​Atentati ndaj kryeministrit pro-rus sllovak, vijnë reagimet e para

Evropë

​Atentati ndaj kryeministrit pro-rus sllovak, vijnë reagimet e para

Më: 15 maj 2024 Në ora: 17:36
Foto nga vendi i ngjarjes

Një zëdhënës i Ministrisë së Brendshme së Sllovakisë ka konfirmuar se sot është kryer një atentat ndaj kryeministrit populist pro-rus Robert Fico.

Zëdhënësi nuk dha asnjë informacion mbi gjendjen shëndetësore të Fico, i cili u qëllua me armë dhe ndodhet në spital. Në lidhje me rastin deri më tash është arrestuar një person në Handlova, ku edhe ndodhën të shtënat.

Në reagimin e tij, kryeministri britanik Rishi Sunak tha se është "i tronditur" kur dëgjoi "lajmin e tmerrshëm" se Robert Fico është qëlluar me armë zjarri dhe ndodhet në spital.

"I tronditur kur dëgjova këtë lajm të tmerrshëm. Të gjitha mendimet tona janë me kryeministrin Fico dhe familjen e tij," shkroi ai në X.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dënoi fuqishëm sulmin ndaj Fico.

“Akte të tilla dhune nuk kanë vend në shoqërinë tonë dhe minojnë demokracinë, të mirën tonë më të çmuar të përbashkët. Mendimet e mia janë me kryeministrin Fico dhe familjen e tij”, tha ajo.

Kritikët kanë shprehur frikë në rritje se Fico do të braktiste kursin pro-perëndimor të Sllovakisë. Mijëra njerëz kanë mbajtur vazhdimisht protesta në të gjithë Sllovakinë kundër politikave të Fico. Fitorja e tij në zgjedhje vjeshtën e kaluar nënkuptonte se NATO kishte gjithashtu liderin e saj të parë dashamirës ndaj presidentit rus Vladimir Putin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat