që nuk ka një dialog të mirëfilltë publiko-privat. Është vërtetë mjaft shqetësuese dhe në këtë drejtim besoj qasja apo orientimi institucional që të gjithë të jenë të barabartë në varfëri dhe jo zhvillim dhe qëndrueshmëri është qasja më e gabuar që Kosovën po e kthen mbrapa se sa që po e avancon të bëj hapa drejt zhvillimit ekonomik të vendit”, u shpreh Gërxhaliu.