Çfarë është GJNP-ja dhe pse po kërkon urdhër-arreste për udhëheqësit izraelitë dhe ata të Hamasit

Evropë

Çfarë është GJNP-ja dhe pse po kërkon urdhër-arreste për udhëheqësit izraelitë dhe ata të Hamasit

Më: 20 maj 2024 Në ora: 22:06
Foto ilustrim

Hagë, Holandë — Gjykata Ndërkombëtare Penale (GJNP) së shpejti mund të lëshojë urdhër-arreste për udhëheqësit izraelitë dhe ata të Hamasit, përfshirë kryeministrin izraelit Benjamin Netanjahu, më shumë se shtatë muaj pas luftës midis dy palëve, bazuar në një kërkesë të kryeprokurorit të gjykatës.

Karim Khan tha se ai beson se Kryeministri Netanyahu, Ministri i tij i Mbrojtjes Yoav Gallant dhe tre udhëheqës të Hamasit: Yehia Sinwar, Mohammed Deif dhe Ismail Haniyeh, janë përgjegjës për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Rripin e Gazës dhe Izrael.

GJNP u krijua në vitin 2002 si gjykatë e përhershme për të ndjekur penalisht individët përgjegjës për mizoritë më të tmerrshme në botë - krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit, gjenocidin dhe krimin e agresionit.

Statuti i Romës në bazë të të cilit u krijua GJNP-ja u miratua në vitin 1998 dhe hyri në fuqi kur u ratifikua nga 60 vende më 1 korrik 2002. Asambleja e Përgjithshme e OKB-së votoi pro GJNP-së, por gjykata është e pavarur.

Pa një forcë policore të vetën, GJNP-ja mbështetet tek vendet anëtare për të arrestuar të dyshuarit, gjë që është bërë shpesh pengesë e madhe për ndjekjet penale.

Kryeministri Netanjahu tha muajin e kaluar se Izraeli “nuk do të pranojë kurrë asnjë përpjekje nga kjo gjykatë për të minuar të drejtën e tij të natyrshme për vetëmbrojtje”. Ai tha se ndërsa GJNP-ja nuk do të ndikojë në veprimet e Izraelit, ajo do të "vendoste një precedent të rrezikshëm".

ÇFARË ËSHTË GJNP-ja?

124 shtetet anëtare të GJNP-së kanë nënshkruar Statutin e Romës. Dhjetra vende nuk e nënshkruan dhe nuk e pranojnë juridiksionin e gjykatës mbi krimet e luftës, gjenocidin dhe krimet e tjera. Ato përfshijnë Izraelin, Shtetet e Bashkuara, Rusinë dhe Kinën.

GJNP-ja vihet në veprim kur vendet nuk janë në gjendje ose nuk dëshirojnë të ndjekin penalisht krimet në territorin e tyre. Izraeli argumenton se ka një sistem gjyqësor funksional. Mosmarrëveshjet mbi aftësinë ose vullnetin e një vendi për të ndjekur penalisht kanë nxitur mosmarrëveshje në të kaluarën midis gjykatës dhe vendeve të veçanta.

Në vitin 2020, Presidenti i atëhershëm amerikan Donald Trump, vendosi sanksione ekonomike dhe udhëtimi ndaj prokurorit të GJNP-së dhe një punonjësi tjetër të lartë të zyrës së prokurorisë. Ata po hetonin trupat dhe zyrtarët e zbulimit amerikan dhe aleatëve për krime të mundshme lufte në Afganistan.

Presidenti Joe Biden, administrata e të cilit ka ofruar mbështetje thelbësore ushtarake dhe politike për ofensivën izraelite në Gazë, i hoqi sanksionet në vitin 2021.

GJNP-ja po kryen aktualisht 17 hetime, ka lëshuar gjithsej 42 urdhër-arreste dhe ka marrë 21 të dyshuar në paraburgim. Gjyqtarët e saj kanë dënuar 10 të dyshuar dhe kanë liruar katër.

Në vitet e para të saj, gjykata u kritikua se u përqëndrua tej mase në krimet e kryera në Afrikë, por tani ajo kryen hetime në Azi, Evropë, Lindjen e Mesme dhe Amerikën Latine.

ÇFARË MARRËDHËNIE KA GJNP ME IZRAELIN DHE TERRITORET PALESTINIZE?

Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara e ndryshoi statusin e palestinezëve në vitin 2012 nga një autoritet vëzhgues në OKB në një shtet vëzhgues joanëtar. Kjo hapi rrugën që territoret palestineze të anëtarësoheshin në organizatat ndërkombëtare, përfshirë GJNP-në.

GJNP-ja pranoi "Shtetin e Palestinës" si anëtar në vitin 2015, një vit pasi palestinezët pranuan juridiksionin e gjykatës.

Kryeprokurorja e gjykatës në atë kohë njoftoi në vitin 2021 se ajo po hapte një hetim për krime të mundshme në territorin palestinez. Izraeli shpesh bën akuza për njëanshmëri ndaj OKB-së dhe organeve të tjera ndërkombëtare. Kryeministri Netanjahu e dënoi vendimin si hipokrit dhe antisemitik.

Zoti Khan, kryeprokurori i GJNP-së, vizitoi Ramallahun dhe Izraelin në muajin dhjetor, duke takuar zyrtarë palestinezë dhe familje të izraelitëve të vrarë ose të marrë peng nga militantët e Hamasit në sulmin e 7 tetorit që shkaktoi luftën Izrael-Hamas.

Kryeprokurori Khan i quajti veprimet e Hamasit si "disa prej krimeve më të rënda ndërkombëtare që trondisin ndërgjegjen e njerëzimit, krime për të cilat u krijua GJNP-ja" dhe bëri thirrje për lirimin e menjëhershëm dhe të pakushtëzuar të të gjithë pengjeve.

ÇFARË RASTESH TË TJERA KA HAPUR GJNP-ja?

Vitin e kaluar, gjykata lëshoi urdhër-arrestin për presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, për krime lufte, të cilin e akuzon se është personalisht përgjegjës për rrëmbimin e fëmijëve nga Ukraina. Rusia u përgjigj duke lëshuar urdhrat e saj të arrestit për zotin Khan dhe gjyqtarët e GJNP-së.

Udhëheqës të tjerë të lartë të akuzuar nga gjykata përfshijnë udhëheqësin sudanez të larguar nga pushteti Omar al-Bashir me akuzat që përfshijnë gjenocidin në rajonin e Darfurit. Ish-udhëheqësi libian Moammar Gadafi u kap dhe u vra nga rebelët menjëherë pasi GJNP-ja lëshoi një urdhër për arrestimin e tij me akuza të lidhura me shtypjen brutale të protestave antiqeveritare në vitin 2011./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat