Ministrja e Jashtme e Gjermanisë viziton Kievin, ndërsa Ukraina përpiqet të zmbrapsë ofensivën ruse

Evropë

Ministrja e Jashtme e Gjermanisë viziton Kievin, ndërsa Ukraina përpiqet të zmbrapsë ofensivën ruse

Më: 21 maj 2024 Në ora: 16:46
Ministrja gjermane Annalena Baerbock duke vizituar një termocentral të shkatërruar nga sulmet e forcave ruse në Ukrainë (21 maj 2024)

KIEV – Ministrja e Jashtme e Gjermanisë mbërriti në Kiev të martën në shenjë mbështetjeje për Ukrainën nga vendet partnere perëndimore. Furnizimet me armët dhe municionet e premtuara nga vende të NATO-s, si Gjermania, kanë qenë megjithatë të ngadalta dhe Ukraina është gjendur e ekspozuar ndaj ofensivës ruse në pjesë të mëdha të vijës së frontit.

Annalena Baerbock përsëriti thirrjet e Berlinit që partnerët të dërgojnë sisteme të reja të mbrojtjes ajrore, ndërsa Rusia godet Ukrainën me raketa dhe artileri. Gjermania është furnizuesja e dytë më e madhe e materialeve ushtarake për Ukrainën, pas Shteteve të Bashkuara.

Njësitë ukrainase po përpiqen të zmbrapsin një ofensivë të ashpër ruse përgjatë kufirit lindor në një nga fazat më jetike të luftës që ka hyrë në vitin e tretë.

Gjermania premtoi rishtazi dërgimin në Ukrainë të një njësie të tretë raketash amerikane Patriot, por zyrtarët në Kiev thonë se vazhdojnë të përballen me një mungesa të mëdha të armatimit për mbrojtjen kundërajrore.

Forcat ruse kanë shfrytëzuar avantazhin në qiej për të dëmtuar rëndë rrjetin energjetik të Ukrainës, duke synuar të dëmtojnë moralin e ukrainasve dhe funksionimin e industrisë së mbrojtjes.

Zonja Baerbock, e shoqëruar nga ministri ukrainas për Energjetikën Herman Halushchenko, vizitoi një termocentral në Ukrainën qendrore që u dëmtua rëndë në 11 prill. Brenda mjediseve të shkrumbuara të centralit, punonjësit e kompanisë shtetërore Centrenergo që menaxhon termocentralin, vazhdonin të hiqnin rrënojat megjithëse kanë kaluar disa javë nga sulmi.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy tha se përpjekjet e forcave ukrainase vazhdojnë të përqëndrohen në provincën lindore Donetsk dhe rajonin verilindor Kharkiv, ku bombardimet ruse po shkaktojnë dëme të mëdha në zonat ushtarake dhe civile.

“Kjo rikthen nevojën për mbrojtjen ajrore, për sisteme të reja që do të shmangnin vështirësitë për luftëtarët tanë dhe rreziqet për qytetet dhe komunitetet tona”, tha presidenti Zelenskyy të hënën në mediat sociale.

Zoti Zelenskyy tha se forcat e Ukrainës kanë ende nën kontroll zonat në fjalë, megjithëse Rusia thotë se ka marrë disa fshatra kufitare.

Nuk ishte e mundur të verifikoheshin në mënyrë të pavarur pretendimet e asnjërës palë për situatën në fushëbetejë.

Zonja Baerbock kishte planifikuar të vizitonte Kharkivin të martën, por udhëtimi u desh të anulohej për arsye sigurie, njoftoi agjencia gjermane e lajmeve “dpa”. Pothuajse 11 mijë persona janë evakuuar nga zonat kufitare të Kharkivit që kur Rusia filloi ofensivën më 10 maj.

Një sulm me dronë i forcave ruse gjatë natës goditi infrastrukturën e transportit në qytetin Kharkiv, duke dëmtuar mbi 25 kamionë, autobusë dhe automjete të tjera, tha të martën guvernatori rajonal Oleh Syniehubov. Shtatë persona janë lënduar, tha ai.

Shtabi i përgjithshëm i Ukrainës tha se frekuenca e sulmeve ruse në Kharkiv u ngadalësua të hënën, megjithëse luftimet vazhduan.

Forcat ruse po bëjnë gjithashtu misione zbulimi dhe sabotimi në rajonet veriore të Ukrainës, Sumy dhe Chernihiv, duke bombarduar vendbanimet kufitare dhe duke vendosur mina në territore të gjera, tha Dmytro Lykhovii, zëdhënësi i shtabit të përgjithshëm të Ukrainës. Vija e frontit është rreth 1000 kilometra e gjatë.

Zonja Baerbock do të takohej me ministrin e Jashtëm të Ukrainës Dmytro Kuleba në Kiev. Kancelari gjerman Olaf Scholz u ka rezistuar thirrjeve të zyrtarëve ukrainas për të ofruar raketat Taurus, të cilat janë të pajisura me teknologji të avancuar për shmangien e radarëve dhe kanë një rreze veprimi deri në 500 kilometra.

Raketat e prodhimit gjerman dhe suedez do të jenë në gjendje të arrijnë nga toka ukrainase objektivat në thellësi të Rusisë. Por Berlini e ka kundërshtuar këtë perspektivë, duke thënë se dërgimi i raketave do të sillte rrezikun e përfshirjes së drejtpërdrejtë në luftë.

Këto kufizime nuk i kanë lejuar Ukrainës të godasë forcat dhe pajisjet ruse që grumbullohen për sulme në anën tjetër të kufirit, tha një institut me seli në Uashington.

“Këto politika të Shteteve të Bashkuara dhe Perëndimit po komprometojnë rëndë aftësinë e Ukrainës për t'u mbrojtur ndaj sulmeve të tanishme ruse në veri të Kharkivit ose në çdo zonë përgjatë kufirit ndërkombëtar ku forcat ruse mund të zgjedhin të kryejnë operacione sulmuese në të ardhmen”, thuhet në një studim të publikuar të hënën nga Instituti për Studimin e Luftës.

Zonja Baerbock tha në një deklaratë se anëtarësimi i mundshëm i Ukrainës në Bashkimin Evropian është "pasoja e nevojshme gjeopolitike e agresionit të paligjshëm të Rusisë".

Ukraina ka bërë "progres mbresëlënës" dhe nuk duhet të heqë dorë nga reformat në sistemin gjyqësor, në luftën kundër korrupsionit dhe lirinë e medias, tha ajo.

Gjermania do të organizojë muajin e ardhshëm një konferencë për rindërtimin e Ukrainës. Rindërtimi i vendit parashikohet të kushtojë qindra miliarda dollarë./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat