Kupari, nga një vendpushim luksoz në një ngrehinë në bregdetin kroat

Evropë

Kupari, nga një vendpushim luksoz në një ngrehinë në bregdetin kroat

Më: 18 maj 2024 Në ora: 17:28
Foto ilustrim

Dikur një vendpushim luksoz ku u hodhën themelet e arkitekturës së Evropës Lindore, tani Kupari po shembet. Ai që dikur ishte xhevahiri i Kroacisë përgjatë bregdetit të Adriatikut, tani është kthyer në ngrehinë. Në vitin 1960 Kupari ishte simbol i përparimit dhe modernizimit, por nuk arriti të rrimëkëmbej kurrë pas luftës në Ballkan.

Dikur ishte një vend pushimi, tani mbart mbetjet e një zone lufte. Në kulmin e tij në vitet 1960, Kupari vlerësohej jo vetëm për bukurinë e jashtëzakonshme të plazhit, por edhe për arkitekturën e tij moderniste.

Ishte një vendpushim që gjatë kohës së ish-Jugosllavisë duhej vizituar patjetër. Kompleksi i pushimit, gjendet vetëm 15 minuta larg me makinë në jug të qytetit magjepsës historik mesjetar të Dubrovnikut.

Ai u ndërtua në një epokë kur kompanitë shtetërore dhe qeveria e Jugosllavisë komuniste ngritën vendpushime për punëtorët përgjatë bregut të Adriatikut. Forcat e armatosura jugosllave e zgjeruan atë duke e kthyer në një qendër pushimi për anëtarët e ushtrisë.

Pjesa më tërheqëse e të gjithë kompleksit ishte Hotel Pelegrin, një ndërtesë e madhe moderniste me më shumë se 400 dhoma gjumi, ndërtuar në vitin 1963. i u ndërtua sipas projektit të një arkitekti premtues 32-vjeçar boshnjak, David Finci.

Pothuajse menjëherë ai u vlerësua si një strukturë ikonë, i admiruar për fasadën e tij të një stili të ri dhe rreshtat e ballkoneve të veshura me beton dhe gurë me pamje nga Adriatiku.

Arkitekti Finci emigroi në Shtetet e Bashkuara në vitin 1966 dhe kaloi pjesën tjetër të jetës dhe karrierës së tij profesionale duke ndërtuar arena sportive për universitetet.

Në Kroaci me kalimin e viteve u shtuan disa hotele dhe ndërtesa të tjera dhe në vendpushimin luksoz mund të akomodoheshin 1600 pushues dhe 4000 të ftuar të tjerë në një kamping aty pranë.

Historiani i arkitekturës Boris Vidakoviç thotë se është e vështirë të vlerësohet tani se sa e rëndësishme ishte bërë zona në atë kohë.

"Hotel Pelegrini, i krijuar nga arkitekti David Finci, zuri kopertinat e revistave të arkitekturës, kur u ndërtua. Në atë kohë, ai befasoi si ekspertët edhe publikun e gjerë. Ndërtesa hodhi themelet e një lloji të ri projektesh bregdetare. Ishte e pabesueshme, të shihje një arkitekt kaq të ri, me kaq shumë besim, të arrinte sukses në ngritjen e një hoteli kaq origjinal.Tërheq vëmendjen edhe ditët e sotme sepse edhe pse është në këtë gjendje rrënimi, përsëri duket monumental, vazhdon të jetë i identifikueshëm për stilin e tij”, thotë ai.

Sipas arktiketit Vidakoviç, nuk ishte vetëm lufta ballkanike që i dha fund ditëve të lavdisë së vendpushimit, pasi ai e kishte humbur më parë shkëlqimin e dikurshëm.

"Fatkeqësisht, edhe pse hoteli u dëmtua gjatë luftës në vitet 1990, gjendja e tij aktuale është kryesisht rezultat i prishjes së 20 viteve të fundit. Pasi humbi funksionin e tij parësor, ndërtesa u la të kalbet. Askush nuk mbikqyr se çfarë po ndodh me të, kështu që vit pas viti gjendja e tij e rrënuar sa vjen e përkeqësohet”, thotë ai.

Megjithëse hotelet në Kupari nuk ishin të hapura për publikun e gjerë deri në vitet 1980, qendrat e argëtimit të vendpushimit ishin të hapura për vendasit gjatë dimrit.

Është një kohë që Edin Brajoviç e kujton mirë.

"Ka pasur pishina, ambjente të brendshme e të jashtme për balet, not, pingpong, basketboll, futboll. Unë personalisht bëja praktikë këtu kur isha fëmijë në shumë sporte si karate, not, tenis”, thotë zoti Brajovic.

Në fillim të viteve 1990, gjatë shpërbërjes së dhunshme të Jugosllavisë, vendpushimi u plaçkit dhe u dogj nga forcat jugosllave kur ata u tërhoqën nga zona, përpara se ushtria kroate të përparonte.

Më pas ai u mor nga ushtria kroate, e cila kontrollon ende një pjesë të vogël, por pjesa më e madhe u vu nën administrimin e qeverisë në vitet 2000.

Në maj 2022, një kompani hoteliere me bazë në Singapor mori përsipër një projekt rizhvillimi të qendrës bregdetare. Sipas zyrtarëve lokalë, plani i ri është rindërtimi dhe hapja e një vendpushimi të ri deri në vitin 2025.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat