Në Dublin, kryeqytetin e Irlandës, prishen herë pas here çadrat e migrantëve që janë pa status mbrojtës. Mungesa e banesave dhe pasojat e ligjit të ri britanik "Ruanda", e vështirësojnë edhe më shumë situatën në vend.
Në qendër të Dublinit ndriçojnë dritat e zyrave të shumë koncerneve botërore. Por në katet e para të fasadave moderne me xham shihen gjithnjë e më shumë çadra. Disa prej tyre janë të të pastrehëve, sepse në gjithë vendin mungojnë banesat dhe kryeqyteti që ka marrë hov zhvillimi, nuk mund të përballohet financiarisht nga shumë vetë. Aktualisht, kriza e banesave është tema kryesore në Irlandë. Kur mori postin në muajin prill, kryeministri i ri Simon Harris premtoi ndërtimin deri në fund të dhjetëvjeçarit, të 250 mijë banesave të reja.
Grupi i dytë i atyre që flenë në çadra, është grupi për të cilin po ashtu flitet shumë në republikën ishull të Europës veriperëndimore: Irlanda është duke u konfrontuar me një numër në rritje migrantësh, dhe jo vetëm kohët e fundit por edhe më parë mungesa e banesave kanë bërë që kapacitetet për vendosjen e migrantëve të arrijnë maksimumin. Gjendja vështirësohet edhe prej pushtimit rus të Ukrainës, që prej fillimit të luftës në Irlandë janë regjistruar më shumë se 100 mijë refugjatë ukrainas, që për shkak të një marrëveshjeje që është në fuqi në BE, nuk kanë nevojë të kërkojnë fillimisht azil.
Qeveria irlandeze shpesh pranon, se nuk është në gjendje të akomodojë të gjithë azilkërkuesit, kërkesa e të cilëve për azil, është duke u shqyrtuar. Sipas të dhënave të saj, më 14 maj, 1780 azilkërkues meshkuj nuk ishin akomoduar ende.
Përreth zyrës për mbrojtjen ndërkombëtare, International Protection Office (IPO) në Dublin, e cila është përgjegjëse për shqyrtimin e kërkesave të azilit, ishte ngritur gati një qytet i vërtetë me çadra, ku flinin burrat në moshë jo të thyer, të cilëve u duhej të laheshin dhe të gatuanin në rrugë dhe të mbushnin bateritë e celularëve në dyqanet ku jepen biçikleta me qira. Më 1 maj, autoritetet irlandeze e prishën kampin dhe i dërguan 285 burrat azilkërkues në dy qendra për migrantët me nevoja urgjente.
Që nga ajo kohë në afërsi të IPO-s janë krijuar disa herë vendbanime të reja me çadra, të cilat po ashtu janë prishur nga autoritetet.
Më shumë armiqësi ndaj të huajve, më shumë kërkesa azili
Këto situata krijohen në një shoqëri irlandeze, që historikisht ka qenë shumë mikpritëse. Prej muajsh nëpër demostrata thirret me të madhe: „Irlandaështë mbushur plot", në fund të vitit 2023 në Dublin pati përleshje. Në shumë pjesë të vendit është vendosur madje zjarr në ndërtesat që priteshin të ristrukturoheshin për vendosjen e refugjatëve. Sipas një sondazhi aktual të gazetës "Irish Times", 63 përqind e popullsisë kërkon ashpërsimin e politikës së migracionit.
Vitin e kaluar në Irlandë u parashtruan 12.300 kërkesa azili. Që nga ajo kohë shifrat janë rritur me shpejtësi: "Irish Times" shkruante duke iu referuar një politikani të opozitës, se qeveria mendon se këtë vit numri i kërkesave për azil do të jetë 20 mijë. Po të vendoset kjo shifër përballë numrit të banorëve të Irlandës, që është 5 milionë, atëherë niveli bëhet i ngjashëm me atë të Gjermanisë.
Nxitës i ri: Ligji Ruanda në Britaninë e Madhe
Qeveria irlandeze u mor javët e kaluara edhe me një faktor tjetër që bën që në Republikë të shtrohen më shumë kerkesa për azil: Ligjin e diskutueshëm të Mbretërisë së Bashkuar fqinjë, sipas të cilit migrantët që kanë hyrë në mënyrë të parregullt do të dëbohen me detyrim dhe do të dërgohen në Ruandën e Afrikës Lindore, ku aty më pas do të vendoset për marrjen e një statusi lokal mbrojtës. Qeveria konservatore e kryeministrit Rishi Sunak, anashkalon në këtë mënyrë një vendim gjykate dhe kërcënon tashmë se do të injorojë vendimet e mundshme të Gjykatës Europiane për të drejtat e njeriut, (EGMR).
Kjo nuk do të jetë shumë e lehtë me vendimin tjetër: Më 13 maj një Gjykatë e Lartë e Belfastit e nxorri "Ligjin Ruanda” jashtë ligjit për Irlandën e Veriut. Vendimi i gjykatës parashikon se ligji Ruanda shkel "kuadrin Windsor”, i cili merret me rregullimin e marrëdhënieve britaniko- europiane pas daljes së Mbretërisë së Bashkuar nga Bashkimi Europian. Profesori për çështjet juridike, Colin Murray, që jeton në Belfast dhe jep mësim në Universitetin Newcastle, tha për Deutsche Welle-n se: "Duke qenë pjesë e marrëveshjes së Brexitit, ligjet e BE-së për mbrojtjen e azilkërkuesve mbeten në fuqi në Irlandën e Veriut, po ashtu siç mbeten në fuqi të gjitha të drejtat themelore të BE-së, që vijnë prej Marrëveshjes së të Premtes së Madhe të vitit 1998”.
Brexiti e komplikon gjendjen edhe më shumë
Marrëveshja e së Premtes së Madhe i dha fund konfliktit të përgjakshëm dhjetravjeçar të Irlandës së Veriut, konflikt midis unionistëve irlandezë, besnikë të Londrës dhe republikanëve proirlandezë. Kjo marrëveshje parashikon mes të tjerash edhe që kufijtë e Irlandës së Veriut të mos mbyllen. Për sa kohë që edhe Veriu edhe Jugu ishin pjesë e BE-së, kjo gjë nuk ka qenë problem: Njerëzit dhe mallrat qarkullonin në një hapësirë unike ekonomike dhe ligjore. Meqenëse përcaktimi i kufirit, do të rrezikonte paqen e Irlandës së Veriut, në kuadër të marrëveshjes për daljen nga BE, Britania e Madhe u angazhua me mundim të madh që në Irlandën e Veriut për shembull të vazhdojnë të mbeten në fuqi ligje të caktuara të BE.
Por vendimi i marrë nga Belfasti nuk do të thotë se "Ligji Ruanda” nuk është i vlefshëm në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar: „Në pjesët e tjera të vendit ai mbetet në fuqi dhe zbatohet si i tillë," thotë juristi Murray. Por: "Në këtë mënyrë është e vështirë të vesh në praktikë politikën e migracionit, deri tani azilkërkuesit thjesht janë shpërndarë në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar. Por nëse ata shkojnë tani në Irlandën e Veriut, atëherë marrin më shumë të drejta."
Shumë vetë vijnë prej Irlandës së Veriut - dhe Londra kundërshton
Që para marrjes së vendimit nga Gjykata e Belfastit, shumë prej migrantëve shkuan në Veri të Republikës, ku nuk ekziston rreziku për kthim të detyruar në Ruandë. Sipas të dhënave të ministres irlandeze të Drejtësisë, Helen McEntee, që nga fillimi i vitit kanë shkuar me këtë rrugë në Irlandën e Veriut 80 përqind e gjithë azilkërkuesve, që përbëjnë më shumë se 6000 persona. Duke pasur parasysh mbingarkesën aktuale, kabineti i saj është duke kërkuar mënyrën për t'i kthyer këta migrantë sërish në Britaninë e Madhe.
Kryeministri irlandez, Harris i kujtoi kryeministrit britanik Sunak, një marrëveshje të lidhur në vitin 2022, sipas së cilës Britania e Madhe është e detyruar të pranojë sërish migrantët që vijnë nga veriu i Republikës. Sunak kundërshtoi duke thënë se marrëveshja ka të bëjë vetëm me çështje proceduriale dhe nuk përmban premtime të detyrueshme me ligj. Politikani konservator, i cili rrezikon pas disa muajsh të humbasë postin, kërkon nga vendet e tjera të BE-së, si përshembull Franca, që të pranojë migrantët e kthyer nga Britania./DW