Disa fëmijë në mesin e shtatë të plagosurve nga sulmet ruse në Odesa

Evropë

Disa fëmijë në mesin e shtatë të plagosurve nga sulmet ruse në Odesa

Më: 23 prill 2024 Në ora: 08:05
Një ndërtesë e shkatërruar si pasojë e sulmeve ruse me dronë në Odesa, Ukrainë, 23 prill 2024.

Së paku shtatë njerëz, përfshirë dy fëmijë, janë plagosur si pasojë e sulmeve ruse me dronë në qytetin ukrainas të portit në Detin e Zi, Odesa, mëngjesin e së martës, njoftuan zyrtarët.

Zjarri i përfshiu disa ndërtesa gjatë sulmeve, sipas shefit të administratës rajonale, Oleh Kiper.

Kundërajrorët ukrainas i rrëzuan 15 nga 16 dronët me të cilët Rusia i sulmoi rajonet Odesa, Kiev, Mikolaiv dhe Çerkasi, njoftoi Forca Ajrore e Ukrainës në Telegram.

Të gjithë dronët që e kishin shënjestër Kievin u shkatërruan, tha Serhiy Popko, kryetar i administratës ushtarake të kryeqytetit ukrainas, duke shtuar se nuk ka viktima apo dëme në qytet.

Në javët e fundit, Rusia ka rritur në mënyrë dukshëm sulmet me dronë dhe raketa kundër infrastrukturës civile dhe posaçërisht asaj energjetike, duke shkaktuar dëme të mëdha në infrastrukturë dhe numër të madh të viktimave civile, teksa forcat ukrainase po përballen me mungesë të municioneve dhe të sistemeve të mbrojtjes ajrore.

Duket se vendet evropiane, të cilat zotërojnë kundërajrorë Patriotë, po ngurrojnë t’ia japin Ukrainës ndonjë prej tyre.

Ukraina ka shumë nevojë për së paku shtatë Patriotë për t’i frenuar sulme ajrore ruse.

Të shtunën, Dhoma e Përfaqësuesve e Shteteve të Bashkuara e miratoi paketën e ndihmës ushtarake për Kievin në vlerë prej 61 miliardë dollarësh.

Kritikët thanë se vonesat në miratimin e kësaj ndihme, lejuan Rusinë që të marrë momentumin në luftime./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat