Gërxhaliu: Po dominon agjenda politike, po anashkalohet ekonomia

Ekonomi

Gërxhaliu: Po dominon agjenda politike, po anashkalohet ekonomia

Më: 13 maj 2024 Në ora: 12:48
Safet Gërxhaliu

Ish-drejtori i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu duke iu referuar raportit tre mujor të Buxhetit, në periudhën janar-mars 2024 ku të gjitha institucionet shtetërore kanë shpenzuar vetëm rreth 10% të buxhetit të përgjithshëm të planifikuar për investime kapitale thotë se kjo përqindje sa është shqetësuese është edhe tragjike për vendin.

Gërxhaliu thotë se kjo përqindje pamundëson hapjen e vendeve të reja të punës dhe në këtë drejtim, sipas tij, nuk duhet të na habisë fakti që çdo ditë kemi më tepër mbyllje të kompanive të cilat vërtetë e dëshmojnë mjerimin që ka kapluar ekonominë e Kosovës.

“T’i thuash dikujt që në tre muajt e parë të këtij viti e kemi këtë përqindje kaq të ulët të implementimit të projekteve kapitale, sa është shqetësuese është edhe tragjike. T’i thuash dikujt që në vitin 2023 kemi pasur një situatë të tillë, ku tek në fund të vitit kanë filluar disa projekte të financohen dhe të implementohen, me këtë situatë me të vërtetë po sfidohet sektori privat përmes mosimplementimit të projekteve, realizimit të të tyre nga ana e sektorit privat atëherë vie pyetja si mund të kemi vende të reja të punës? Si mund të kemi investime në prodhim? Si mund të kemi investime në teknologjinë moderne dhe në partneritet me kompanitë tjera rajonale në këtë drejtim nuk duhet të na habisë fakti që çdo ditë kemi më tepër mbyllje të kompanive të cilat vërtetë e dëshmojnë mjerimin që ka kapluar ekonominë e Kosovës”, thotë Gërxhaliu.

Sipas tij, askush nuk e adreson problemin që mosimplementimi i projekteve kapitale është në mënyrë direkte apo indirekte një ndër grushtet më të mëdha që i shërben sektorit privat në Kosovë.

“Definitivisht, agjenda politike është duke dominuar dhe sa më tepër e kemi këtë dominancë anashkalohet ekonomia, ku përmes këtij anashkalimi edhe përmes morealizimit të projekteve kapitale po ngulfatet sektori privat, që në rrethana normale duhet të jetë shtylla e funksionimit të shtetit sepse nuk jetohet nga politika por nga ekonomia dhe qëndrueshmëria ekonomike”, tha ai.

Gërxhaliu thekson se nëse nuk veprohet në këtë drejtim, do të ketë më tepër keqpërdorim të këtyre fondeve sesa ato fonde të hyjnë në funksion të zhvillimit dhe qëndrushmërisë ekonomike.

“Të gjitha investimet kapitale kanë një periudhë kohore apo një plan dinamik të investimeve, por në këtë drejtim duhet të përfillen me një dinamikë dhe kronologji. Nuk është e rrugës që të kemi shpenzime ad-hoc por duhet të ketë integritet dhe monitorim e arsyeshmëri. Në qoftëse në këtë drejtim nuk veprohet atëherë definitivisht do të kemi shumë më tepër keqpërdorim të këtyre fondeve sesa ato fonde të hyjnë në funksion të zhvillimit dhe qëndrushmërisë ekonomike”, tha Gërxhaliu.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat