Në prag të vizitës në Kinë, Putini shprehet se është i hapur për dialog mbi Ukrainën
Presidenti Vladimir Putin tha se Kremlini është i gashmëm për të negociuar mbi konfliktin në Ukrainë, në prag të vizitës në Pekin, aleatit që ka mbështetur sulmin në shkallë të gjerë të Rusisë ndaj fqinjit të saj.
“Jemi të hapur për dialog mbi Ukrainën, por këto bisedime duhet të marrin parasysh interesat e të gjitha vendeve të përfshira në konflikt, përfshirë interesat tona”, citohet të jetë shprehur zoti Putin gjatë një intervistë për agjencinë kineze të lajmeve Xinhua të mërkurën.
Udhëtimi dyditor i zotit Putin, i cili fillon të enjten, ndodh në një kohë që trupat ruse po ndërmarrin një ofensivë në verilindje të Ukrainës.
Ofensiva që filloi javën e kaluar në rajonin e Kharkivit ështe sulmi i shpejtë dhe i papritur më i rëndësishëm që kur Moska nisi agresionin në 2022 dhe ka detyruar 8000 vetë që të largohen nga shtëpitë e tyre.
Bashkë me përpjekjet e Moskës për të fituar terren në rajonin e afërt te Doneskut, lufta dy vjeçare ka hyrë në një fazë kritike për Ukrainën që përballet me mungesa të mëdha, ndërsa pret furnizime të reja me armatime nga Shtetet e Bashkuara.
“Nuk i kemi refuzuar kurrë bisedimet”, u citua të jetë shprehur zoti Putin për agjencinë Xinhua.
“Ne po kërkojmë një një zgjidhje gjithëpërfshirëse, të qëndrueshme dhe të drejtë për konfliktin, përmes mjeteve paqësore. Ne jemi të hapur për një dialog mbi Ukrainën, por negociata të tilla duhet të marrin parasysh interesat e të gjitha vendeve të përfshira në konflikt, përfshirë edhe tonat”.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy është shprehur se bisedimet duhet të përfshijnë rikthimin e integriteti territorial të Ukrainës, tërheqjen e trupave ruse, lirimin e të gjithë të burgosurve, ngritjen e një gjykate për të shqyrtuar ata që janë përgjegjës për agresionin si edhe garanci për sigurinë e Ukrainës.
Kina pretendon se mban qendrim neutral mbi konfliktin, por ka mbështetur qendrimin e Moskës se Rusia u provokua nga Perëndimi për të sulmuar Ukrainën, pavarësisht pohimeve publike të zotit Putin mbi dëshirën e tij për të rikthyer kufijte e vjetër të Rusisë, si arsye për agresionin.
Presidenti Putin ka fajësuar Perëndimin për dështimin e negociatave në javët e para të luftës dhe ka lavdëruar planin e paqes së Kinës mbi Ukrainën, i cili do t’i lejonte Moskës që çimentonte kontrollin në territoret që ka arritur të marrë nën kontroll gjatë luftës.
“Pekini propozon hapa praktikë dhe konstruktivë për të arritur paqe duke treguar përmbajtje nga përmbushja e interesave vetjake dhe nga përshkallzimi i vazhdueshëm i tensioneve, duke minimizuar ndikimin negativ të konflikit në ekonominë botërore”, tha ai.
Presidenti Putin tha se propozimi kinez në vitin 2023, të cilin Ukraina dhe Perëndimi e refuzuan “mund t’i kishte hapur udhë një procesi politik dhe diplomatik që do të kishtë marrë parasysh shqetësimet e Rusisë për sigurinë dhe do të kishte ndihmuar drejt arritjes së një paqeje afatgjatë dhe të qëndrushme”.
Kremlini tha në një deklaratë se gjatë bisedimeve të kësaj jave, zoti Putin dhe udhëheqësi kinez Xi Jinping do të “diskutojnë në mënyrë të detajuar mbi një sërë çështjesh që lidhen me partneritetin gjithëpërshirës dhe bashkëpunimin strategjik, do të përcaktojnë drejtimet kryesore për zhvillimin e mëtejshëm të bashkëpunimit mes Rusisë dhe Kinës dhe se do të shkëmbejnë mendimet mbi çështje kyçe ndërkombëtare dhe ato rajonale”.
Vizita shihet si një demonstrim i unitetit mes dy vendeve autoritare aleate, përballë Perëndimit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara./VOA