Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) po e shton mbështetjen e saj për financim të gjelbër me fonde të reja për Banka për Biznes në Kosovë.
Huaja e BERZH-it deri në 4 milionë euro në kuadër të Instrumentit për Financim të Ekonomisë së Gjelbër (GEFF) do të nxisë investimet për efiçiencë të energjisë nga pronarët e banesave dhe shtëpive, kolektivat e banesave, prodhuesit dhe ofruesit e shërbimeve. Projekti bashkëfinancohet nga Bashkimi Evropian (BE) dhe Japonia.
Kjo hua, e para për Banka për Biznes në kuadër të GEFF-it, do të mbështesë teknologji të gjelbra, materiale dhe zgjidhje me performancë të lartë për banesat dhe ndërtesat rezidenciale në pronësi private. Investimet në pajisje që kursejnë energji, siç janë izolimi, dritaret, pompat termike dhe panelet solare, do të ulin emetimet e gazrave serrë, do të ulin kostot e energjisë, si dhe do të përmirësojnë cilësinë e jetës. Përveç kredive, pronarët e banesave dhe shtëpive pagesa do të përfitojnë pagesa stimuluese deri në 20 për qind të vlerës së kredisë pas instalimit të suksesshëm.
Banka për Biznes do të përfitojë asistencë teknike për ta ndihmuar në krijimin e një modeli të ri financimi të përshtatur për kreditimin e gjelbër në sektorin e ndërtesave të banimit. Kjo mbështete do t’u ofrohet edhe palëve më të gjera të interesit, siç janë kompanitë e ndërtimtarisë, shitësit dhe prodhuesit e teknologjive të gjelbra, në mënyrë që të avancohet tranzicioni i gjelbër në sektorin e banimit në tërësi.
Huaja lehtëson qasjen e Bankës për Tranzicionin e Ekonomisë së Gjelbër dhe do të mbështetet nga Fondi i Bashkëpunimit Japoni-BERZH dhe BE-ja nëpërmjet Kornizës së Investimeve të Ballkanit Perëndimor (WBIF).
Udhëheqësi i BERZH-it për Kosovën Sergiy Maslichenko, u shpreh se: “Jemi krenarë që po e vazhdojmë mbështetjen tonë për tranzicionin e energjisë së gjelbër në Kosovë duke financuar përmirësimet e efiçiencës së energjisë në ndërtesat e banimit, të cilat janë konsumatorët më të mëdhenj të energjisë në vend. Përveç përfitimeve për të ardhmen e qëndrueshme të gjelbër të Kosovës, ky projekt sjell përfitime të drejtpërdrejta për familjet kosovare. Duke sjellë kursime në faturat e energjisë dhe duke rritur komoditetin shtëpiak, këto investime do t’ua bëjnë më të lehtë jetën pronarëve të banesave dhe shtëpive.”
Mimoza Godanci, Kryeshefe Ekzekutive e Banka për Biznes, u shpreh se: “Tepër jemi të kënaqur që po e nisim këtë rrugëtim drejt një ardhmërie më të qëndrueshme për Kosovën. Ky partneritet me BERZH-in, BE-në dhe Japoninë, përfaqëson një moment historik të rëndësishëm për ne. Ky bashkëpunim nënvizon përkushtimin tonë për nxitjen e iniciativave të gjelbra që kontribuojnë në qëndrueshmërinë afatgjatë të mjedisit tonë dhe mirëqenien e familjeve kosovare. Jemi të nderuar që jemi pjesë e kësaj përpjekje transformuese dhe presim me padurim ndikimin pozitiv që do të ketë në shtetin tonë. Kjo iniciativë përputhet me vizionin strategjik të BpB-së për të ardhmen, duke reflektuar detyrën tonë si ndaj mjedisit ashtu edhe ndaj bizneseve që bëhen partnerët tanë.”