Qeveria sllovake: Fico po lufton për jetën, gazetarët janë ndër fajtorët për sulmin

Evropë

Qeveria sllovake: Fico po lufton për jetën, gazetarët janë ndër fajtorët për sulmin

Më: 15 maj 2024 Në ora: 21:04
Robert Fico

Qeveria sllovake ka mbajtur një konferencë për shtyp rreth gjendjes shëndetësore të kryeministrit Robert Fico.

Ky i fundit është qëlluar me armë zjarri pas një takimi të kabinetit qeveritar në qytetin Handlova, ku atentatin dyshohet se e ka kryer një shkrimtar 71-vjeçar.

Ministri i Mbrojtjes, Robert Kalinak thotë se gjendja e 59-vjeçarit është jashtëzakonisht e rëndë dhe ai është ende duke iu nënshtruar një ndërhyrje kirurgjike.

Ai thotë se kryeministri pësoi traumë të rëndë pas pesë të shtënave me armë zjarri, raporton skynews.

“Shëndeti i tij është vërtet i rënduar. Ai po lufton për të mbetur në jetë”, tha ministri.

Ndërkohë, ministri i Brendshëm, Matus Sutaj Estok thotë se urrejtja që po përhapet në internet qëndron pas sulmit ndaj politikanit.

Ai u bën thirrje “gazetarëve, publikut dhe politikanëve që të ndalojnë përhapjen e urrejtjes”.

“Ne nuk mund t’i përgjigjemi urrejtjes me urrejtje. Prandaj do të doja t’ju kërkoja të gjithëve që të ndaloni gjithë këtë urrejtje në rrjetet sociale, që synojnë këtë apo atë parti politike. Ajo që ka filluar tani është mbjellë nga shumë prej jush. Ndalo tani”, thotë Estok.

Ndryshe, Handlova ndodhet rreth 150 kilometra në verilindje të kryeqytetit sllovak Bratislavë.

Robert Fico u qëllua me armë zjarri para Shtëpisë së Kulturës, ku kishte ardhur për të takuar mbështetësit. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat