Pesë persona të vrarë nga sulmi rus në Odesa

Evropë

Pesë persona të vrarë nga sulmi rus në Odesa

Më: 30 prill 2024 Në ora: 08:51
Një ndërtesë e Akademisë së Drejtësisë në Odessa është djegur pas një sulmi me raketa ruse në Odesa. Ukrainë, 29 prill 2024.

Pesë persona janë vrarë dhe 32 të tjerë janë plagosur nga një sulm me raketa ruse në qytetin port të Odesës në Detin e Zi, tha guvernatori rajonal më 29 prill, disa orë pasi presidenti Volodymyr Zelensky bëri thirrje për dërgesa më të shpejta të armëve të nevojshme për trupat ukrainase.

Sulmi i cili ndodhi në mbrëmje vrau tri gra dhe një burrë, tha guvernatori Oleh Kiper në Telegram. Ai raportoi më vonë se një burrë tjetër vdiq nga një goditje që pësoi si pasojë e sulmit.

Nga 32 personat e lënduar, 25 janë në spital, tha ai. Mes tyre janë dy fëmijë, njëri 16 dhe tjetri 5 vjeç, si dhe dhe një grua shtatzënë.

Fëmija 5-vjeçar është në gjendje jashtëzakonisht të rëndë, tha ai, duke shtuar se gjashtë nga të rriturit janë në gjendje të rëndë.

Zelensky i bëri komentet e tij më herët në Kiev në një konferencë të përbashkët me shefin e NATO-s, Jens Stoltenberg.

Ai tha se sasi të vogla armësh dhe municionesh kishin filluar të mbërrinin në Ukrainë, por kërkoi që dërgesat të bëhen më shpejt në mënyrë që të jenë të dobishme.

"Mbështetje në kohë për ushtrinë tonë. Sot nuk shoh ende asgjë pozitive në këtë pikë. Ka furnizime, kanë filluar dalëngadalë, por ky proces duhet të përshpejtohet", tha ai.

Një fluks armësh pritet pasi presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden nënshkroi një paketë me ndihmë ushtarake prej 61 miliardë dollarësh të vonuar javën e kaluar.

Biden tha se paketa do të përfshijë municione të mbrojtjes ajrore për të ndihmuar Ukrainën të mbrojë qytetet dhe infrastrukturën e saj, predha artilerie dhe sisteme raketore me rreze të gjatë.

Stoltenberg, duke vizituar kryeqytetin ukrainas për herë të tretë që kur Rusia nisi pushtimin e saj në shkallë të plotë në shkurt t vitit 2022, pranoi se "vonesa serioze në mbështetje kanë sjellë pasoja serioze në fushën e betejës".

“Për muaj të tërë, SHBA-ja nuk ishte në gjendje të binte dakord për një paketë dhe aleatët evropianë nuk ishin në gjendje të dërgonin municione në shkallën që ne premtuam”, tha ai.

Komandanti i lartë ushtarak i Ukrainës, gjeneral koloneli Oleksandr Syrskiy, paralajmëroi më 28 prill se situata në lindje ishte përkeqësuar, me Rusinë që sulmonte "përgjatë gjithë vijës së frontit".

"Armiku i dislokuar deri në katër brigada në këto drejtime, po përpiqet të zhvillojë një ofensivë në perëndim të Avdiyivka dhe Maryinka, duke bërë rrugën e tij drejt Pokrovsk dhe Kurakhove," tha Syrskiy, duke shtuar se përfitimet ruse ishin të një rëndësie të kufizuar.

“Në përgjithësi, armiku ka arritur suksese të caktuara taktike në këto drejtime, por nuk ka mundur të fitojë përparësi operacionale”, shtoi ai./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat