​Ngec diplomacia ekonomike, vendi ende pa atashe ekonomik

Ekonomi

​Ngec diplomacia ekonomike, vendi ende pa atashe ekonomik

Më: 25 maj 2024 Në ora: 10:07
Qeveria e Kosovës

Përveç ngadalësimit të procesit të njohjeve, vendi ka ngecur edhe në diplomacinë ekonomike, faktor ky që vazhdon të ndikojë negativisht në prurjen e investimeve të huaja. Ndonëse, ishte zotim i Ministrisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë që të emërohen atashetë ekonomikë, kjo edhe pas tri viteve nuk u realizua. Megjithatë, nga kjo ministri thonë se janë në finalizim të hartimit të politikës tregtare e cila parasheh edhe rritjen e numrit të tyre, mirëpo nuk dihet kur pritet të ndodhë kjo.

Ndërkaq, Kp ka dërguar pyetje edhe tek Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, lidhur procesin e diplomacisë ekonomike dhe se çfarë po bënë ky institucion në këtë drejtim, mirëpo të njëjtit nuk janë përgjigjur.

Derisa nga pozita thonë se Ligji për investime të qëndrueshme ka shkuar në Gjykatë Kushtetuese, theksojnë se është në plan të punohet në këtë drejtim, për dallim nga opozita, që e quajnë të dështuar emërimin e atasheve ekonomik.

Në një përgjigje me shkrim, thonë se janë duke punuar në këtë drejtim.

“Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka hartuar Ligjin për Investime Strategjike i cili është miratuar në Qeveri, por i cili pastaj është dërguar në Gjykatë Kushtetuese dhe ende nuk ka një vendim gjykate. Po ashtu Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, është në finalizim të hartimit të Politikës Tregtare e cila parasheh edhe rritjen e numrit të atasheve ekonomik”, thuhet në përgjigjen me shkrim nga MINT.

Ndërkaq, deputeti nga partia në pushtet, Armend Muja thotë se në plotësim ndryshimin e ligjit për investime të qëndrueshme janë paraparë rreth 40 pozita që do të dislokoheshin në ambasada të ndryshme.

Muja: Ky ligj ka shkuar në Gjykatën Kushtetuese, ende nuk ka përgjigje

“Në plotësim ndryshimin e ligjit për investime të qëndrueshme është i paraparë po ashtu rreth 30 apo 40 pozita, pikërisht për t’i plotësuar këto aspekte, apo zyrtar nga Kosova që do të dislokoheshin ambasada të ndryshme. Ata do të punonin me komunitete të biznesit në vende të ndryshme, sidomos aty ku ka mërgatë të madhe nga Kosova, SHBA-të, Gjermanisë, Zvicër e më radhë. Mirëpo, sa e di unë ende ky ligj ka shkuar në Gjykatën Kushtetuese, ende nuk ka përgjigje, por është në plan të punohet në atë drejtim”, thotë Muja.

Ndërkaq, nga opozita kritikojnë qeverinë që kanë ngecur në këtë drejtim, dhe në mungesë të tyre thonë se ka ndikuar në zhvillimin e ekonomisë së vendit, pra nuk kanë mundur të lobojnë dhe të sjellin investime të huaja në Kosovë.

Deputeti nga Partia Demokratike e Kosovës, Ferat Shala derisa thotë se atashetë ekonomikë do të mund të përcillnin dhe ofronin ide, propozime dhe investitor të jashtëm strategjik, konsideron se qeveria ka dështuar edhe në këtë aspekt, sikurse në ato politike.

Shala: MPJD përveç dështimeve tjera në sferën diplomatike dhe politike ka dështuar edhe në vendosjen e atasheve ekonomike

“Ministria e Jashtme përveç dështimeve tjera në sferën diplomatike dhe politike ka dështuar edhe në vendosjen e atasheve ekonomikë që është obligim dhe nevojë për zhvillimin e mëtutjeshëm të ekonomisë së vendit. Pra, Atashe-të nuk kanë mundur të jenë atje, nuk kanë mundur të lobojnë, të sjellin investitor të mirëfilltë për interes të zhvillimit të caktuar në Kosovë. Ne si komision kemi bërë monitorimin e ligjit për tregti me jashtë dhe kemi vërejtur mungesën e emërimit të Atashe-ve. Në anën tjetër kemi nxjerrë rekomandime, dhe tashmë raporti për çështjen e tregtisë me jashtë është në Kuvend, ku në mesin e rekomandimeve është edhe gjetja e mënyrës dhe e dinamizmit të vendosjes së atasheve nëpër konsullata tona, atje ku shteti, qeveria dhe vendi kanë nevojë të vendosin atashe...Pasi kjo ka reflektuar në thithjen e investitorëve të jashtëm, në bashkëpunim edhe me diasporën dhe me shtete dhe partnere ekonomike tona. Në këtë relacion kemi qenë krejtësisht të shkëputur nga rrjedhat e përgjithshme të zhvillimeve në tregjet globale, sepse atashetë do të mund të përcillnin dhe ofronin ide, propozime dhe investitor të jashtëm strategjik”, thotë Shala.

Se qeveria ka dështuar në zhvillimin e diplomacisë ekonomike, e thotë edhe deputeti nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj.

Lekaj: Në këtë drejtim qeveria ka dështuar, kemi dështuar edhe në investime të jashtme dhe strategjike

“Sa i përket atasheve ekonomikë, në këtë drejtim qeveria ka dështuar, kemi dështuar edhe në investime të jashtme dhe strategjike, dhe nuk është bërë promovimi i Kosovës që është vend i lehtësirave për të investuar dhe për t’i joshur investitorët”, thotë Lekaj.

Kujtojmë se ministrja e MINT-it, Rozeta Hajdari vitin e kaluar ka deklaruar se diplomacia ekonomike do të jetë prioritet i kësaj ministre, në këtë formë ka thënë se kanë planifikuar që të emërojnë shtatë atashe ekonomik, mirëpo kjo nuk ka ndodhur ende.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat