Dëmtohet një objekt kyç energjetik në jug të Ukrainës nga një sulm rus

Evropë

Dëmtohet një objekt kyç energjetik në jug të Ukrainës nga një sulm rus

Më: 12 prill 2024 Në ora: 09:25
Njerëzit duke shikuar përmes një dritareje të thyer në një shtëpi të dëmtuar nga një raketë ruse në Mikolaiv, 11 prill 2024.

Një objekt energjetik në rajonin jugor të Ukrainës, Dnipropetrovsk, është dëmtuar nga zjarri si pasojë e një sulmi rus me dronë mëngjesin e së premtes, thanë ushtria ukrainase dhe një zyrtar rajonal.

Ushtria ukrainase tha se objekti i rëndësishëm energjetik në rajonin Krivorizka u përfshi nga zjarri pasi mbetjet e dronëve të rrëzuar rusë ranë mbi të, duke shtuar se zjarrfikësit ia dolën ta shuajnë zjarrin.

Shkalla e dëmit nuk mund të vlerësohej menjëherë, tha kreu rajonal Serhiy Lysak.

Të enjten, termocentrali Trypilska, një furnizues i madh i energjisë elektrike për rajonet e Kievit, Çerkasit dhe Zhitomirit, u shkatërrua nga raketat ruse.

Ndërkohë, kundërajrorët ukrainas i rrëzuan 16 nga 17 dronët e lëshuar nga Rusia në gjashtë rajone të Ukrainës mëngjesin e së premtes, thanë Forcat Ajrore të Ukrainës në një mesazh në rrjetet sociale.

“Forcat e Mbrojtjes së Ukrainës rrëzuan 16 UAV të tipit Shahed brenda rajoneve Mikolaiv, Odesa, Herson, Dnipropetrovsk, Vinitsia dhe Hmelnitski”, thuhet në mesazhin e tyre në Facebook.

Rusia ka kryer sulme të mëdha ajrore dhe me dronë në infrastrukturën civile dhe energjetike të Ukrainës kohëve të fundit, duke shkaktuar viktima dhe dëme të mëdha.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat