​Shpërthen zjarri në ndërtesën historike të Bursës së Vjetër në Kopenhagë

Evropë

​Shpërthen zjarri në ndërtesën historike të Bursës së Vjetër në Kopenhagë

Më: 16 prill 2024 Në ora: 12:14
Pamje nga vendi i ngjarjes

Një zjarr i madh shpërtheu të martën në mëngjes në ndërtesën historike të Bursës së Vjetër të Aksioneve të Danimarkës në qendër të Kopenhagës.

Pak pas orës 08:00 (06:00 GMT), ndërtesa 400-vjeçare e Bursës, ose Borsen, u përfshi tërësisht nga zjarri dhe maja e famshme qendrore e saj u shemb në orën 8:30 të mëngjesit (0630 GMT), raportuan mediat lokale.

Oficerët e policisë kanë rrethuar zonën e Knippelsbro dhe Christiansborg Slotsplads, me rrugë që ka të ngjarë të mbyllen për një periudhë të gjatë kohore, sipas transmetuesit shtetëror danez DR.

"Është e tmerrshme. Ishte një nga ndërtesat më të bukura të qytetit. Kaloj këtu çdo ditë. Është përsëritur Notre Dame", i tha transmetuesit një mjeshtër vendas Henrik Grage, duke iu referuar zjarrit të vitit 2019 në katedralen e famshme të Parisit.

Drejtori i ndërtesës Brian Mikkelsen së bashku me banorët vendas iu bashkuan shërbimeve të urgjencës në një përpjekje për të shpëtuar artin e Borsen.

"Ne jemi përballur me një pamje të tmerrshme. Tregu i aksioneve është në flakë. Ne i kërkojmë të gjithëve të qëndrojnë larg zonës përreth Slotsholmen", Dhoma Daneze e Tregtisë, e cila zotëron ndërtesën shkroi në X.

Ndërtesa historike ndodhet pranë parlamentit të Danimarkës Folketing dhe Christiansborg, pallati mbretëror.

Bursa, e cila përmbante një majë të formësuar nga bishtat e ndërthurur të katër dragonjve dhe tre kurora që simbolizonin tre mbretëritë e Danimarkës, Norvegjisë dhe Suedisë, ishte në rinovim kur shpërtheu zjarri.

Borsen në Slotsholmen daton që nga viti 1625. Është ndërtuar nga mbreti Christian IV dhe është ndërtesa më e vjetër në Kopenhagë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat