Pak para votimit të rezolutës për gjenocidin, ja çfarë po ndodh në Serbrenicë, mbushen rrugët me forca policore - pamjet

Evropë

Pak para votimit të rezolutës për gjenocidin, ja çfarë po ndodh në Serbrenicë, mbushen rrugët me forca policore - pamjet

Më: 23 maj 2024 Në ora: 13:48
Foto nga vendi i ngjarjes

Autoblindat e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Republikës Srpska (MUP RS) janë parë mëngjesin e sotëm në rrugët e Srebrenicës.

Ato janë parë në ditën kur Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara në Nju Jork pritet të miratojë rezolutën për gjenocidin në këtë qytet boshnjak, shkruajnë mediat e huaja.

Ndryshe, drejtori i Qendrës Përkujtimore Srebrenicë-Potoçari, Emir Suljagiç, ka zbuluar mbrëmë se ka tension në Srebrenicë para seancës së OKB-së.

“Tensionet në dhe rreth Srebrenicës janë intensifikuar që kur udhëheqësi serb i Bosnjës, Milorad Dodik njoftoi se qeveria e tij do të mbajë një seancë në Srebrenicë në të njëjtën ditë kur Asambleja e Përgjithshme e OKB-së voton për rezolutën që shpall 11 korrikun si Ditën Ndërkombëtare të Kujtimit dhe Kujtimit të Gjenocidi i Srebrenicës”, kishte shkruar ai.

Sipas tij, “rrugët tani janë të mbushura me një prani të shtuar të policisë, duke përfshirë oficerë të armatosur me armë me tyta të gjata dhe njësi të specializuara të veshura me beretë të kuqe”.

Ndërkohë, në disa pamje të publikuara në rrjetet sociale të enjten, thuhet se shihen njësitet speciale të MPB-së së RS-së që janë dislokuar pranë Qendrës së një shkolle të mesme në Srebrenicë.

Seanca e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, ku do të diskutohet për rezolutën në Srebrenicë, fillon sot në orën 16:00 me kohën tonë.

Për dokumentin që shkaktoi emocione të forta në Bosnje dhe Hercegovinë por edhe rajon, do të shprehin mendimin e tyre 193 përfaqësues të shteteve anëtare dhe për miratimin e tij kërkohet një shumicë prej 97 votash.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat