LIVE: Rusia do të sulmojë NATO-n? Ja çfarë fshihet pas mesazheve të Putinit – kjo është lëvizja e fundit e Ukrainës!

Evropë

LIVE: Rusia do të sulmojë NATO-n? Ja çfarë fshihet pas mesazheve të Putinit – kjo është lëvizja e fundit e Ukrainës!

Nga: Bota sot Më: 10 maj 2024 Në ora: 06:49 Përditësuar në ora: 19:35 më 10.05.2024
Pamje nga lufta në Ukrainë

Rusia do të sulmojë NATO-n? Analistët europianë “zbërthejnë” mesazhet e Putin

Ekspertët më të lartë ushtarakë dhe të mbrojtjes europiane u mblodhën këtë javë për të diskutuar mundësinë e sulmit të NATO-s nga presidenti rus Vladimir Putin.

“Vendimi është marrë tashmë,” është titulli i gazetës gjermane Bild duke cituar ekspertë të paidentifikuar ushtarakë dhe të mbrojtjes europiane, duke ia bërë të qartë komunitetit ndërkombëtar se Putin do të sulmojë një vend të NATO-s.

“Tashmë është vendosur që Balltiku (përfshin tre vendet europiane Estoninë, Letoninë, Lituaninë) do të sulmohet sapo Ukraina të mposhtet,” tha historiani ushtarak Philip Petersen.

Në të njëjtën kohë, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Estonisë Martin Herem beson se Rusia mund të përdorë armë konvencionale për të sulmuar NATO-n.

“Ne duhet të jemi në gjendje të shkatërrojmë armikun. Nuk ka kuptim të përpiqesh ta trembësh apo ta bindësh të mos sulmojë. Rusia ka armë, municione dhe ushtarë për të sulmuar NATO-n. Edhe pas dy vitesh luftë në Ukrainë”, shtoi Martin Herem.

Gjeneral Marek Tomaszczyk, komandant i Shërbimit të Forcave të Armatosura të Polonisë, deklaron se Ukraina aktualisht është “një terren testimi për armët ruse dhe taktikat e luftës”.

Pas përfundimit të armiqësive midis Moskës dhe Kievit, mund të shpërthejë një “luftë midis Rusisë dhe Bjellorusisë nga njëra anë dhe Polonisë dhe partnerëve të saj nga ana tjetër”, nënvizoi ai.

“Nëse Putin sulmon krahun lindor të NATO-s, rusët do të pësojnë shumë viktima, do të derdhet shumë gjak,” thotë Justin Bronk, një studiues i lartë në Institutin Mbretëror të Shërbimeve të Bashkuara, me seli në Mbretërinë e Bashkuar.

Në Ukrainë, 450,000 burra janë vrarë ose plagosur tashmë, dhe qeveria vazhdon të luftojë. Në të kundërt, një luftë ruse në Baltik do të përfshinte sulme masive ajrore me urdhërin e Kremlinit që trupat e tij të tërhiqeshin pas disa orësh ose ditësh. Mjetet më të mira në dispozicion për të mbrojtur NATO-n kundër Rusisë janë avionët luftarakë modernë si F-35, raketat e lundrimit si Taurus, Tomahaëk dhe Storm Shadoë.

Megjithatë, Evropa nuk është e përgatitur për një sulm të tillë.

Aktualisht, vetëm SHBA-të kanë mjete të përshtatshme për të kundërsulmuar Rusinë.

“Tri vendet baltike, të cilat teorikisht mund të përgatiten për këtë brenda dy deri në tre vjet, nuk po bëjnë asnjë përpjekje deri më tani për të fituar një epërsi të madhe ajrore,” paralajmëron britaniku Justin Bronk, një pozicion me të cilin kreu i forcave të armatosura të Estonisë, Martin Herem, gjithashtu rreshton.

“Ne nuk jemi të përgatitur për luftë me Rusinë. As Estonia, as NATO”, siç paralajmëron ai.

Putin riemëron Mishustinin në postin e kryeministrit

Ligjvënësit rusë në Dumën shtetërore – Dhomën e Ulët të Parlamentit rus – kanë miratuar nominimin e Mikhail Mishustin në postin e kryeministrit.

Presidenti rus, Vladimir Putin, propozoi riemërimin e Mishustinit të premten. Mishustin, një teknokrat ka ndihmuar presidentin rus përgjatë luftës në Ukrainë dhe sfidave me të cilat është përballur ekonomia ruse për shkak të sanksioneve të vendosura nga Perëndimi për shkak të luftës ndaj Kievit.

Në Parlamentin rus nuk ka pothuajse fare kundërshti, teksa ky institucion mbështet Putinin në të gjitha vendimet, përfshirë edhe atë të shkurtit të vitit 2022 për të pushtuar Ukrainën fqinje.

Deputetët nga partia opozitare, Partia Komuniste, abstenuan gjatë votimit për emërimin e Mishustinit në postin e kryeministrit.

Siç kërkohet me ligj, Qeveria dha dorëheqje para se Putini – që udhëheq me Rusinë për pothuajse një çerek shekulli – bëri betimin të martën për mandatin e ri gjashtëvjeçar në postin e presidentit, pas rizgjedhjes së tij në votimet e marsit.

Nuk ka sinjale që Putin planifikon të riformatojë Qeverinë, në të cilën përfshihen Sergei Shoigu, që udhëheq dikasterin e mbrojtjes që nga viti 2012 dhe ministri i Jashtëm, Sergei Lavrov, që udhëheqë diplomacinë ruse që dy dekada.

Mishustin pritet t’ia paraqesë përbërjen e kabinetit të tij Putinit dhe Parlamentit. Pritet që më 13 maj të votohet për zëvendëskryeministrat, ndërkaq për ministrat një ditë më pas.

Sipas analistëve, mosndryshimi i përbërjes së Qeverisë do të dërgojë mesazhin e stabilitetit dhe mesazhin që Putin është i kënaqur me punën e ekipit të tij./rel

Ukraina thotë se zmbrapsi përpjekjen e Rusisë për përparim në Harkiv

Trupat ruse kanë tentuar të hapin një front të ri duke thyer vijat ukrainase të frontit në rajonin e Harkivit, një veprim që Kievi tha se e ka zmbrapsur, pavarësisht se luftimet po vazhdojnë.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, gjatë një konference për media tha se sulmi rus mëngjesin e 10 majit dështoi që të zinte në befasi trupat ukrainase.

“Ukraina i priti me trupa: brigada dhe artileri”, tha Zelenksy, duke paralajmëruar se Moska mund të dërgojë më shumë trupa për të mbështetur përpjekjet e saj për të bërë përparim.

Sipas burimeve, Rusia po synon që të krijojë një “zonë neutrale” për të parandaluar forcat ukrainase që të granatojnë territorin rus.

Rajoni verilindor ukrainas i Harkivit gjendet në kufi me Rusinë, dhe në periferi gjendet dhe kryeqyteti rajonal me po të njëjtin emër. Ky qytet ndodhet 25 kilometra nga vijat e frontit.

Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës raportoi se trupat ruse kanë sulmuar për orë të tëra, pasi paraprakisht kishin kryer sulme me artileri.

“Pasi ra terri, pushtuesit rusë intensifikuan presionin ndaj vijave tona të frontit. Rreth orës 05:00, armiku tentoi të thyente vijat tona të mbrojtjes”, tha Ministria.

Njësitë e rezervistëve janë dislokuar për të forcuar vijat e mbrojtjes dhe forcat ukrainase po vazhdojnë t’i bëjnë ballë ofensivës së armikut, tha Ministria, duke shtuar se luftimet ende po vazhdojnë.

Më herët, Oleh Synyehubov, guvernator i rajonit të Harkivit raportoi se qytet Vovçansk, që gjendet 70 kilometra në verilindje të Harkivit dhe vetëm 4 kilometra nga kufiri rus, ishte nën sulm nga granatimet ruse.

Me një popullsi prej 1.4 milion banorësh – sipas të dhënave të popullsisë para se të niste lufta – Harkivi është qyteti i dytë më i madh i Ukrainës dhe një prej qyteteve në të rëndësishme ekonomike dhe industriale. Ai ishte ndër qytetet e para që u përball me sulmet ruse, pasi Moska nisi pushtimin e Ukrainës në shkurt të vitit 2022.

Kundërofensiva e suksesshme ukrainase në shtatorin e vitit 2022 çoi në çlirimin e pothuajse të gjithë rajonit të Harkivit.

Por, muajve të fundit, Rusia ka intensifikuar sulmet me dronë dhe raketa në këtë rajon dhe kryeqytetin e tij, përderisa forcat ukrainase po përballen me mungesë të municioneve dhe sistemeve të mbrojtjes ajrore./REL

Avancon ushtria e Zelenskyt: Dronët ukrainas mbërrijnë deri në Moskë

Kryebashkiaku i Moskës ka njoftuar se një dron ukrainas ka fluturuar mbi jugun e qytetit.

Sergei Sobyanin tha se droni u rrëzua mbi distriktin Podolsk në jug të kryeqytetit dhe deri më tani nuk raportohet për dëme.

Siç raportohet, forcat ukrainase kanë lëshuar pesë dronë mbi zonën e Moskës dhe mbi rajonet Bryansk dhe Belgorod në kufi me Ukrainën, shkruan skynews.

Sipas vlerësimit të një zyrtari të NATO-s, Ukraina ka ndërprerë 15 për qind të kapacitetit të përpunimit të naftës së Rusisë, ndërsa ka shtuar sulmet me dronë përtej kufirit.

Vetëm dje, Kievi tha se një dron ka udhëtuar 1,500 kilometra në Rusi për të goditur një fabrikë të madhe të përpunimi të naftës në Bashkortostan.

Pasi që sulmet me dronë që synojnë Moskën janë më të rralla, këto të fundit thuhet të shfaqin shenja të përparimit të ushtrisë ukrainase dhe aftësisë së tyre për të goditur më thellë armikun. 

Rusia “tregon muskujt” me paradën ushtarake, NATO kundërpërgjigjet menjëherë, ideja që tmerroi Kremlinin nuk është hedhur poshtë

Presidenti rus Vladimir Putin akuzoi Perëndimin për rrezikimin e konfliktit global dje dhe tha se askush nuk do të lejohej të kërcënonte fuqinë më të madhe bërthamore në botë, duke shënuar fitoren e Bashkimit Sovjetik ndaj Gjermanisë naziste në Luftën e Dytë Botërore. Ndërsa trupat ruse përparojnë kundër forcave ukrainase të mbështetura nga perëndimi, Putin ka akuzuar elitat "arrogante" perëndimore se kanë harruar rolin vendimtar që Bashkimi Sovjetik luajti në mposhtjen e Gjermanisë naziste dhe nxitjen e konfliktit në mbarë botën. “Forcat bërthamore strategjike ruse janë gjithmonë në gatishmëri”, tha Vladimir Putin gjatë fjalimit të tij në Sheshin e Kuq me rastin e paradës ushtarake dje, më 9 maj, ditën në të cilën Rusia feston fundin e Luftës së Dytë Botërore. "Rusia do të bëjë gjithçka për të shmangur një konfrontim global. Por, në të njëjtën kohë, ne nuk do të lejojmë askënd të na kërcënojë. Forcat tona strategjike bërthamore janë gjithmonë në gatishmëri", tha kreu i Kremlinit, duke iu referuar jo drejtpërdrejt NATO-s.

Parada në Moskë

Në Sheshin e Kuq, sipas traditës, autoritetet më të larta kombëtare, të shoqëruar nga disa përfaqësues të kombeve të tjera, ndoqën paradën e njësive këmbësore të forcave të armatosura ruse dhe kalimin tranzit të automjeteve ushtarake të ushtrisë, të cilat këtë vit ishin  në numër më të vogël se në vitet e kaluara, përfshirë edhe atë pandemik. Edhe këtë vit, si ai i mëparshmi, mungesat kryesore ishin tanket : asnjë automjet i këtij lloji, përveç veteranit të zakonshëm T-34 të "Luftës së Madhe Patriotike", siç quhet Lufta e Dytë Botërore në Rusi, nuk mori pjesë në paradë.   Megjithatë, duhet marrë parasysh se nuk mungonin as "Jarët" dhe as "Iskanderët", pjesë e treshes bërthamore të Moskës, si për të nënvizuar një herë përsëri se megjithëse forcat konvencionale ruse janë inferiore ndaj forcave të kombinuara të të gjitha vendeve të NATO-s, Rusia është dhe mbetet një fuqi bërthamore, prandaj si e tillë është për t'u frikësuar dhe respektuar.

Ideja e Macron

Këto deklarata vijnë në një kohë kur brenda NATO-s është ndezur një debat i madh, i nisur fillimisht nga presidenti francez Emmanuel Macron, që deklaroi në fund të shkurtit se dërgimi i forcave ushtarake perëndimore në Ukrainë nuk mund të përjashtohej. Ai shkaktoi emocione në Kiev, panik midis aleatëve perëndimorë, kryesisht evropianë, dhe zemërim në Moskë, shpejt u bë e qartë se pavarësisht mesazhi i shumicës së aleatëve europianë, pasi një gjë e tillë nuk bëhet fjalë, ideja nuk u refuzua kategorikisht. Madje më vonë mori mbështetje edhe nga politikanë të tjerë. Ministri i Jashtëm britanik, David Cameron, i hodhi më pas benzinë ??zjarrit, duke thënë se Ukraina mund të përdorë armët britanike, dhe Britania e Madhe ka furnizuar gjithashtu raketa të fuqishme me rreze të gjatë "Storm Shadow", për sulme në territorin rus. Ndërkohë, siç zbuloi “Corriere Della Sera”, në planin e NATO-s për Ukrainën, që do të miratohet në samitin e NATO-s në 9-11 korrik në Uashington, thuhet qartë se NATO nuk do të dërgojë ushtarët për të luftuar në Ukrainë.

Plani i NATO-s

Megjithatë, pavarësisht kësaj, në Lituani, një anëtare e NATO-s që, së bashku me fqinjët e saj baltikë dhe Poloninë, ishte më e zëshmja në paralajmërimin për rrezikun që vinte nga Moska, mendojnë ndryshe. Ministri i Jashtëm i Lituanisë, Gabrielius Landsbergis , pas një takimi me homologun e tij britanik, prezantoi për “The Guardian” perspektivat e një koalicioni ad hoc të vendeve perëndimore për të dërguar personel trajnimi ushtarak në Ukrainë me mbështetjen e mbrojtjes ajrore tokësore, duke thënë se vendi i tij është pro. "Forcat tona ushtarake kanë trajnuar ukrainasit në Ukrainë përpara luftës dhe ne e kemi bërë këtë për shumë vite. Kështu që një kthim në këtë traditë mund të jetë mjaft i realizueshëm," tha Landsbergis. “Mund të jetë hapi i parë në nismën e presidentit Macron”, shtoi ai. Megjithatë, ai është i vetëdijshëm që ky mund të jetë shkak për një përshkallëzim të mundshëm të tensioneve me Rusinë, por dhe me aleaten e saj, Bjellorusinë.

Dramë e re në Kremlin, ndryshime drastike priten në qeverinë e Vladimir Putin, presidenti “heq qafe” edhe kryeministrin, ja dy “lojtarët e fortë” që po dalin në skenë

Pasi Vladimir Putin u betua për mandatin e tij të pestë presidencial, ligji rus i kërkonte atij të shpërndante qeverinë ekzistuese dhe të vendoste një të re. Megjithatë, shkalla e këtij riorganizimi mbetet e pasigurt dhe është ende e paqartë nëse presidenti rus do të zgjedhë t'i lërë gjërat kryesisht ashtu siç janë ose nëse do të shfrytëzojë mundësinë për të riorganizuar plotësisht qeverinë dhe administratën e tij. Kjo përmbysje e mundshme ka nxitur spekulime se kush mund të zëvendësohet, promovohet ose lihet “i paprekur”. Burime pranë Kremlinit dhe Kabinetit të Ministrave të Rusisë thanë për “Meduza” se kanë besim se zyrtarët më me ndikim do të mbajnë pozitat e tyre.

“Ne prisnim një rindërtim të madh pas zgjedhjeve, por deri më tani duket se nuk do të ketë asgjë nga kjo”, tha një njeri i njohur, pranë administratës së Putinit. Sipas vlerësimit të tij, kryesia e vendit aktualisht është në mëdyshje për ndonjë “ndryshim të madh”, duke qenë se është ende e paqartë se çfarë do të arrijë saktësisht ushtria ruse në frontin ushtarak. Megjithatë, misteri dhe pikëpyetjet mbeten.

Dy lojtarët e rinj

Nga fundi i vitit 2023, ka pasur diskutime serioze mes “elitave ruse” për mundësinë e largimit të kryeministrit Mihail Mishustin, thanë burimet. Këtë herë ndoshta nuk do të jetë ndryshe. Një burim i afërt me qeverinë ruse tha se konsensusi mbizotërues ishte se "Mishustin do të qëndrojë". Megjithatë, ai vuri në dukje se fati i kryeministrit varet vetëm nga Putini, i cili "shpesh merr vendime të papritura". Denis Manturov, ministri rus i industrisë dhe tregtisë, dhe Marat Khusnullin, zëvendëskryeministër i ngarkuar me projektet federale të ndërtimit, pritet të ruajnë postet e tyre. Burimet thonë se të dy zyrtarët kanë një marrëdhënie të mirë me Putinin. Megjithatë, sipas burimeve, asnjëri prej tyre aktualisht nuk pritet të ketë ndonjë post më të mirë. Kështu, në mediat e pavarura, shfaqen dy persona të shquar nga klani i Putinit, të cilët i shohin djemtë e tyre në pozicionin e Mishustinit, nëse jo tani në nxitimin e parë, pastaj në tjetrin. I pari është Nikolai Patrushev, "siloviku" kryesor i Kremlinit, "luftëtari antiamerikan" qendror i Putinit. Ai u forcua veçanërisht gjatë luftës deri në masën që disa e përmendin edhe si pasues të mundshëm të Putinit. Konkurrenti i tij më i madh në lojërat e froneve të Kremlinit është një nga miqtë më të ngushtë të Putinit, bankieri dhe manjati i medias Yuri Kovalchuk.

Ndryshimet në qeveri

Së shpejti mund të ketë vende të tjera të lira në Qeveri. Sipas një raporti të kohëve të fundit nga Vedomosti, autoritetet ruse po shqyrtojnë krijimin e një ministrie të re për të mbikëqyrur "politikën rinore dhe edukimin patriotik", ndërsa dy ministritë ekzistuese të arsimit të vendit mund të shkrihen përsëri në një organ, siç ishin para vitit 2018. Burimet e Medusa-s e vlerësuan këtë si një nga skenarët më të mundshëm për “rikonfigurimin” e strukturave arsimore të qeverisë. Natalia Agre, e cila drejton Institutin për Studimin e Fëmijërisë, Familjes dhe Arsimit dhe Zëvendës Ministri i Arsimit Aleksandar Bugaev janë ndër kandidatët e mundshëm për postin e ministrit. Sipas burimeve pranë Kremlinit dhe qeverisë ruse, si Zëvendës Shefi i Parë i Shtabit Sergei Kiriyenko dhe vëllezërit Kovalchuk (të cilët janë shumë të afërt me Putinin) po konkurrojnë për "kontrollin" jozyrtar të ministrisë së re.

Largimet e bujshme

Një burim i brendshëm i qeverisë vuri në dukje se ka gjithashtu një grup zyrtarësh qeveritarë dhe politikanësh "të cilët mezi presin të dalin në pension". Ata nuk duan të tërhiqen plotësisht, por kalojnë në pozicione më të qeta që janë më të përshtatshme për moshën ose shëndetin e tyre. Si dy shembuj, u përmendën presidentja e Këshillit të Federatës, Valentina Matviyenko , e cila aktualisht është 75 vjeç, dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Sergej Lavrov, i cili është 74 vjeç. Megjithatë, nuk është e sigurt që ai do të marrë poste të reja. Siç tha një burim i afërt me administratën e Putinit, shumë po pyesin nëse ministri i Mbrojtjes Sergei Shoigu dhe ai i Jashtëm Sergei Lavrov do të mbeten në qeveri pas inaugurimit.

Ukraina dhe Moldavia gjithnjë e më afër BE-së

Ukraina dhe Moldavia pritet t’i hapin formalisht bisedimet për anëtarësim në Bashkim Evropian (BE) në javën e fundit të qershorit.

Disa diplomatë, të cilët folën në kushte anonime për Radion Evropa e Lirë (REL), besojnë se një “konferencë ndërqeveritare ceremoniale” (IGC) do të mbahet në Bruksel me këto dy vende, tamam para se Hungaria ta marrë kryesimin gjashtëmujor të Këshillit të BE-së më 1 korrik.

Ata thanë, gjithashtu, se presin që kornizat e bisedimeve me të dyja vendet të miratohen njëkohësisht nga shtetet anëtare të BE-së.

Do t’ju falej nëse mendoni se bisedimet me Ukrainën dhe Moldavinë kanë nisur tashmë, duke e kujtuar dritën jeshile që e dhanë liderët e BE-së në dhjetor 2023 për nisjen e bisedimeve.

Lajmin e plotë lexojeni KETU

Vriten tre civilë dhe plagosën 11 të tjerë nga sulmet ruse në Ukrainë

Tre civilë janë vrarë dhe 11 të tjerë janë plagosur nga bombardimet e reja ruse në katër rajone ukrainase, njoftuan autoritetet të premten.

Në rajonin e Harkivit u vra një person, ndërsa një tjetër u plagos në Kupiansk, tha Oleh Sinehubov, guvernatori i këtij rajoni.

Sinehubov tha se 21 vendbanime në këtë rajon u sulmuan nga Rusia.

Guvernatori i Dnipropetrovskit, Serhiy Lysak, tha se dy njerëz u vranë në Nikopol dhe tetë të tjerë u plagosën. Në Donjeck, një person u plagos, tha kryetari rajonal Vadym Filashkin.

Oleksandr Prokudin, guvernatori i Hersonit, tha se një person u plagos në këtë rajon.

Më herët të premten, zyrtarët ukrainas thanë se ushtria ukrainase i shkatërroi të gjithë 10 dronët me të cilët Rusia e sulmoi gjatë natës.

Forcat Ajrore të Ukrainës thanë në një komunikatë në Telegram se Rusia i shkrepi edhe dy raketa kundërajrore.

Zëdhënësi i Forcave Ajrore të Ukrainës, Illya Yevlash, tha se Rusia me gjasë i përdori këto raketa për ta sulmuar qytetin verilindor të Ukrainës, Harkiv.

Sinehubov tha se tre shtëpi banimi u dogjën dhe dhjetëra të tjera u dëmtuan si pasojë e sulmeve ruse gjatë natës në rajonin e Harkivit

Ai shtoi se cak i sulmeve ishin infrastruktura dhe zonat e banimit.

Në fotografitë që Sinehubov i postoi në Telegram mund të shihen shtëpi banimi të përfshira nga zjarri.

Pavarësisht provave dhe dëshmive, Moska e mohon se në shënjestër të sulmeve të saj janë objektivat civile.

Rusia e ka nisur pushtimin e plotë të Ukrainës në shkurt të vitit 2022.

Perëndimi është përgjigjur duke ndërmarrë një varg sanksionesh kundër saj, ndërsa Ukrainën është duke e ndihmuar me armatim.

Zelensky fton Moldavinë, Republikën Çeke, Gana dhe Irlandën në Samitin e Paqes

Presidenti Volodymyr Zelensky ka ftuar presidentët e Moldavisë, Republikës Çeke dhe të Ganës, si dhe kryeministrin e Irlandës, të marrin pjesë në Samitin e Paqes.

Presidenti falënderoi liderët e vendeve që tashmë kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre në Samit dhe janë të gatshëm të ndihmojnë efektivisht në tërheqjen e liderëve.

“Sigurisht, ne diskutuam edhe agjendën tonë dypalëshe. Moldavia – kemi sfida të dukshme të përbashkëta dhe ndihmojmë njëri-tjetrin. Republika Çeke – Shpreha mirënjohjen time për iniciativën për artilerinë dhe më e rëndësishmja tani është zbatimi i plotë dhe i menjëhershëm i nismës. Gana – bota mbështetet në stabilitetin dhe zhvillimin e Afrikës. Kohët e fundit kemi hapur një ambasadë në Ganë dhe ky vend tani ka një ambasador të ri të akredituar në Kiev. Së bashku ne mund të shtojmë më shumë forcë në pjesët tona të botës. Irlanda – I falënderova për mbështetjen e shtetit dhe popullit tonë, i falënderova për faktin se Irlanda po përpiqet vërtet të na ndihmojë politikisht, por edhe në mbrojtjen e jetës, në çminimin e tokës sonë. Dhe kjo mbështetje do të rritet, më shumë territor i Ukrainës do të pastrohet nga minat dhe municionet ruse”, tha Zelensky.

Zelensky shtoi se Ukraina po e bën realitet Samitin e Paqes dhe qasjen ndaj paqes çdo ditë në një maratonë diplomatike.

Siç është raportuar, Samiti Global i Paqes do të mbahet më 15-16 qershor në Zvicër. Në të pritet të marrin pjesë krerë shtetesh dhe qeverish nga të gjitha kontinentet. Vendet pjesëmarrëse do të zhvillojnë një pozicion të përbashkët negociues dhe do ta paraqesin atë në Rusi.

Formula ukrainase për paqen është një mekanizëm diplomatik i propozuar nga Ukraina për të arritur një fund të drejtë të luftës së nisur nga Rusia.

Zelensky: Ukraina pret që bisedimet e anëtarësimit në BE të fillojnë në qershor

Ukraina pret miratimin e kornizës së negociatave dhe fillimin e negociatave për anëtarësimin e Ukrainës në Bashkimin Evropian në qershor, tha presidenti Volodymyr Zelensky në fjalimin e tij me video të mbrëmjes.

“Sapo kam folur me Presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen. Ne jemi duke përgatitur në mënyrë aktive fazën e ardhshme të afrimit me Bashkimin Evropian për qershorin,  presim miratimin e kornizës së negociatave dhe fillimin aktual të negociatave për pranimin e Ukrainës”, theksoi Zelensky.

Ai theksoi se Ukraina dhe ukrainasit e meritojnë këtë dhe se BE-ja gjithashtu ka nevojë për këtë hap.

“Dhe Bashkimi Evropian ka nevojë për këtë hap jo vetëm politikisht, pasi është burimi jetësor i Bashkimit Evropian që të jetë një projekt evropian që nuk lë askënd jashtë BE-së, askënd që vërtet shpall vlerat evropiane,” tha ai.

Presidentja e Parlamentit Evropian Roberta Metzola, më herët tha se Parlamenti Evropian do të mbështesë plotësisht Ukrainën në të gjitha fazat e rrugës së saj drejt anëtarësimit në BE.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat