Gjermania dënoi dhunën e kolonëve izraelitë kundër objekteve të OKB-së në Jeruzalemin Lindor dhe u kërkoi autoriteteve izraelite të marrin masat e nevojshme mbrojtëse.
Selia e agjencisë së OKB-së për refugjatët palestinezë (UNRWA) në Jeruzalemin Lindor u sulmua nga kolonët ekstremistë izraelitë të enjten në mbrëmje, ndërsa stafi i agjencive të OKB-së ndodhej në kompleks.
“Ne dënojmë përshkallëzimin e protestës së dhunshme kundër UNRWA-s në Jeruzalemin Lindor”, tha Ministria e Jashtme gjermane në një deklaratë të postuar në rrjetet sociale, duke theksuar rëndësinë e punës së UNRWA-së në ofrimin e ndihmës humanitare për palestinezët.
“Izraeli duhet të sigurojë mbrojtjen e objekteve dhe personelit të Kombeve të Bashkuara në territoret e pushtuara palestineze. OKB-ja duhet të jetë në gjendje t’i shërbejë mandatit të tyre të rëndësishëm në Gaza, Bregun Perëndimor dhe Jeruzalemin Lindor,” thuhet në deklaratë.
Të enjten në mbrëmje, kolonët ekstremistë izraelitë u përpoqën t’i vinin zjarrin selisë së UNRWA-s, burra të armatosur u panë jashtë kompleksit duke brohoritur: “Digjni Kombet e Bashkuara”.
“Ndërsa nuk pati viktima në mesin e stafit tonë, zjarri shkaktoi dëme të mëdha në zonat e jashtme”, tha UNRWA në një deklaratë.