​Rritet numri i regjistrimeve të automjeteve të reja për 35.2% në Bullgari dhe bie në BE

Evropë

​Rritet numri i regjistrimeve të automjeteve të reja për 35.2% në Bullgari dhe bie në BE

Më: 17 qershor 2022 Në ora: 16:40
Foto ilustrim

Në maj të vitit 2022, numri i regjistrimeve të makinave të pasagjerëve në Bashkimin Evropian ka rënë për 11.2%, apo në 791,546 makina të regjistruara, duke shënuar muajin e dhjetë radhazi të rënies. Ndërkohë, Bullgaria është lider në BE përsa i përket regjistrimeve të makinave të reja me një rritje prej 35.2% të raportuar në muajin maj, raportoi kështu të enjten Shoqata Evropiane e Prodhuesve të Automobilave (ACEA).

Tregu i Bullgarisë është relativisht i vogël me gjithsej 2,690 makina të reja të regjistruara në maj të vitit 2022, krahasuar me 1,989 makina të regjistruara në të njëjtin muaj të vitit të kaluar.

Të katër tregjet kryesore të BE-së shënuan humbje dyshifrore. Italia pa rënien më të madhe (-15.1%), e ndjekur nga Spanja (-10.9%), Gjermania (-10.2%) dhe Franca (-10.1%).

Nga janari deri në maj të vitit 2022, numri i regjistrimeve totale të makinave të reja të pasagjerëve në BE ishte 13,7% më i ulët krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Në pesë muajt a parë të vitit 2022, shitjet e makinave të reja janë tërhequr në shumicën e tregjeve në rajon, duke përfshirë katër ato kryesore: Italinë (-24,3%), Francën (-16,9%), Spanjën (-11,5%) dhe Gjermaninë (-9,3%).

Numri i makinave të regjistruara në Bullgari prej janarit deri në maj të vitit 2022 është 11.721, krahasuar me 9.973 makina të regjistruara në periudhën e njëjtë të vitit 2021, duke rezultuar në një rritje prej 17,5%, thuhet në raportin e ACEA.

Shoqata bashkon 16 prodhuesit kryesorë të makinave, kamionëve, furgonëve dhe autobusëve në Evropë./BTA/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat