Djali i drejtorit të Shëndetësisë në Ferizaj në listën e të pranuarve në Fakultetin e Mjekësisë, u deklarua si pjesëtar i komunitetit boshnjak

Ferizaj

Djali i drejtorit të Shëndetësisë në Ferizaj në listën e të pranuarve në Fakultetin e Mjekësisë, u deklarua si pjesëtar i komunitetit boshnjak

Më: 24 korrik 2023 Në ora: 20:28
Foto ilustrim

Djali i Drejtorit të Shëndetësisë në Komunën e Ferizajt, Kemajl Emini, sipas rezultateve preliminare është pranuar në Fakultetin e Mjekësisë, drejtimi Mjekësi e Përgjithshme, në Universitetin e Prishtinës.

Emri i Leart Eminit është i 12-ti dhe i fundit në listën e kandidatëve të pranuar nga radhët e komuniteteve pakicë.

Mediumi ka kontaktuar me Kemajl Eminin për ta pyetur nëse djali i tij i takon ndonjërit prej komuniteteve pakicë, apo nëse ka qenë deklarim i rrejshëm nga Leart Emini, vetëm për shkak se gjasat për t’u pranuar janë më të mëdha si pjesëtar i komuniteteve pakicë.

Emini ka thënë se djali i tij është deklaruar si boshnjak sepse ashtu e ndien veten dhe se ai nuk ka të bëjë me zgjedhjen e birit të tij.

“Ka shku u shkruajt boshnjak, e ka ndi veten mysliman boshnjak, e drejtë e tij, secili e ka të drejtën e vet, i ka mbi 18 vjet” – u përgjigj Emini.

Drejtori shtoi se stërgjyshja e djalit të tij, Leartit, ka qenë boshnjake.

Po ashtu mediumi ka kontaktuar direkt edhe me Leart Eminin, i cili ka pasur përgjigjen e ngjashme.

“Unë e ndiej veten mysliman, jam mbi 18 vjet, bëj namaz, nuk kam nevojë me i pyet prindërit. Jam regjistru në komunë, e kam letrën si boshnjak” – është përgjigjur ai përmes mesazhit.

Këtë letër që dëshmon se ai i takon komunitetit boshnjak, ai tha se e ka dërguar edhe në Fakultet.

Kemajl Emini, i pyetur nëse mendon se djali i tij ka mundur t’ia zërë vendin dikujt tjetër të atij komuniteti, tha se vlerësimi i kësaj është detyrë e komisionit e jo e tij.

KALLXO ka kontaktuar edhe me dekanen e Fakultetit të Mjekësisë, Suzana Manxhuka-Kerliu lidhur me këtë çështje.

Dekania tha se nuk është e informuar për rastin konkret, por foli në përgjithësi për deklarimin e nacionalitetit të kandidatëve.

Suzana Manxhuka-Kerliu tha se kandidatët në konkurs vetëdeklarojnë kombësinë e tyre.

“Komisioni për provim pranues ka kërku prej kandidatëve me sjellë prej komunave, domethënë dokument që i takon atij komuniteti, disa kanë sjellë, disa nuk kanë sjellë. Ne s’kemi mujtë me i eliminu ata të cilët nuk kanë sjellë sepse s’e kanë pasë obligim me konkurs” – u shpreh ajo.

Ajo tha se viteve të kaluara rezultatet janë dërguar për verifikim në Ministrinë e Arsimit dhe ata kandidatë që kanë rezultuar me deklarim të rrejshëm, janë  larguar nga lista dhe rastet i kanë dërguar në prokurori.

“Çdo vit kemi problem me këtë kategori se ministria i ka bërë këto kritere edhe plus kërkojnë qe me iu përkthy madje edhe testin në gjuhen turke dhe gjuhën boshnjake që është shumë non sens” – tha tutje dekania e Fakultetit të Mjekësisë.

Ky verifikim, sipas saj, është refuzuar të bëhet nga Ministria e Arsimit, por tha se ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, kishte premtuar se do të ndihmonte në verifikimin e këtyre deklarimeve. Por, siç thotë Manxhuka-Kerliu, ai nuk ka vepruar më tutje.

Mediumi i ka dërguar pyetje për këtë çështje edhe Ministrisë së Arsimit, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka marrë përgjigje.

Ministri Elbert Krasniqi po ashtu është kontaktuar nga KALLXO.com. Ai nuk ka qenë i qasshëm përmes telefonit, as nuk ka kthyer përgjigje deri në momentin e publikimit të artikullit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat