Në dekadën e fundit, Serbia përjetoi rënien më të madhe të demokracisë dhe të drejtave të njeriut, vlerësojnë disa organizata ndërkombëtare.
Freedom House kohët e fundit e klasifikoi Serbinë në regjimet hibride. Një pjesë e shoqërisë në Serbi shpreh shqetësimin për trendin autokratik në rritje.
"Serbia nuk mund të vazhdojë në këtë drejtim nëse dëshiron të jetë një vend në përputhje me kushtetutën e saj, e cila përcakton se është një vend demokratik dhe i sundimit të ligjit, në përputhje me vlerat evropiane. Situata aktuale konfirmon vlerësimet që vijnë nga raportet përkatëse si Fridom House", ka thënë Miodrag Jovanoviq, profesor i Fakultetit Juridik.
Rënia demoktratike është shënuar në katër fusha: procesi zgjedhor, media, qeverisja dhe gjyqësori. Opozita pro-evropiane thotë se manipulimet zgjedhore janë tregues gjithnjë e më të dukshëm të autokracisë.
"Qeveria është bërë arrogante. Vjedhja e zgjedhjeve ndodh kudo. Niveli i shkatërrimit të demokracisë dhe të drejtave themelore ka arritur në një nivel që nuk mund të anashkalohet. Opozita dhe shoqëria civile janë bërë alternativë në Serbi, të tregojnë se ka një vizion tjetër", ka thënë Natan Allbahari nga Lëvizja e Qytetarëve të Lirë.
Në Serbi vazhdimisht ka presione ndaj gazetarëve, aktivistëve dhe opozitës. Në mediat pro-qeveritare promovohet urrejtja ndaj popujve të rajonit dhe perëndimit. Serbia është zyrtarisht kandidate për anëtarësim në BE, por atmosfera aspak nuk është evropiane.