LIVE: Krimea tronditet nga shpërthimet, mbyllet ura – Ukrainasit shkatërrojnë sisteme kundërajrore të rusëve, dalin pamjet

Evropë

LIVE: Krimea tronditet nga shpërthimet, mbyllet ura – Ukrainasit shkatërrojnë sisteme kundërajrore të rusëve, dalin pamjet

Nga: Bota sot Më: 30 prill 2024 Në ora: 06:18 Përditësuar në ora: 18:32 më 30.04.2024
Pamje nga lufta në Ukrainë

Ukrainasit shkatërrojnë dy sisteme të mbrojtjes kundërajrore të rusëve Buk – i goditën me dronët kamikaz

Pjesëtarët e njësisë për operacione speciale të ushtrisë ukrainase, pretendojnë se kanë arritur të shkatërrojnë dy sisteme ruse të mbrojtjes kundërajrore Buk.

Ata thonë se kjo është arritur në vijën e frontit në Sumy, ku me precizitet të paparë u filmuan duke goditur këto sisteme ruse.

“Pjesëtarët e njësisë tonë zbuluan sistemet raketore të mbrojtjes kundërajrore ruse Buk në vijën e frontit në Sumy. Ato u goditën nga dronët kamikaz”, u tha nga kjo njësi ukrainase.

Gjithçka ndodhi kur njëri prej sistemeve u godit një herë, dhe në fushëbetejë u shfaq një tjetër që tentonte ta tërhiqte por që e pësuan të dy.

Sistemet e mbrojtjes kundërajrore u goditën nga dronët e mbushur me eksploziv, kurse gëzimi i ukrainasve u shfaq edhe në video – ku dëgjohen duke festuar goditjet.

Krimea u trondit nga shpërthimet, u mbyll ura që shërben si një rrugë kryesore furnizimi për forcat ruse

Trafiku në urën kryesore që lidh kontinentin rus me Krimenë e aneksuar u ndal përkohësisht pasi Moska tha se Ukraina sulmoi gadishullin me raketa të furnizuara nga SHBA (ATACMS).

“Trafiku i automjeteve në Urën e Krimesë është bllokuar përkohësisht”, tha një kanal Telegram që poston përditësime të rregullta mbi trafikun në urën e ngushticës Kerç, në orën 1:25 të mëngjesit me orën lokale, shkruajnë mediat e huaja.

Ura e ngushticës së Kerçit shërben si një rrugë kryesore furnizimi për forcat ruse.

Ukraina goditi urën rrugore dhe hekurudhore prej 19 kilometrash (gati 12 milje) në tetor 2022 dhe përsëri në korrik 2023.

Ura është vendimtare për të mbështetur ofensivën ushtarake të Moskës në Ukrainën jugore.

Kievi është zotuar për sulme të ardhshme ndaj strukturës ndërsa kërkon të rimarrë gadishullin, të cilin Rusia e aneksoi në vitin 2014.

Vladimir Rogov, kryetar i “Ne jemi së bashku me Rusinë”, një grup pro-rus që operon në rajonin ukrainas të Zaporizhzhia të pushtuar nga Moska, si dhe blogerë ushtarakë rusë, thanë në Telegram se Ukraina kishte qëlluar me ATACMS në Krime nga rajoni jugor ukrainas i Khersonit gjatë natës të hënën.

“Sonte, militantët e Forcave të Armatosura të Ukrainës nisën një sulm me raketa në Republikën e Krimesë”, shkroi Rogov. “…Sipas informacioneve të fundit, mbrojtësit tanë bënë një punë të shkëlqyer”.

“Para kësaj, në gadishull u shpall alarmi dhe u bllokua Ura e Krimesë”, shtoi ai. “Trafiku në urë tani ka rifilluar”.

Ndërsa kanali SHOT Telegram, një kanal rus që poston përditësime mbi luftën, raportoi se shpërthime u dëgjuan në qytetin Simferopol të Krimesë dhe në Dzhankoy, ku ndodhet një aeroport ushtarak i operuar nga Forcat Ajrore Ruse.

Ukraina dhe Rusia ende nuk kanë komentuar zyrtarisht mbi sulmin e raportuar ndërkohë që frika po rritet midis blogerëve ushtarakë rusë se forcat ukrainase po përgatiten të sulmojnë urën e ngushticës së Kerçit, shkruan më tej Newsweek.

Kanali Telegram Rybar, i cili ka lidhje me Ministrinë e Mbrojtjes së Rusisë, tha javën e kaluar se Kievi mund të ketë përdorur raketa ADM-160 Miniature Air-Launched Decoy (MALD) të prodhuara në SHBA për të zbuluar sistemet e mbrojtjes ajrore dhe radarët në përgatitje për një sulm tjetër në Gadishulli i Detit të Zi.

Raketat, të cilat janë krijuar për të shpërqendruar dhe ngatërruar mbrojtjen ajrore të armikut ndërkohë që Rybar tha se një sulm në urën e Kerçit mund të ndodhë përpara inaugurimit të Putinit më 7 maj. 

Raporti i NATO nxjerr zbuluar Ukrainën, ja sa shanse ka ta mposhtë Rusinë

Pasi Kongresi Amerikan në fillim të kësaj jave miratoi dërgimin e një ndihme ushtarake të vonuar prej 61 miliardë dollarësh për Ukrainën, Rusia nxitoi të argumentonte që armatimet e avancuara perëndimore nuk do ta kthenin situatën në fushën e betejës. Më shumë se në çdo kohë që kur Vladimir Putin urdhëroi pushtimin e Ukrainës dy vjet më parë, presidenti rus është shfaqur "shumë i sigurt dhe i lumtur" në muajt e fundit, tha një person që e njeh mirë atë.

"Le të shohim nëse ndihma ushtarake e ndryshon këtë," tha personi.Në muajt e fundit, ndërsa ndihma perëndimore është zvogëluar për Ukrainën dhe ajo ka luftuar për të rrotulluar forcat e saj të varfëruara, Moska ka përdorur epërsinë e saj, për të përparuar gradualisht përgjatë vijës së frontit.

Dy zyrtarë të lartë të inteligjencës ukrainase e përshkruan ofensivën aktuale ruse përgjatë vijave kryesore të frontit dhe sulmet me raketa dhe dron në Kharkiv dhe qytete të tjera kyçe si "zbutje" të fushës së betejës përpara një operacioni të madh sulmues. Zyrtarët thonë se presin që Rusia të nisë një tjetër ofensivë në shkallë të gjerë në fund të majit ose qershorit.

Taktikat e Rusisë

Por me ndihmën e SHBA, Ukraina mund të shfrytëzojë të metat në përpjekjet e Rusisë për të shkatërruar vendin me municione të cilësisë së ulët dhe një ushtri të madhe, por të dobët, sipas zyrtarëve dhe analistëve perëndimorë të mbrojtjes. Njëri prej tyre thotë se ndërsa Rusia mund të bëjë disa sulme taktike në vijën e frontit, ajo ende ka një ushtri joefektive të karakterizuar nga pajisje të vjetra dhe ushtarë të trajnuar dobët dhe nuk do të jetë në gjendje të "kapërcejë" Ukrainën.

“Në shkurt 2022, Rusia kishte një ushtri shumë më të pajisur dhe të trajnuar”, tha zyrtari, duke iu referuar fillimit të pushtimit rus dhe disfatës pasuese në Ukrainën veriore. "Unë thjesht nuk shoh se është më mirë tani," shtoi ai, siç raportohet nga Financial Times, e cila vlerëson se forcat ruse nuk kanë gjasa të kenë sukses në një ofensivë të madhe këtë vit.

Ndihma e SHBA-së

Rusia u përpoq të shkatërronte Ukrainën duke favorizuar sasinë mbi cilësinë në fushën e betejës.

“Ndihma nuk do të ndryshojë avantazhet ruse këtë vit, por do të lejojë forcat ukrainase të mbrojnë pozicionet e tyre me zjarr kundër artilerisë dhe mund të përdoren për të ngadalësuar ose ndaluar përparimin rus”, thekson Dara Massicot, një bashkëpunëtore e lartë në Carnegie Endowment for International Peace që merret me çështjet ushtarake ruse.

E nxitur nga një rekord prej 118.5 miliardë dollarësh në shpenzimet e mbrojtjes këtë vit - gjashtë për qind të prodhimit të brendshëm bruto, industria ruse e armëve ka rritur prodhimin disa herë, me fabrikat që shkojnë nga 0 në 24, thanë zyrtarët.

Sergey Chemezov, kreu i Rostec, kompania shtetërore e mbrojtjes, tha në nëntor se Rusia po prodhonte 2.5 herë më shumë artileri dhe sisteme të shumta lëshimi se më parë, dhe prodhimi i disa llojeve të municioneve ishte rritur me më shumë se 60 herë. Por këto shifra maskojnë paaftësinë e Moskës për ta përkthyer atë fuqi në përparim domethënës në fushën e betejës, qësipas ekspertëve, arrihet vetëm me armë më të avancuara.

Mobilizimi

Në të njëjtën kohë, ndihma e SHBA-së nuk trajton atë që zyrtarët ukrainas dhe perëndimorë thonë se është problemi më i dukshëm i Kievit, paaftësia e tij për të përballuar fuqinë punëtore masive që Rusia ka dërguar në fushën e betejës.

Christopher Cavoli, komandanti suprem i NATO-s i forcave aleate në Evropë, u tha ligjvënësve në një seancë dëgjimore të Komitetit të Shërbimeve të Armatosura të Senatit më herët në prill se Rusia po rekrutonte 30,000 trupa në muaj, duke rritur trupat e saj të vijës së parë nga 360,000 një vit më parë në 470,000.

Për të rekrutuar këto forca, ushtria po ofron stimuj financiarë, duke përfshirë paga pesëfishin e pagës mesatare në disa nga rajonet më të varfra të Rusisë dhe shpërblime që variojnë nga 3,000 deri në pak më shumë se 10,000 euro, sipas një raporti nga shërbimi i inteligjencës së jashtme të Estonisë. Ofensivat e reja, megjithatë, do të kërkonin që Putini të shpallte një raund tjetër mobilizimi.

Lufta në Ukrainë, 450 mijë ushtarë rusë janë vrarë në dy vite

Që nga fillimi i luftës në shkurt 2022, Rusia ka humbur 450,000 ushtarë dhe 3,000 tanke.

Goditja ndaj Vladimir Putinit është poshtëruese pasi Moska ka humbur mesatarisht 560 ushtarë në ditë që kur i forti i Kremlinit dha miratimin për të filluar luftën në Ukrainë dy vjet më parë.

Gjithsej 100,000 rusë kanë humbur jetën, më shumë se ata që ishin llogaritur shkurtin e kaluar nga shërbimet sekrete britanike. Në dy muajt e fundit, në frontin e luftës, 1300 ushtarë rusë humbin jetën në ditë.

Nga ana tjetër, sekretari britanik i mbrojtjes, Leo Doherty, vlerëson se Moska ka humbur pothuajse 3000 tanke që nga fillimi i luftës në Ukrainë.

Në vitin 2023 ky numër nuk i kalonte dy mijë.

Rusia humbet kontrollin e ishullit kyç

Ukraina njoftoi të dielën se kishte rimarrë kontrollin e ishullit taktikisht të rëndësishëm Nestryha nga forcat ruse. Sipas Newsweek, ka qenë kapiteni Dmytro Pletenchuk, zëdhënës i Komandës Operative Jugore të Forcave të Armatosura të Ukrainës, që i tha transmetuesit ukrainas Hromadske Radio se kontrolli i ishullit të lumit Dnieper në rajonin Kherson do të rrisë ndjeshëm masat kundër “sabotazhit” të Kievit.

Pasi presidenti rus Vladimir Putin filloi pushtimin e tij në Ukrainë në shkurt të vitit 2022, forcat e tij pushtuan shpejt pjesë të mëdha të Khersonit. Megjithatë, Ukraina ndërmori një kundërofensivë në rajon më vonë atë vit që pa ushtrinë e saj të çliruar Kherson verior në bregun e djathtë të Dnieper.

Që nga ajo kohë, forcat ukrainase kanë nisur operacione të rregullta përtej lumit, duke përfshirë vendosjen e urave të shumta në bregun lindor të Dnieper në vjeshtën e vitit 2023.

Pletenchuk i tha Hromadske Radio se ishulli Nestryha, i cili është rreth 20 kilometra në jugperëndim të qytetit të Kherson, ka “rëndësi taktike”. Ai shtoi se “çdo lokacion që pengon armikun t’i afrohet pozicioneve tona është i rëndësishëm”.

“… Pra, po, ky lokacion u çlirua nga prania e mundshme e armikut”.

Ndërkohë thekson Newsweek, duke përshkruar rëndësinë strategjike të ishullit, Kyiv Post tha se Nestryha “është kyç për operacionet e ardhshme tokësore të Ukrainës për të çliruar Krimenë e pushtuar”.

“Meqenëse trupat ukrainase dhe ruse janë mbështetur në anije për furnizime në zonë, gjeografia lokale u ka ofruar të dyja palëve një numër të kufizuar rrugësh në dispozicion – kapja e ishullit do t’i jepte Ukrainës një mbulim më të mirë të zonës dhe do të kufizonte numrin e rrugëve të disponueshme për trupat e Moskës”, tha Post.

Gazeta shtoi se ishulli “do t’i ofronte gjithashtu Ukrainës më shumë opsione furnizimi”.

Ukraina: Rusët po sulmojnë intensivisht Bakhmut dhe Avdeyevo

Forcat ruse në 24 orët e fundit kanë sulmuar intensivisht në drejtim të Bakhmut dhe Avdeyevo, njoftoi Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës.

Sipas Shtabit të Përgjithshëm të Ukrainës, 33 sulme ruse u zmbrapsën në drejtimin Bakhmut dhe 24 në drejtimin Avdeyevsky.

Sipas informacioneve, më shumë se 110 vendbanime në rajonet:

Chernihiv, Sumy, Kharkiv, Luhansk, Donetsk, Zaporizhia, Dnipropetrovsk, Kherson dhe Nikolaev u sulmuan nga forcat ruse.

Pesë persona të vrarë nga sulmi rus në Odesa

Pesë persona janë vrarë dhe 32 të tjerë janë plagosur nga një sulm me raketa ruse në qytetin port të Odesës në Detin e Zi, tha guvernatori rajonal më 29 prill, disa orë pasi presidenti Volodymyr Zelensky bëri thirrje për dërgesa më të shpejta të armëve të nevojshme për trupat ukrainase.

Sulmi i cili ndodhi në mbrëmje vrau tri gra dhe një burrë, tha guvernatori Oleh Kiper në Telegram. Ai raportoi më vonë se një burrë tjetër vdiq nga një goditje që pësoi si pasojë e sulmit.

Nga 32 personat e lënduar, 25 janë në spital, tha ai. Mes tyre janë dy fëmijë, njëri 16 dhe tjetri 5 vjeç, si dhe dhe një grua shtatzënë.

Fëmija 5-vjeçar është në gjendje jashtëzakonisht të rëndë, tha ai, duke shtuar se gjashtë nga të rriturit janë në gjendje të rëndë.

Zelensky i bëri komentet e tij më herët në Kiev në një konferencë të përbashkët me shefin e NATO-s, Jens Stoltenberg.

Ai tha se sasi të vogla armësh dhe municionesh kishin filluar të mbërrinin në Ukrainë, por kërkoi që dërgesat të bëhen më shpejt në mënyrë që të jenë të dobishme.

"Mbështetje në kohë për ushtrinë tonë. Sot nuk shoh ende asgjë pozitive në këtë pikë. Ka furnizime, kanë filluar dalëngadalë, por ky proces duhet të përshpejtohet", tha ai.

Një fluks armësh pritet pasi presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden nënshkroi një paketë me ndihmë ushtarake prej 61 miliardë dollarësh të vonuar javën e kaluar.

Biden tha se paketa do të përfshijë municione të mbrojtjes ajrore për të ndihmuar Ukrainën të mbrojë qytetet dhe infrastrukturën e saj, predha artilerie dhe sisteme raketore me rreze të gjatë.

Stoltenberg, duke vizituar kryeqytetin ukrainas për herë të tretë që kur Rusia nisi pushtimin e saj në shkallë të plotë në shkurt t vitit 2022, pranoi se "vonesa serioze në mbështetje kanë sjellë pasoja serioze në fushën e betejës".

“Për muaj të tërë, SHBA-ja nuk ishte në gjendje të binte dakord për një paketë dhe aleatët evropianë nuk ishin në gjendje të dërgonin municione në shkallën që ne premtuam”, tha ai.

Komandanti i lartë ushtarak i Ukrainës, gjeneral koloneli Oleksandr Syrskiy, paralajmëroi më 28 prill se situata në lindje ishte përkeqësuar, me Rusinë që sulmonte "përgjatë gjithë vijës së frontit".

"Armiku i dislokuar deri në katër brigada në këto drejtime, po përpiqet të zhvillojë një ofensivë në perëndim të Avdiyivka dhe Maryinka, duke bërë rrugën e tij drejt Pokrovsk dhe Kurakhove," tha Syrskiy, duke shtuar se përfitimet ruse ishin të një rëndësie të kufizuar.

“Në përgjithësi, armiku ka arritur suksese të caktuara taktike në këto drejtime, por nuk ka mundur të fitojë përparësi operacionale”, shtoi ai./REL

“Rusia ka avancuar në Lindje”, Stoltenberg: Vendet e NATO-s nuk kanë bërë sa duhet

“NATO nuk i ka mbajtur premtimet e saj në lidhje me Ukrainën”. Kështu u shpreh Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës Veri-Atlantike, Jens Stoltenberg.

Gjatë një vizite të paparalajmëruar në Kiev, shefi i NATO-s kritikoi vendet perëndimore për vonesat në armatime dhe pamundësi të ushtrisë ukrainase për të rrëzuar dronët rus.

“Do të jem shumë i sinqertë me Presidentin Zelenskyy. Aleatët e NATO-s nuk e kanë përmbushur atë që kemi premtuar gjatë muajve të fundit. Ukraina është pushtuar prej muajsh, e detyruar të racionojë municionin e saj.

Kjo do të thotë se më pak raketa dhe dronë rusë janë rrëzuar dhe Rusia ka qenë në gjendje të ecë përpara përgjatë vijës së frontit. Por nuk është tepër vonë që Ukraina të mbizotërojë”, theksoi ai.

Kërcënimi rus/ Presidenti polak: Asnjë vendim ende për të pritur armë bërthamore

Asnjë vendim nuk është marrë ende për të pritur armë bërthamore në tokën e Polonisë, tha presidenti i vendit të dielën.

Andrzej Duda tha se “Unë nuk di asgjë për vendime të tilla, kështu që duke folur me përgjegjësi po them se nuk ka vendime të tilla në vend, por ne po deklarojmë gatishmërinë tonë. Për shkak se ne mund të shohim se Rusia është përsëri e rrezikshme, se Rusia po vendos armët e saj bërthamore drejt perëndimit.”

Në këtë sfond, siguria e NATO-s duhet të konsolidohet duke lëvizur instalimet e rëndësishme të mbrojtjes tek anëtarët e Evropës Lindore të aleancës.

Megjithatë, Duda vuri në dukje se vendimi përfundimtar për këtë çështje do të merret bashkërisht nga aleatët e NATO-s, gjë që nuk është rasti për momentin. “Nuk ka vendime në këtë drejtim. Unë dua të mohoj të gjitha pretendimet se janë marrë disa vendime për këtë. Unë nuk kam marrë pjesë në marrjen e ndonjë vendimi”, tha ai.

Javën e kaluar, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse Maria Zakharova tha se nëse SHBA vendos të vendosë armë bërthamore në Poloni, Moska do t’i konsiderojë ato “objektiva legjitime” në rast të një konfrontimi të drejtpërdrejtë me NATO-n.

Të burgosurit ukrainas rrëfejnë përjetimet si robër lufte në Rusi

Një ushtar ukrainas ka duruar nëntë muaj tortura fizike e psikologjike si rob lufte në Rusi, por atij iu dha vetëm tre muaj pushim për rehabilitim përpara se të urdhërohej të kthehej në njësinë e tij.

Ushtari i cili e identifikoi veten si Smiley, u kthye në detyrë me dëshirë. Por, vetëm kur Smiley iu nënshtrua stërvitjeve intensive luftarake, thellësia e lëndimeve të tij si psikologjike ashtu edhe fizike, filluan të shfaqen. “Fillova të kem makth”, tha ushtari i cili u diagnostifikua me çrregullim të stresit post-traumatik.

Pra, Ukraina sapo ka filluar të kuptojë efektet e traumave që kanë përjetuar të burgosurit e saj të luftës në Rusi. Bëhet e ditur se gati 3 mijë të burgosur ukrainas janë liruar nga Rusia gjatë shkëmbimeve të të burgosurve që nga fillimi i luftës në vitin 2022.

Më shumë se 10 mijë të tjerë ende mbeten në paraburgim, shumë prej të cilëve durojnë kushte që Kombet e Bashkuara i përshkruajnë si të tmerrshme.

Sipas kritikëve, programi për rehabilitim i qeverisë ukrainase i cili përfshin katër muaj pushim është i pamjaftueshëm. Kjo pasi traumat e të të burgosurve po rriten me kohën, ndërsa lufta zvarritet, shkruan yahoonews.

E torturat ruse ndaj të burgosurve ukrainas janë dokumentuar mirë edhe nga Kombet e Bashkuara, me ish të burgosur që flasin për rrahjet e pamëshirshme, goditjet elektrike, përdhunimet, dhunën seksuale dhe ekzekutimet e ndryshme.

Shumë të arrestuar kanë raportuar edhe për simptoma si alivanosja shkaku i goditjeve në kokë.

Prokurori i Përgjithshëm i Ukrainës, Andriy Kostin, tha se rreth 90 për qind e të burgosurve ukrainas i janë nënshtruar torturës, përdhunimit, kërcënimeve për dhunë seksuale ose forma të tjera keqtrajtimi.

Mirëpo, ushtria ruse nuk i është përgjigjur kërkesës për koment mbi akuzat për keqtrajtim të të burgosurve të luftës. Edhe pse shumica e të burgosurve janë rikthyer në detyrë, një ligj i miratuar së fundmi do t’ua mundësojë atyre të zgjedhin nëse dëshirojnë të kthehen në shërbim ose të lirohen nga detyra.

Gjithashtu, Ukraina tani ka krijuar qendra speciale për trajtimin e ish të burgosurve dhe ka identifikuar rreth 3 mijë viktima të dhunës që mund të shërbejnë si dëshmitarë në gjyq ku pritet të akuzohen individë e zyrtarë rusë për keqtrajtim.

Smiley ishte vetëm 22 vjeç kur u kap nga rusët.

“Motra më bindi të jepja intervistën time të parë. Duhet të tregosh tha ajo. Ndoshta nëse flasim, ndihmojmë në trajtimin e djemve tanë”, tha Smiley. Një tjetër ushtar 36 vjeçar dha intervistë të gjatë për prokurorët ukrainas, por nuk pranoi të jepte emrin. Ai ishte zënë rob me mijëra ushtarë të tjerë në Mariupol dhe ka kaluar nëntë muaj në robërinë ruse.

Kur u kthye, ai vuante nga një dëmtim në shtyllën kurrizore, dhe si shumë të tjerë nga marramendja dhe zhurmat.

“Nuk do alivanosem, por kam vështirësi me shpinën, tronditjet dhe një shtrëngim në zemrën time”, tha ushtari.

Të burgosurit thuhet se u janë nënshtruar rrahjeve brutale të përditshme dhe torturave të ndryshme mendore e fizike gjatë marrjes në pyetje.

“Ata fillojnë me dhunë maksimale. Të thonë se ti po gënjen, nuk po na thua gjithçka. Të vendosin thikën në vesh ose ta presin gishtin”, tregoi ushtari.

Smiley tha se natyra e dhunës së rusëve ushtruar ukrainasve ishte kryesisht seksuale. Siç thekson ukrainasi, njësitë e burgut i godisnin të burgosurit në të gjithë trupin e tyre, duke përfshirë edhe organet gjenitale.

Një tjetër ushtar tha se ai u detyrua të zhvishej dhe t’i duronte goditjet në organin e tij gjenital. Madje, në rrëfimin e tij ai thotë se është kërcënuar edhe me përdhunim.

“Unë mendoj se ata dëshironin të na thenin psikologjikisht e fizikisht në mënyrë që ne të mos dëshironim asgjë tjetër në jetë”, tha ushtari duke treguar se në burg ka pasur edhe ushtarë që e kanë vrarë veten.

Por, me sa duket sprovat për ish të burgosurit nuk përfundojnë edhe pasi të kthehen në shtëpi.

“Gjëja më e vështirë është të kesh shumë njerëz përreth. Të gjithë po ecin rrugës së tyre e ju keni frikë”.

Një nga të burgosurit është edhe Valeria Subotina, oficere dhe ish-gazetare, e cila u kap rob në Azovstal dhe kaloi një vit në burgjet e grave në Rusi.

“Njerëzit ende nuk e kuptojnë se kanë nevojë për kujdes”, tha Subotina.

Ajo u kthye në shërbim tre muaj pas lirimit në prill të vitit 2023, por ka treguar se e ka të vështirë jetën pas lirimit.

“Nuk mund të duroj që dikush të më afrohet nga pas apo të qëndroj pas meje”, shtoi oficerja.

E si rezultat i kësaj, shumë të burgosur më të lehtë e kanë kthimin në vijën e parë të frontit sesa zhvillimin e një jete si civil.

“Ne nuk duam të ndjejmë keqardhje. Ne jemi krenarë që mbijetuam dhe e tejkaluam këtë”, tha Subotina.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat