Mijëra gjeorgjianë kanë vazhduar protestën e tyre në Tbilisi në orët e para të 15 majit kundër Ligjit kundërthënës për “agjentët e huaj”, i cili u miratua në Parlament një ditë më herët.
Ky ligj, që u shty përpara nga partia në pushtet, Ëndrra Gjeorgjiane, ka nxitur protesta për javë të tëra. Ligji po ashtu është përballur me kritika nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.
Presidentja Salome Zurabishvili, e cila ka mbështetur protestat paqësore, është zotuar se do të vendosë veto ndaj ligjit. Ajo ka dhjetë ditë afat që të ushtrojë të drejtën e saj të vetos.
Megjithatë, Ëndrra Gjeorgjiane dhe partnerët e saj në Parlament kanë vota të mjaftueshme për të shfuqizuar veton e presidentes.
Më 15 maj, Zurabishvili do të mbajë një konferencë për media së bashku me ministrat e Jashtëm të Letonisë, Lituanisë, Estonisë dhe Islandës të cilët po vizitojnë Tbilisin.
Mbrëmjen e 14 majit, protestuesit marshuan nga ndërtesa e Parlamentit për 2 kilometra drejt Sheshit të Heronjve, që gjendet në qendër të kryeqytetit gjeorgjian, ku policia arrestoi me dhunë të paktën dhjetë persona, thanë gazetarët e Radios Evropa e Lirë që kanë përcjellë nga afër protestën.
Më 14 maj, në leximin e tretë dhe final, ligjvënësit votuan me 84 vota për dhe 30 kundër ligjit të prezantuar nga Ëndrra Gjeorgjiane, parti e cila ka përdorur forcat e sigurisë për të shtypur dhunshëm protestat që janë mbajtur javëve të fundit. Policia ka përdorur topa uji, gaz lotsjellës dhe plumba gome ndaj protestuesve.
Pas miratimit të legjislacionit, protestuesit e zemëruar, të mbledhur jashtë Parlamentit, thyen barrierat e metalit të vendosura afër ndërtesës dhe policia u përlesh me ta. Të paktën 13 persona u arrestuan, disa prej të cilëve u arrestuan me dhunë.
Po ashtu, brenda Parlamentit, para se legjislacioni të hidhej në votim pati përleshje mes ligjvënësve të Ëndrrës Gjeorgjiane dhe atyre opozitarë.
Ligji i miratuar nga Parlamenti gjeorgjian është dënuar nga SHBA-ja, BE-ja dhe grupet për të drejtat e njeriut, pasi kanë argumentuar se është i ngjashëm me ligjin që presidenti rus, Vladimir Putin, përdor për të shtypur disidencën dhe institucionet e pavarura.
Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit, James O’Brien, që gjendet në Tbilisi, tha se raportet e Uashingtonit me Gjeorgjinë do të rrezikohen dhe ndihma e SHBA-së për këtë shtet do të shqyrtohet, kur legjislacioni zyrtarisht të shndërrohet në ligj.
“Kjo është një ditë e errët për demokracinë gjeorgjiane”, tha një grup prej 11 senatorësh amerikanë përmes një deklarate të lëshuar pas votimit.
Përfaqësuesit e Kombeve të Bashkuara në Tbilisi thanë se miratimi i ligjit “kërcënon lirinë e shprehjes” dhe u bënë thirrje autoriteteve të hetojnë dhunën ndaj protestuesve.
Tubimet masive kundër këtij ligji janë protestat më të mëdha të organizuara në Gjeorgji që kur shteti shpalli pavarësinë më 1991.
Sipas ligjit, tashmë të miratuar në Parlament, mediat, organizatat joqeveritare dhe organizatat e tjera jofitimprurëse duhet të regjistrohen si organizata “që ndjekin interesat e një fuqie të huaj” nëse ato pranojnë më shumë se 20 për qind të fondeve të tyre nga jashtë./REL