Tetë shkolla në Ferizaj, në mungesë të nxënësve, pritet të mbyllen. Në Gërlicë, po për të njëjtat arsye, është mbyllur shkolla e cila kishte punuar për 40 vjet. Mësimdhënësit druajnë se mund të mbesin pa punë.
Shkollë me 2 paralele në fshatin Gërlicë të Ferizajt, në mungesë të nxënësve, është mbyllur pas 40 vitesh të funksionimit. Ata mësimin po e zhvillojnë në shkollën “Besim Rexhepi’ në Komogllavë.
Mësuesja Arta Gashi thotë se asaj dhe koleges tjetër pas mbylljes së paraleleve u rrezikohet vendi i punës.
“Është shumë e vështir për neve si mësimdhënës pasi që kemi përvojë 7 vjeçare në shkollën Gurrëz në Gërlicë dhe si zëvendësim është pak e vështirë dhe problematike”, tha ajo.
E nxënësit thonë se më mirë e kishin në shkollën e fshatit të tyre në Gërlicë.
“Mirëpo po ndihem, por në Gërlicë ka qenë më mirë se kam pas shoqërinë më të mirën”, tha Flandra Berisha, nxënëse.
Në Drejtorinë e Arsimit në Ferizaj thanë se në bazë të udhëzimeve administrative, janë 8 shkolla që rrezikojnë të mbyllen duke mos i specifikuar se cilat janë ato.
“Kemi shkolla që rrezikojnë të mbyllen edhe nga viti i ardhshëm por ne do të jemi në kontakt drejtorët e shkollave mësimdhënësit e atyre shkollave por shpeshherë po kemi kontakte edhe me banorët dhe qytetarët e atyre lokaliteteve sepse nuk po është e lehtë ajo çka po ndodh”, theksoi drejtori i Arsimit në Ferizaj, Afrim Llabjani.
Sfidë, sipas Drejtorisë së Arsimit në Ferizaj, mbetet sistemimi i mësimdhënësve në vazhdim të procesit mësimor.