Gjykata vendos që Julian Assange të mos ekstradohet menjëherë në SHBA

Evropë

Gjykata vendos që Julian Assange të mos ekstradohet menjëherë në SHBA

Më: 26 mars 2024 Në ora: 14:45
Julian Assange

Gjykata e Lartë e Londrës vendosi të martën se Julian Assange nuk mund të ekstradohet menjëherë në Shtetet e Bashkuara lidhur me akuzat për spiunazh. Vendimi paraqet një fitore të pjesshme për themeluesin e Wikileaks. Dy gjyqtarët e kësaj gjykate thanë se atij do t’i lejohej një tjetër proces apeli kundër ekstradimit nëse nuk jepeshin garanci nga Shtetet e Bashkuara se ai nuk do të përballet me dënim me vdekje.

Vendimi nënkupton se beteja e tij ligjore, thuajse 10 vjeçare, do të vazhdojë dhe se zoti Assange do të vazhdojë të mbetet në burgun e sigurisë së lartë të Londrës “Belmarsh”, ku po mbahet prej 5 vjetësh.

Prokurorët amerikanë synojnë që 52 vjeçari Assange të gjykohet për 18 akuza, të mbështetura tek Akti i Spiunazhit, lidhur me publikimin e dokumenteve sekrete diplomatike dhe të ushtrisë amerikane, në faqen e tij të internetit, Wikileaks.

Në shkurt, avokatët e zotit Assange siguruan të drejtën për të apeluar urdhrin e ekstradimit të miratuar nga qeveria britanike, nën argumentin se akuzat ndaj tij ishin të motivuara politikisht.

Gjykata u ka kërkuar autoriteteve amerikane të japin “garanci të pranueshme” se zoti Assange do të ketë mundësi të mbrohet bazuar në Amendamentin e Parë të Kushtetutës Amerikane, që garanton lirinë e shprehjes dhe të shtypit dhe se ndaj tij nuk do të kërkohet dënimi me vdekje.

Nëse nuk jepen këto garanci, atëherë zotit Assange do t’i mundësohej e drejta e apelit. Një seancë tjetër dëgjimore është caktuar të mbahet në 20 maj.

Shtetet e Bashkuara kanë thënë se zoti Assange nuk do të përballet me dënim kapital, por gjyqtarët britanikë shprehen në vendimin e së martës se “ në garancitë aktuale nuk përjashtohet qartësisht dënimi me vdekje”.

Shtetet e Bashkuara argumentojnë se publikimi i të dhënave nga Wikiliekas vuri në rrezik jetën e agjentëve amerikane dhe se nuk ka justifikim për këtë vepër penale.

Mbështetësit e zotit Assange e shohin atë si një hero i cili po hetohet, pavarësisht se është gazetar, pasi zbuloi abuzimet e qeverisë amerikane.

Qeveria amerikane thotë se veprimet e tij shkojnë përtej detyrës së gazetarit dhe ai akuzohet se ka “botuar me vetëdije” emra agjentësh dhe jo pikëpamjet e tij politike.

Prokurorët amerikanë thonë se zoti Assange ndihmoi analisten e inteligjencës së ushtrisë amerikane, Chelsea Manning, të vidhte kabllogramet diplomatike dhe dosjet ushtarake lidhur me luftërat në Irak e Afganistan.

Avokatët e tij thonë se ai mund të përballet me 175 vjet burg nëse gjendet fajtor, megjithëse autoritetet amerikane kanë thënë se dënimi ka të ngjarë të jetë shumë më i shkurtër se kaq./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat