Në Tbilisi organizohet marsh në mbështetje të Qeverisë

Evropë

Në Tbilisi organizohet marsh në mbështetje të Qeverisë

Më: 17 maj 2024 Në ora: 12:52
Marshi në Tbilisi të Gjeorgjisë më 17 maj 2024.

Klerikë të lartë ortodoksë gjeorgjianë dhe grupe të tjera fetare konservatore më 17 maj shënuan festën e re të njohur si Dita e Pastërtisë Familjare duke marshuar në qendër të Tblisit, që ka qenë qendër e protestave kundër Ligjit për “agjentë të huaj” që u miratua nga Parlamenti më herët gjatë javës.

Dita e Pastërtisë Familjare u krijua nga Kisha Ortodokse në Gjeorgji më 2014, në përgjigje të Ditës Ndërkombëtare kundër Homofobisë, Bifobisë dhe Transfobisë që shënohet çdo vit më 17 maj, me qëllim që të rritet vetëdija ndaj shkeljeve të të drejtave të komunitetit LGBT në mbarë botën.

Për të shmangur konfrontimin nuk do të mbahet asnjë protestë kundër Ligjit për “agjentët e huaj” gjatë marshit të Ditës së Pastërtisë Familjare.

Ngjarja e 17 majit mbështetet nga partia në pushtet, Ëndrra Gjeorgjiane, që miratoi një projektligj në mars që kufizon të drejtat e komunitetit LGBT, vetëm disa javë para se të paraqiste sërish në Parlament Ligjin për “agjentët e huaj” që shihet si e ngjashme me ligjin drakonian rus.

Ligji kundër LGBT në Gjeorgji ndalon ndërhyrjet kirurgjikale për ndryshimin e gjinisë, birësimin e fëmijëve nga çiftet e gjinisë së njëjtë, përcaktimi i gjinive të ndryshme nga mashkull dhe femër në dokumente zyrtare dhe organizimi i ngjarjeve publike për të propaganduar raportet mes gjinisë së njëjtë.

Të dy ligjet shihen si përpjekje nga Ëndrra Gjeorgjiane, parti e themeluar nga miliarderi Bidzina Ivanshvili, person miqësor me Rusinë, për të çimentuar kontrollin e shtetit para mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare në tetor.

Për javë të tëra, në Gjeorgji janë organizuar protesta kundër Ligjit për “agjentët e huaj” i cili është dënuar nga Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe të tjerët.

Ligji parasheh që organizatat mediale, ato joqeveritare dhe jofitimprurëse që marrin mbi 20 për qind të fondeve nga jashtë, të regjistrohen tek autoritetet si organizata që “ndjekin interesat e një fuqie të huaj”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat