Kryeministri suedez i hapur për pranimin e armëve bërthamore

Evropë

Kryeministri suedez i hapur për pranimin e armëve bërthamore

Më: 13 maj 2024 Në ora: 15:23
Kryeministri i Suedisë, Ulf Kristersson, gjatë një konference për media të mbajtur në Departamentin amerikan të Shtetit më 7 mars 2024.

Kryeministri i Suedisë, Ulf Kristersson, tha se është i hapur që të lejojë dislokimin e armëve bërthamore në tokën suedeze në kohë lufte, teksa kritikët i kanë bërë thirrje anëtares së re të NATO-s që të ndalojë një dislokim të tillë.

Parlamenti i Suedisë pritet që në qershor të votojë për Marrëveshjen për bashkëpunim të mbrojtjes me Shtetet e Bashkuara, që do t’i mundësojë Uashingtonit qasje në bazat ushtarake në Suedi dhe do të lejojë ruajtjen e pajisjeve ushtarake dhe armëve në shtetin skandinav.

Suedia iu bashkua aleancës ushtarake perëndimore të NATO-s në mars të këtij viti.

Në javët e fundit janë rritur thirrjet nga Shoqata suedeze për Paqe dhe Arbitrazhit dhe të tjerë, që Qeveria të përfshijë në Marrëveshjen për bashkëpunim të mbrojtjes me SHBA-në se Suedia nuk do të lejojë armë bërthamore në tokën e saj.

Qeveria suedeze vazhdimisht ka insistuar se nuk ka nevojë që ta ketë në këtë shkruar këtë ndalesë, duke u thirrur “në konsensusin e gjerë” në Suedi sa i përket armëve bërthamore, por edhe në vendimet e Parlamentit që ndalon armët bërthamore në Suedi edhe në kohë paqeje.

Por, Kristersson tha të hënën se kur bëhet fjalë për kohë lufte, është diçka tjetër.

“Lufta është një çështje krejt tjetër, do të varej krejtësisht nga çfarë do të ndodhte”, tha ai për radion publike suedeze.

“Në skenarin më të keq, shtetet demokratike në pjesën tonë të botës duhet të jenë në gjendje të mbrojnë veten kundër shteteve që na kërcënojnë ne me armë bërthamore”.

Ai insistoi se çdo vendim për dislokimin e armëve bërthamore në Suedi do të merret nga Suedia, e jo SHBA-ja.

“Suedia vendos për territorin suedez”, tha ai.

Por, ai theksoi se “i gjithë qëllimi i anëtarësimit tonë në NATO dhe i mbrojtjes sonë është që të sigurohemi që të mos kemi një situatë të tillë”.

Nëse Ukraina do të ishte anëtare e NATO-s, “nuk do të sulmohej nga Rusia”, tha ai.

Partia Social Demokrate e Suedisë, që ishte në pushtet kur Suedia aplikoi për anëtarësim në NATO në maj të vitit 2022, atëbotë deklaroi se do të punonte për të shprehur “rezervat tona kundër dislokimit të armëve bërthamore dhe bazave të përhershme në territorin suedez”.

Shtetet fqinje nordike, Danimarka dhe Norvegjia që janë anëtare të NATO-s, kanë refuzuar që të lejojnë shtetet e huaja të kenë baza të përhershme ushtarake në territoret e tyre apo të dislokojnë armë bërthamore në kohë paqeje./rel

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat