“Po lufton ende me jetën”, çfarë dihet deri më tani për atentatin ndaj kryeministrit sllovak?

Evropë

“Po lufton ende me jetën”, çfarë dihet deri më tani për atentatin ndaj kryeministrit sllovak?

Më: 15 maj 2024 Në ora: 15:37 Përditësuar në ora: 23:13 më 15.05.2024
Foto nga vendi i ngjarjes

​Mësohet gjendja shëndetësore e Robert Fico

Kryeministri sllovak Robert Fico është larguar nga salla e operacionit, ka thënë një burim për median sllovake Aktuality, dhe gjendja e tij cilësohet si e qëndrueshme, raporton Guardian.

Zëvendëskryeministri Tomas Taraba tha për BBC se besonte se kryeministri Fico do të mbijetonte dhe se jeta e tij nuk ishte më në rrezik.

Ai kritikoi gjithashtu partitë opozitare, duke i akuzuar ato për përdorimin e "narrativave të rreme" dhe për "pikturimin" e Fico si "një përbindësh", komente që ai tha se ishin jodemokratike.

“Isha shumë i tronditur... për fat, me sa di unë, operacioni shkoi mirë – dhe imagjinoj se ai do të mbijetojë në fund... nuk është kërcënuese për jetën për momentin”, tha ai.

Më tej ai tha se të shtënat janë kryer “nga afër” nga një i moshuar.

“Ai u plagos rëndë – njëri plumb shkoi në stomak dhe tjetri në kyçin e dorës – ai u dërgua menjëherë në spital dhe më pas në operacion”, tha Taraba.

Fico u plagos më herët sot pas mbledhjes së kabinetit, njoftoi agjencia e lajmeve TASR. Ministri sllovak i Mbrojtjes Robert Kalinak e përshkroi më parë gjendjen e Fico si "jashtëzakonisht të rëndë", ndërsa ministri i Brendshëm Matus Shutaj Eshtok, ka thënë më herët se Fico është në rrezik për jetën.

Ai shtoi se sulmuesi qëlloi pesë herë në drejtim të kryeministrit sllovak dhe se ai dyshonte se kishte motive politike.

“Për herë të parë në 31 vitet e republikës sonë sovrane demokratike, ndodhi që dikush vendosi të shprehë mendimin e tij politik jo në zgjedhje, por me armë”, ka shkruar Shutaj-Eshtok në Facebook.

Fico, ishte në operacion për më shumë se katër orë, thanë Kalinak dhe Shutaj Eshtok, duke shtuar se ekziston një "ekip i madh mjekësor që po përpiqet të kthejë pasojat e këtij atentati".

Televizioni sllovak TV JOJ deklaroi se policia po merr në pyetje gruan e të dyshuarit.

Policia identifikoi 71-vjeçarin J.C., i cili qëlloi politikanin popullist pro-rus me armë, të cilën e kishte në pronësi të ligjshme. Sulmuesi u arrestua nga policia menjëherë dhe mediat sllovake raportojnë se ai bërtiste "Robo, hajde këtu!" para se të qëllonte.

Sulmuesi, një ish-roje sigurie, sipas mediave sllovake, ai është gjithashtu një anëtar i Shoqatës Sllovake të Shkrimtarëve. Në një prononcim për Aktualitin, djali i sulmuesit tha se “nuk e ka idenë” se çfarë po bënte dhe planifikonte babai i tij.

Një zyrtar nga partia SMER e Fico konfirmoi për Guardian, se kryeministri ishte qëlluar në bark dhe se po i nënshtrohej një operacioni në spitalin në Banjsaj Bistrica.

Fico u qëllua me pesë plumba dhe po lufton ende me jetën, konfirmon ministri sllovak i Mbrojtjes

Ministri i Mbrojtjes dhe i Brendshëm i Sllovakisë fajësuan rritjen e gjuhës së urrejtjes dhe ndarjes për atmosferën politike në vend, e cila sipas tyre çoi në atentatin ndaj kryeministrit Robert Fico.

Duke folur për gazetarët jashtë spitalit ku po trajtohet Fico, ministri i Mbrojtjes Robert Kalinjak tha se ”Kjo duhet të ndalet menjëherë. Ju lutem. Urrejtja nuk është një përgjigje ndaj urrejtjes”.

I tronditur dukshëm dhe duke luftuar për fjalë gjatë konferencës për shtyp, Kalinjak tha se ishte “koha që disa njerëz të shikojnë me kujdes në pasqyrë”.

“Nuk ka dyshim se kjo ka qenë e motivuar politikisht. Paaftësia për të pranuar zgjedhjen e njerëzve, gjë që disave mund të mos e pëlqejnë… kjo çon në këtë”, tha ai.

Ministri i Brendshëm Matush Shutaj Eshtok sipas bbc, tha se “të gjithë duhet të qetësohen”.

”Ata që e mbështesin këtë sulm si dhe ata që po bëjnë thirrje për një lloj hakmarrjeje, unë po ju kërkoj juve, edhe mediave, ju lutemi të përdorni fuqinë tuaj, ndikimin tuaj. Sepse deri më tani, disa prej jush kanë mbjellë urrejtjen”, tha ai.

Tutje, ministri i Brendshëm sllovak, Matush Shutaj Eshtok, konfirmoi se kryeministri Robert Fico u qëllua me pesë plumba.

”Autori ka qëlluar pesë herë. Kryeministri ndodhet në gjendje kritike, ende në tryezën e operacionit. Ne do të bëjmë gjithçka që mundemi për ta hetuar këtë”, tha Eshtok në një konferencë shtypi.

Çfarë dihet deri më tani për atentatin ndaj kryeministrit sllovak

Kryeministri sllovak, Robert Fico është qëlluar sot me armë zjarri pas mbledhjes së qeverisë teksa takonte mbështetësit.

Merret vesh se i pari i qeverisë sllovake është qëlluar teksa po takonte qytetarët para Shtëpisë së Kulturës në Handlova.

Ai është dërguar në një institucion të nivelit të lartë shëndetësor pas trajtimit të marrë në spitalin e qytetit.

Çfarë dihet deri më tani:

Kryeministri sllovak, Robert Fico po i rrezikohet jeta pasi u qëllua pas një ngjarjeje politike në Handlova, ku po takohej me mbështetësit;

Një mesazh i postuar në rrjetet e tij sociale thoshte se ai u qëllua “shumë herë”;

Politikani 59-vjeçar fillimisht u dërgua në një spital lokal përpara se të transportohej me aeroplan në një institucion të nivelit më të lartë në Banska Bystrica, rreth 63 milje larg;

Mediat sllovake thonë se i dyshuari është një shkrimtar;

Oficerët e mjekësisë ligjore me kostume të bardha dhe maska për fytyrë janë në vendin e sulmit;

Presidentja në largim sllovake, Zuzana Caputova i ka quajtur të shtënat si “sulm ndaj demokracisë”;

Partitë kryesore opozitare të Sllovakisë, Sllovakia Progresive dhe Liria dhe Solidariteti, kanë anuluar një protestë antiqeveritare;

Qeveria sllovake pohoi se edhe gazetarët fajtorë për sulmin;

Flet për herë të parë i dyshuari që plagosi kryeministrin sllovak. Ai tregoi arsyet pse e qëlloi me armë zjarri Ficon. 

Kryeministri i Sllovakisë në gjendje të rëndë, qëllohet disa herë në përpjekje për ta vrarë

Kryeministri populist i Sllovakisë, Robert Fico, u qëllua disa herë me armë zjarri dhe u plagos rëndë të mërkurën në përfundim të një tubimi politik, një tentativë për ta vrarë atë, që ka tronditur vendin e vogël dhe ka bërë jehonë të gjithë Evropën.

Udhëheqësi 59-vjeçar pro-rus, njoftohet se është në gjendje të rëndë. Ministri i Brendshëm tha se udhëheqësi sllovak ishte në rrezik për jetën dhe ndodhej në sallën e operacionit. Ai tha se organet e rendit dyshojnë se kryeministri u qëllua për arsye politike me pesë të shtëna.

Sulmi ndodhi pranë Shtëpisë së Kulturës në qytetin Handlova. Kryeministri po takohej me mbështetësit e tij në qytetin që gjendet rreth 140 kilometra në verilindje të kryeqytetit. Presidentja e Sllovakisë tha se është ndaluar një i dyshuar për sulmin. Zoti Fico u dërgua në spital me helikopter.

Zoti Fico ka qenë prej kohësh një figurë përçarëse në Sllovaki dhe më gjerë. Por kthimi i tij në pushtet vitin e kaluar, me një mesazh pro-rus dhe anti-amerikan, shkaktoi shqetësime edhe më të thella mes Bashkimit Evropian, se ai do ta largonte edhe më tej Sllovakinë nga linja perëndimore.

Pas ardhjes në pushtet për herë të tretë, qeveria e tij i ndaloi dërgesat e armëve për Ukrainën. Kritikët e tij janë të shqetësuar se ai do ta largojë Sllovakinë, vend anëtar i NATO-s me një popullsi prej 5.4 milionë banorësh, nga kursi i saj properëndimor dhe do të ndiqte rrugën e Hungarisë nën udhëheqjen e kryeministrit populist Viktor Orban.

Mijëra njerëz kanë protestuar në të gjithë Sllovakinë kundër politikave të kryeministrit Fico.

Në një postim në llogarinë e zotit Fico në rrjetin Facebook thuhej se ai ishte dërguar në një spital në Banska Bystrica, 29 kilometra nga qyteti Handlova, për shkak të nevojës për ndërhyrje të menjëhershme dhe se kryeqyteti Bratislava ishte shumë larg.

Të shtënat në Sllovaki ndodhin tre javë përpara zgjedhjeve vendimtare për Parlamentin Evropian, në të cilat partitë populiste dhe të ekstremit të djathtë në bllokun 27-anëtarësh duket se do të shënojnë përparime.

“Një sulm fizik ndaj kryeministrit, është para së gjithash një sulm ndaj një individi, por është gjithashtu një sulm ndaj demokracisë”, tha Presidentja në largim Zuzana Caputova, rivale politike e zotit Fico, gjatë një deklarate televizive. “Çdo lloj dhune është e papranueshme. Retorika e urrejtjes që vërehet në shoqëri çon në veprime urrejtjeje. Ju lutemi, le ta ndalojmë atë”, tha zonja Caputova.

Presidenti i sapo zgjedhur Peter Pellegrini, një aleat i zotit Fico, e quajti sulmin “një kërcënim të paprecedentë për demokracinë sllovake. Nëse shprehim qëndrimet e tjera politike me pistoleta nëpër sheshe dhe jo përmes votës, ne rrezikojmë gjithçka që kemi ndërtuar së bashku gjatë 31 viteve të sovranitetit sllovak”.

Presidenti Joe Biden tha se ishte i alarmuar nga sulmi. “Ne e dënojmë këtë akt të tmerrshëm dhune”, tha ai përmes një deklarate.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, shkroi në platformën e mediave sociale X se ishte “i tronditur dhe i tmerruar” nga tentativa për ta vrarë zotin Fico. Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen e dënoi atë që ajo e cilësoi si një "sulm të turpshëm".

“Akte të tilla dhune nuk kanë vend në shoqërinë tonë dhe minojnë demokracinë, të mirën tonë të përbashkët më të çmuar”, tha zonja von der Leyen në një postim në rrjetin X.

Zoti Fico, kryeministër për herë të tretë dhe partia e tij e majtë Smer, i fituan zgjedhjet parlamentare të 30 shtatorit në Sllovaki. Por politika si zakonisht u la mënjanë pas tronditjes së vendit nga tentativa për vrasjen e kryeministrit Fico. Parlamenti sllovak i shtyu punimet deri në një njoftim të dytë.

Partitë kryesore në opozitë, Sllovakia Progresive dhe Liria dhe Solidariteti, anuluan një protestë të planifikuar kundër një plani të debatueshëm të qeverisë për të reformuar radion dhe televizionin publik. Opozita thotë se kjo do t’i jepte qeverisë kontroll të plotë mbi transmetimet publike.

Udhëheqësi i partisë Sllovakia Progresive, Michal Simecka, e dënoi dhunën. “U bëjmë thirrje të gjithë politikanëve që të përmbahen nga çdo qëndrim dhe hap që mund të kontribuojë në rritjen e mëtejshme të tensioneve”, tha zoti Simecka.

Kryeministri çek, Petr Fiala, e cilësoi incidentin "tronditës", ndërsa uroi shërimin sa më të shpejt të kryeministrit. Ai tha se dhuna nuk duhet toleruar dhe se për të nuk ka vend në shoqëri. Deri në vitin 1992, Republika Çeke dhe Sllovakia kanë qenë pjesë e Çekosllovakisë.

Ekipi i Robert Ficos lajmërohet në Facebook – ata japin informacione të reja për kryeministrin sllovak

Kryeministri sllovak, Robert Fico është qëlluar disa herë me armë zjarri gjatë një takimi me qytetarët në qytetin e Handlovas.

Zyrtarët dhe administratorët e mediave sociale të politikanit sllovak kanë publikuar një mesazh rreth gjendjes së tij.

“R. Fico iu bë atentat sot. Ai është qëlluar shumë herë dhe aktualisht ndodhet në rrezik për jetën”, shkruan në llogarinë personale të Ficos.

Në këtë moment ai po transportohet me helikopter në Banska Bystrica, sepse do të duhej shumë kohë për të arritur në Bratislavë për shkak të domosdoshmërisë së një procedure akute.

“Orët e ardhshme do të vendosin”, përfundon njoftimi në Facebook.

Ndryshe, Handlova ndodhet rreth 150 kilometra në verilindje të kryeqytetit sllovak Bratislavë.

Robert Fico u qëllua me armë zjarri para Shtëpisë së Kulturës, ku kishte ardhur për të takuar mbështetësit.

​Atentati ndaj mikut të Vladimir Putin, çfarë dihet deri më tani

Detajet po dalin ende për incidentin në Sllovaki, ku kryeministri populist pro-rus Robert Fico është qëlluar disa herë.

Fico u qëllua dhe u plagos teksa po dilte nga një mbledhje e qeverisë në qytetin qendror Handlova.

Zyrtarët thonë se ai ndodhet në rrezik për jetën dhe po merr trajtim në spital. Ndërsa Fico përshëndeti turmat përpara një qendre të komunitetit kulturor ku ishte mbajtur një mbledhje e qeverisë, u dëgjuan disa të shtëna përpara se sigurimi i tij ta fuste në një makinë aty pranë.

Raportet lokale thonë se Fico u qëllua në bark, krah dhe këmbë. Fotot tregojnë policinë duke arrestuar një të dyshuar. Ai u transportua me helikopter në një spital aty pranë përpara se të dërgohej më vonë në një spital tjetër në Banska Bystrica, në lindje të Handlova, thonë raportet.

Raportet e pakonfirmuara nga dëshmitarët okularë thonë se Fico u qëllua në krahë, këmbë dhe stomak - por ne nuk kemi qenë në gjendje ta verifikojmë këtë. Stafi i Fico ka thënë që atëherë ai u transportua me helikopter në një spital aty pranë pasi transferimi në kryeqytetin Bratislavë do të zgjaste shumë dhe gjendja e tij mendohet të jetë kritike, raporton BBC.

Kritikët kanë shprehur frikë në rritje se Fico do të braktiste kursin pro-perëndimor të Sllovakisë. Mijëra njerëz kanë mbajtur vazhdimisht protesta në të gjithë Sllovakinë kundër politikave të Fico. Fitorja e tij në zgjedhje vjeshtën e kaluar nënkuptonte se NATO kishte gjithashtu liderin e saj të parë dashamirës ndaj presidentit rus Vladimir Putin. 

​Stoltenberg i tronditur nga atentati ndaj Fico

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg shprehu shqetësimin për atentatin e sotëm ndaj kryeministrit populist pro-rus Robert Fico.

"Unë jam i shokuar dhe i tmerruar nga të shtënat me armë ndaj kryeministrit Robert Fico. I uroj shumë forcë për një shërim të shpejtë.

Mendimet e mia janë me Robert Fico, të dashurit e tij dhe qytetarët e Sllovakisë”, tha Stoltenberg në X.

Fico u qëllua sot pas një takimi të qeverisë sllovake në Handlova. Në vendngjarje janë shkrepur disa të shtëna dhe sulmuesi është ndaluar.

​Atentati ndaj kryeministrit pro-rus sllovak, vijnë reagimet e para

Një zëdhënës i Ministrisë së Brendshme së Sllovakisë ka konfirmuar se sot është kryer një atentat ndaj kryeministrit populist pro-rus Robert Fico.

Zëdhënësi nuk dha asnjë informacion mbi gjendjen shëndetësore të Fico, i cili u qëllua me armë dhe ndodhet në spital. Në lidhje me rastin deri më tash është arrestuar një person në Handlova, ku edhe ndodhën të shtënat.

Në reagimin e tij, kryeministri britanik Rishi Sunak tha se është "i tronditur" kur dëgjoi "lajmin e tmerrshëm" se Robert Fico është qëlluar me armë zjarri dhe ndodhet në spital.

"I tronditur kur dëgjova këtë lajm të tmerrshëm. Të gjitha mendimet tona janë me kryeministrin Fico dhe familjen e tij," shkroi ai në X.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dënoi fuqishëm sulmin ndaj Fico.

“Akte të tilla dhune nuk kanë vend në shoqërinë tonë dhe minojnë demokracinë, të mirën tonë më të çmuar të përbashkët. Mendimet e mia janë me kryeministrin Fico dhe familjen e tij”, tha ajo.

Kritikët kanë shprehur frikë në rritje se Fico do të braktiste kursin pro-perëndimor të Sllovakisë. Mijëra njerëz kanë mbajtur vazhdimisht protesta në të gjithë Sllovakinë kundër politikave të Fico. Fitorja e tij në zgjedhje vjeshtën e kaluar nënkuptonte se NATO kishte gjithashtu liderin e saj të parë dashamirës ndaj presidentit rus Vladimir Putin.

Gjendja e tij është serioze: Raportohet se sulmuesi bërtiti “Robo eja këtu” para se ta plagoste kryeministrin sllovak

Kryeministri i Sllovakisë, Robert Fico është plagosur të mërkurën, derisa ka marrë plagë në barkë dhe dorë.

Incidenti ndodhi në qytezën Handlova, rreth 150 kilometra në verilindje të kryeqytetit Bratisllavë, sipas televizionit TA3, derisa raportohet se një i dyshuar ëstë arrestuar.

Ndërkohë, “The Telegraph” raporton se sulmuesi ka bërtitur “Robo eja këtu” para se të niste gjuajtjen me armë.

Një burim po ashtu i tha mediumit që gjendja shëndetësore e Fico është serioze, megjithatë, aktualisht ai është jashtë rrezikut.

“Ka një plagë plumbi në bark dhe në dorë. Ai aktualisht është jashtë rrezikut. Do ta operojnë.” – ka thënë ky burim.

Agjencia e lajmeve TASR raportoi se Fico u qëllua para një ndërtese në qytezën Handlova, ku ishte zhvilluar një takim qeveritar.

Pasi u fut në veturën zyrtare me shpejtësi, raportohet se Fico u dërgua me helikopter në një spital lokal.

Kryeministri sllovak është në gjendje të rëndë shëndetësore pas atentatit ndaj tij

Kryeministri i Sllovakisë është plagosur nga të shtënat me armë zjarri dhe është dërguar urgjentisht në një spital.

Robert Fico është në një gjendje të rrezikshme për jetën, ka thënë zyra e qeverisë së Sllovakisë.

Udhëheqësi i qeverisë sllovake nuk do të dërgohet për mjekim të mëtejmë në kryeqytetin e Bratislavës pasi fluturimi do të zgjaste “shumë kohë”.

Ai po transportohet me aeroplan privat në spitalin e Banska Bystrica, njoftoi qeveria.

Mjekët konfirmuan se i pari i qeverisë sllovake ishte i vetëdijshëm kur u dërgua në spital, raporton skynews.

Ai tani është dërguar në një institucion të nivelit më të lartë shëndetësor, tha ajo.

Ndryshe, Handlova është rreth 180 kilometra në veri-lindje të kryeqytetit Bratislava.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat