Borrell: Ballkani Perëndimor ka një mundësi historike për ta lidhur të ardhmen me BE-në

Evropë

Borrell: Ballkani Perëndimor ka një mundësi historike për ta lidhur të ardhmen me BE-në

Më: 1 maj 2024 Në ora: 12:24
Josep Borrell

Kryediplomati evropian, Josep Borrell ka deklaruar se Ballkani Perëndimor, Turqia, Ukraina, Moldavia dhe Gjeorgjia kanë një dritare historike mundësish për të lidhur fuqimisht të ardhmen e tyre me Bashkimin Evropian.

Këto komente ai i bëri në 20 vjetorin e asaj që njihet si zgjerimi më i madh i BE-së ku 10 shtete iu bashkuan menjëherë bllokut.

“Njëzet vjet më parë, familja evropiane përqafoi dhjetë shtete të reja anëtare, një hap i guximshëm që ribashkoi më tej Evropën, pas dekadash ndarjesh pas Luftës së Dytë Botërore. Ishte vala më e madhe e zgjerimit të BE-së. Ishte një ribashkim i një kontinenti që përpiqej për lirinë e të gjithë njerëzve, paqen, stabilitetin dhe prosperitetin”.

“Megjithatë, puna jonë për ribashkimin e kontinentit nuk është e plotë. Ne e dinim atë përpara vitit 2022 dhe e dimë edhe më shumë sot, me luftën e agresionit të Rusisë kundër Ukrainës. Vitet e kaluara miliona evropianë treguan vullnetin dhe shpresën e tyre për t’iu bashkuar projektit të BE-së”.

“BE-ja dhe kandidatët bashkëpunojnë për sigurinë dhe mbrojtjen, në mënyrë që të përballemi së bashku dhe më mirë me sfidat e shumta gjeopolitike. Nga shtetet e ardhshme anëtare kërkohet të forcojnë institucionet e tyre demokratike dhe të mbështesin të drejtat e njeriut dhe liritë themelore”, thuhet në deklaratën e tij për këtë përvjetor.

Borrell mes tjerash theksoi se BE po punon gjithashtu për të reformuar veten, duke u përgatitur sot për Bashkimin e së nesërmes.

“Ne aspirojmë jo vetëm për një bashkim më të madh, por një më të fortë, të aftë për të mbështetur dhe projektuar vlerat tona të përbashkëta në mbarë botën.Vendet kandidate dhe BE-ja kanë mundësinë historike për të ndërtuar një Bashkim Evropian më të madh, më të thellë dhe më të forte”, deklaroi ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat