Vetëm disa orë ka zgjatur vizita zyrtare e kryeministrit grek në kryeqytetin e Turqisë dhe bisedimet me presidentin turk, në një përpjekje të emërtuar prej të dy palëve me metaforën, “ujërat e qeta”.
Kyriakos Mitsotakis është pritur në aeroport nga ministri i Jashtëm i Turqisë, dhe më pas nga Rexhep Tayyip Erdogan në Pallatin Presidencial në Ankara, në takimin e 4 të tyre brenda 12 muajve, që thuhet se ishte më i ngrohti .
Ndërsa dy fqinjët po ndjekin një program normalizimi marrëdhëniesh për të lënë pas mosmarrëveshjet e vjetra prej dekadash, takimi i shumëpritur mes dy liderëve të vendeve aleate në NATO, por rivalë historikë, i kishte të gjitha dhe ata kanë shprehur ato që i bashkojnë, por edhe ato që i ndajnë, sidomos për luftën në Gaza.
“Nëse e quani Hamasin një organizatë terroriste këtu, ne do të mërzitemi. Unë kurrë nuk e kam parë Hamasin si një organizatë terroriste dhe tani po e ndjek Hamasin hap pas hapi. Dhe në vendin tim, më shumë se 1000 anëtarë të Hamasit po trajtohet në spitalet tona”, tha Erdogan.
“Le të biem dakord që nuk pajtohemi për këtë çështje, por të biem dakord edhe për nevojën e një armëpushimi të menjëhershëm dhe mbi të gjitha për të mbrojtur civilët palestinezë që janë viktimat e kësaj lufte”, tha kryeministri grek.
Në deklaratat e përbashkëta, të dy udhëheqësit iu referuan nevojës për mirëkuptim dhe përmirësim të marrëdhënieve mes dy vendeve. Por nuk kanë munguar të ashtuquajturat “spica politike” për ndasitë e tjera mes tyre. Sa i përket kritikave të Greqisë për shndërrimin e manastirit të Chorës në xhami para disa ditësh, Erdogan ka thënë se Turqia i kushton rëndësi të madhe mbrojtjes së trashëgimisë kulturore të UNESCO-s dhe se Xhamia Kariye në formën e saj të re do të mbetet e hapur për të gjithë.
Ndërsa kur presidenti turk i është referuar pakicës myslimane në Trakë duke e quajtur pakicë turke, ka qenë kryeministri Mitsotakis që ka rikujtuar se sipas traktatit të Lozanës, ajo njihet si minoritet mysliman në Greqi.
Përveç çështjes qipriote, dy aleatët e NATO-s kanë mosmarrëveshje për pretendimet territoriale në Egje,të drejtat e shpimit për rezerva natyrore në Mesdhe,kufijtë detarë apo edhe demilitarizmin e ishujve, duke mbërritur pranë konfliktit të armatosur disa herë.
Por pas një takimi në Athinë dhjetorin e kaluar vendosën të fokusohen në fushat ku mund të gjejnë konsensus dhe si hap i parë ishin lufta kundër emigracionit të paligjshëm, lejimi i qytetarëve turq që të vizitojnë 10 ishuj grekë pa procedura të vështira vizash.
Në takimin e sotëm janë theksuar përpjekjet për të rritur në 10 mld dollarë tregtinë dypalëshe, krijimin e një komisioni të përbashkët biznesi,ndërsa është nënshkruar memorandumi i mirëkuptimit për menaxhimin e fatkeqësive.