Kremlini i quan “përshkallëzuese” komentet e Cameronit për armët britanike në Ukrainë

Evropë

Kremlini i quan “përshkallëzuese” komentet e Cameronit për armët britanike në Ukrainë

Më: 3 maj 2024 Në ora: 19:09
Sekretari i Jashtëm i Britanisë së Madhe, David Cameron, ec pranë automjeteve të shkatërruara ushtarake të Rusisë, të shfaqura në sheshin Saint Michael, në Kiev, Ukrainë, 2 maj 2024.

Kremlini i ka quajtur përshkallëzim i rrezikshëm dhe i drejtpërdrejtë komentet e sekretarit të Jashtëm britanik, David Cameron, se Ukraina mund t’i përdorë armët britanike kundër caqeve brenda Rusisë, nëse dëshiron.

Të enjten, Cameron i premtoi Ukrainës 3.74 miliardë dollarë ndihmë vjetore ushtarake “sa të jetë e nevojshme”.

Gjatë një vizite në Kiev të enjten, ai theksoi po ashtu se Britania nuk është kundër që Ukraina t’i përdorë armët që ia dërgon Britania për sulme brenda Rusisë.

“Ukraina e gëzon atë të drejtë. Sikurse Rusia që po sulmon brenda Ukrainës, mund ta kuptoni lehtë pse Ukraina e ndien nevojën për t’u siguruar se po e mbron veten”, tha Cameron.

Në javët e fundit, Rusia e ka bombarduar pareshtur me dronë dhe raketa infrastrukturën energjetike të Ukrainës.

Komentet e Cameronit e bëjnë Britaninë të mbajë qëndrim më luftarak karshi Rusisë – së paku publikisht – sesa SHBA-ja, e cila thekson se armët me të cilat e furnizon Ukrainën duhet të përdoren vetëm brenda kufijve të Ukrainës të njohur ndërkombëtarisht, dhe jo kundër caqeve brenda territorit të Rusisë.

Ukraina thotë se i përdor dronët e vet dhe armë të tjera për të kryer sulme kundër caqeve brenda Rusisë, si për shembull, kundër rafinerive të naftës apo infrastrukturës hekurudhore.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, i përshkroi komentet e Cameronit si të rrezikshme.

“Ky është përshkallëzim i drejtpërdrejtë i tensioneve në lidhje me konfliktin ukrainas, i cili ka mundësi të përbëjë rrezik për sigurinë evropiane, për tërë sigurinë evropiane”, tha Peskov.

“Këtu e shohim ne një trend të rrezikshëm të përshkallëzimit të tensioneve në deklarata publike”, shtoi ai.

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova, tha se kjo është “hera e parë që një politikan perëndimor ka pranuar kaq haptazi një fshehtësi të njohur për kohë të gjatë për shumicën e vendeve të botës: Se Perëndimi po kryen luftë të fshehtë kundër Rusisë përmes ukrainasve”.

Rusia do të përgjigjet nëse Ukraina kryen sulme kundër territorit rus me armë britanike, shtoi ajo.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat