Gjeorgji, mijëra vetë protestuan në fundjavë kundër ligjit "të stilit rus" mbi ndikimin e huaj

Evropë

Gjeorgji, mijëra vetë protestuan në fundjavë kundër ligjit "të stilit rus" mbi ndikimin e huaj

Më: 13 maj 2024 Në ora: 19:54
Protesta në Gjeorgji

Parlamenti i Gjeorgjisë miratoi mbajtjen e një votimi përfundimitar të një ligji që kritikët e shohin si kërcënim për lirinë e medias dhe aspiratat e vendit për t'u bashkuar me Bashkimin Evropian të hënën, një ditë pasi policia shpërndau protestat e fundit kundër tij.

Projektligji do t'u kërkonte mediave dhe organizatave joqeveritare dhe organizatave të tjera jofitimprurëse që të regjistrohen si organizata që "ndjekin interesat e një fuqie të huaj" nëse marrin më shumë se 20% të financimit të tyre nga jashtë.

Opozita e quan këtë projektligj si "ligji rus", sepse Moska përdor legjislacion të ngjashëm për të goditur mediat e pavarura të lajmeve, organizatat jofitimprurëse dhe aktivistët që janë kritikë ndaj Kremlinit.

Projektligji është pothuajse identik me atë për të cilin partisë qeverisëse 'Ëndrra Gjeorgjiane' iu bë presion për ta tërhequr vitin e kaluar pas protestave në rrugë. Demonstratat e tanishme kanë tronditur Gjeorgjinë për javë të tëra, gjatë të cilave demonstruesit u përleshën me policinë, që përdori gaz lotsjellës dhe ujë për të shpërndarë turmat.

Qeveria thotë se projektligji është i nevojshëm për të frenuar atë që ajo e vlerëson si ndikim të dëmshëm të huaj mbi politikën e vendit dhe për të parandaluar individë të huaj, pa treguar se për kë bëhet fjalë, që përpiqen ta destabilizojnë vendin.

Turma të mëdha marshuan nëpër sheshin e Evropës në kryeqytetin Tbilisi të shtunën. Disa demonstrues mbanin në shpatulla flamuj gjeorgjianë dhe të Bashkimit Evropian. Të dielën, protestuesit u mblodhën para parlamentit për një tubim gjatë natës dhe u përpoqën të bllokonin hyrjet në ndërtesë, ku një komision ligjvënësish pritej të diskutonte projektligjin edhe një herë të hënën.

Policia u përpoq të shpërndante demonstratën dhe deri të hënën në mëngjes, qindra demonstrues qëndruan pranë parlamentit. Ministria e Brendshme e Gjeorgjisë tha se 20 persona u arrestuan në mëngjes, duke përfshirë tre shtetas të huaj - dy amerikanë dhe një rus.

Ligjvënësve iu desh më pak se një minutë për t'i hapur dritën jeshile shqyrtimit të tretë dhe të fundit të projektligjit që pritet të mbahet të martën.

Presidentja e Gjeorgjisë Salome Zourabichvili është zotuar të përdorë veton ndaj ligjit. Partia 'Ëndrra Gjeorgjiane' megjithatë ka një shumicë të mjaftueshme për të anashkaluar veton presidenciale.

Shefi i politikës së jashtme të BE-së Josep Borrell e ka cilësuar vendimin e parlamentit si "një zhvillim shumë shqetësues" dhe paralajmëroi se "miratimi përfundimtar i këtij legjislacioni do të ndikonte negativisht në përparimin e Gjeorgjisë në rrugën e saj drejt BE-së"./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat