Kush është ministri i ri rus i Mbrojtjes?

Evropë

Kush është ministri i ri rus i Mbrojtjes?

Më: 14 maj 2024 Në ora: 09:08
Portret i Andrej Removiç Belousov, ministri i ri rus i Mbrojtjes

Në kulmin e luftës kundër Ukrainës ekonomisti Andrej Belousov emërohet ministër i Mbrojtjes. I besuari i Vladimir Putinit duhet të furnizojë ushtrinë dhe t’i japë hov ekonomisë së luftës.

Në fillim të mandatit të tij të pestë si president Vladimir Putin po e ristrukturon Rusinë edhe më fort në ekonominë e luftës. Një ekonomist pa përvojë ushtarake duhet të kontribuojë tani në këtë drejtim.

Putin e emëroi Andrej Belousovin, deri sot zëvendëskryeministër, në postin e ministrit të Mbrojtjes. Miratimi nga parlamenti konsiderohet mëse i sigurt. Ministri i deritanishëm i Mbrojtjes, Sergej Shoigu do të jetë kryetar i Këshillit Kombëtar të Sigurisë.

Belousov nuk ka kryer as shërbimin ushtarak. Megjithatë me këtë zgjedhje Putin synon të ketë pozicionim më të mirë në luftën rraskapitëse kundër Ukrainës.

"Sot në fushën e betejës fiton ai, që është i hapur për novacione", e komenton ndryshimin zëdhënësi i Kremlinit Dmitri Peskov. Edhe "ekonomia e bllokut të pushtetit" duhet të integrohet më mirë "në ekonominë e vendit".

Për këtë detyrë Belousov "është një kandidat i arsyeshëm”, i tha DW-së Nina Krushçova, politologe ruso-amerikane. Belousov është profilizuar si një teknokrat i qetë dhe profesionist.

"Nga njëra anë ai nuk refuzohet prej ekonomistëve të tregut, nga ana tjetër ai është për epërsinë e shtetit në ekonomi”, thotë ajo. Kush është pra personi që merr drejtimin e dikasterit të mbrojtjes në Rusi tani në mesin e luftës?

I besuari i Putinit

Andrej Belousov, i lindur në Moskë si biri i një ekonomisti, është 65 vjeç. Ai ka ndjekur modelin e të atit dhe ka studiuar po ashtu shkencat ekonomike. Më pas ai ka hulumtuar në fushën e parashikimeve të tregut në Akademinë ruse të Shkencave. Ai ka konsultuar qeverinë dhe ka shërbyer në vitet 2006 dhe 2008 si zëvendësministër i Ekonomisë.

Vendimtar për karrierën e tij ka qenë viti 2008, kur Putinnga posti i presidentit kaloi në atë të kryeministrit dhe e emëroi Belousovin shef të sektorit të ekonomisë. Në këtë mënyrë ai kishte kontakt direkt me Putinin. Që nga ajo kohë Belousov konsiderohet si një ndër të besuarit e ngushtë në rrethin e presidentit.

Varësia e tij direkte prej Putinit si dhe fakti, që Belousov nuk i përket asnjë fraksioni, që lufton për influencë në Kremlin, e ka bërë atë imun kundrejt korrupsionit. Pikërisht paraardhësi i tij Shoigu është përfolur shpesh për korrupsion. Së fundi u arrestua zëvendësi i Shoigusë, gjë që shumë vëzhgues e komentuan si shenjë, se së shpejti atë do ta shkarkojnë.

Teknokrat, i cili ka mbështetur aneksimin e Krimesë

Belousov me postet që ka mbuluar ka ndikuar fort në formësimin e politikës ekonomike ruse gjatë viteve të kaluara. Ai konsiderohet si mbështetës i investimeve shtetërore në ekonomi.

Në vitin 2014 ai ka qenë ndër të paktët ekspertë të ekonomisë rreth Putinit, që kanë mbështetur aneksimin e Krimesë, shkruante para disa vitesh portali rus "The Bell”. Belousov e sheh Rusinë si "të rrethuar nga armiqtë”, thuhet më tej. Ky botëkuptim flet edhe për afërsinë e tij me Putinin. "Në vitet e fundit Belousov ka qenë i obsesuar nga ideja e sovranitetit ekonomik të Rusisë", shkruan në platformën Telegram gazetarja e pavarur ruse Farida Rustamova, e cila është specializuar për elitat ruse.

Nën drejtimin e Belousovit është përpiluar koncepti i zhvillimit teknologjik 2030. Deri në këtë kohë, sipas planit të Belousovit, Rusia duhet të mësojë të prodhojë chips, makineri me precizion të lartë, aparatura mjekësore, avionë e dronë, shkruan Rustamova.

Industria e armatimit duhet të japë impulse për rritjen ekonomike

Si zëvendëskryeministër Belousov u përqëndrua fort tek zhvillimi i industrisë vendase të dronëve. Ai ka kritikuar shpesh faktin, që pjesë të rëndësishme në zinxhirin e prodhimit janë jashtë vendit. "Belousovi interesohet për sistemet inovative të armëve, dhe është e qartë, se cilat do të jenë prioritetet e tij”, i tha DW-së Aleksandra Prokopenko nga Carnegie Russia Eurasia Center në Berlin.

Nga ana tjetër prej shpenzimeve të jashtëzakonshme për mbrojtjen duhet të përfitojë edhe pjesa tjetër e ekonomisë ruse, parashikohet në planin e Kremlinit. Buxheti i bllokut të sigurisë, sipas zëdhënësit Peskov përbën 6,7 përqind të produktit bruto në vend të Rusisë.

"Prioriteti i Kremlinit ndërkohë është lufta”, thotë Prokopenko, që ka punuar më parë në Bankën Qendrore ruse. "Ata besojnë në keynesianizmin ushtarak, pra në faktin, se me ndihmën e investimeve në kompleksin ushtarak-industrial mund të fuqizohet rritja ekonomike afatgjatë”. Njeriu i ri në Ministrinë ruse të Mbrojtjes duhet të ndihmojë, që lufta të jetë me rentabilitet për Rusinë./DW

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat