Ligji për “agjentë të huaj” para Kuvendit të Republikës Sërpska më 22 maj

Evropë

Ligji për “agjentë të huaj” para Kuvendit të Republikës Sërpska më 22 maj

Më: 14 maj 2024 Në ora: 18:58
Kuvendi i Republikës Sërpska në Bosnje-Hercegovinë.

Projektligji që përcakton se kush janë “agjentë me ndikim të huaj’ në Republikën Sërpska, entitetin serb në Bosnje-Hercegovinë, është caktuar për diskutim më 22 maj.

Projektligji është hartuar pas propozimeve për të pasur një regjistër të posaçëm për punën e organizatave joqeveritare, që më gjerësisht njihet si ligji për “agjentë të huaj”.

Në projektligj “agjentët me ndikim të jashtëm” përcaktohen si organizata joqeveritare që u ndihmojnë subjekteve të huaja dhe që merren me aktivitete politike, ndikojnë në opinionin publik, si dhe personat që “shkelin integritetin dhe Kushtetutën e Republikës Sërpska”.

Propozimi është publikuar në faqen e Ministrisë së Drejtësisë së Republikës Sërpska.

Dokumenti parasheh edhe ndalim të veprimtarisë për organizatat, në rast të shkeljes së “integritetit të Republikës Sërpska”.

Në rast të miratimit, një organizatë joqeveritare obligohet me ligj “të dorëzojë një aplikacion në Ministrinë e Drejtësisë brenda 15 ditëve të pranimit të fondeve apo ndonjë tjetër lloji të ndihmës prej një entiteti të huaj".

Projektligji parasheh që Ministria e Drejtësisë e Republikës Sërpska të monitorojë aktivitetet e organizatave joqeveritare, përveç territorit ku shtrihet entiteti serb, edhe në pjesë tjera të Bosnje-Hercegovinës.

Pritjet janë që ligji të hyjë në fuqi më 1 janar 2025.

Udhëheqësi i Ministrisë së Drejtësisë, i cili e ka propozuar ligjin është Millosh Bukejlloviq, i cili është sanksionuar prej Shteteve të Bashkuara prej korrikut të vitit të kaluar, për punën e bërë në hartim të ligjit për moszbatim të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të Bosnje-Hercegovinës.

Një analizë e bërë prej Radios Evropa e Lirë ka lënë të kuptohet se ligji për agjentë të huaj është i ngjashëm me atë të Rusisë, të vitit 2012.

Më 2017, Qeveria ruse e ka shtuar Shërbimin rus të Radios Evropa e Lirë, si dhe gjashtë shërbime tjera në listën e “agjentëve të huaj”.

Grupet ndërkombëtare për të drejta të njeriut, Qeveria amerikane si dhe Bashkimi Evropian, e kanë akuzuar Qeverinë ruse për shfrytëzim të ligjit për “agjentë të huaj” për të shtypur kundërshtarët politikë.

Ambasada amerikane në Bosnje i ka thënë më parë Radios Evropa e Lirë se një ligj i tillë në Republikën Sërpska është “jodemokratik”, dhe nëse zbatohet, do të shkelë të drejtën e lirisë së shprehjes.

Ligji është kritikuar edhe nga shumë organizata joqeveritare në Bosnjë-Hercegovinë dhe shumë institucione e organizata ndërkombëtare./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat