Në Ferizaj ndizen qirinj për Liridonën/ Hysnije Mustafa bën thirrje të mbrohen gratë, bijat, motrat e nënat e këtij vendi

Ferizaj

Në Ferizaj ndizen qirinj për Liridonën/ Hysnije Mustafa bën thirrje të mbrohen gratë, bijat, motrat e nënat e këtij vendi

Nga: Faton Mehmeti Më: 3 dhjetor 2023 Në ora: 18:20
Foto nga vendi i ngjarjes

Gratë asambleiste në Kuvendin Komunal të Ferizaj sonte organizuan ndezjen e qirinjve për të kërkuar drejtësi për Liridiona Ademaj, e vrarë para pak ditësh nga bashkëshorti i saj që dyshohet se pagoi vrasësit, ngjarje kjo që ka tronditur mbarë opinionin shqiptar.

Në ndezjen e qirinjve në Ferizaj morën pjesë numër i madh i qytetarëve të cilët kërkuan drejtësi dhe që vrasja e Liridonës të jetë e fundit.

Asambleistja Hysnije Mustafa, pjesëmarrëse dhe ndër organizatorët e këtij marshi për "Bota Sot" shprehet e tronditur nga vrasja e Liridonës duke u shprehur se "vrasja e Liridonës ka vrarë pak nga shpirti i secilit prej nesh, e aq më dhimbshëm ka vrarë shpirtin e atyre që janë edhe nëna.

Ajo vetëm e deshi babanë e fëmijëve të saj dhe si çdo nënë ëndërroi jetën e bukur me familjen që kishte krijuar. A duhej të vritej për një ëndërr kaq të bukur e hyjnore?".

Ndër të tjera, asambleistja Mustafa tregon se qirinjtë sonte janë ndezë “për shpirtin e saj dhe të të gjitha grave të vrara deri sot e atyre që jetojnë me frikën se çdo ditë mund të jenë në vendin e saj. Le të jetë ky rast, thirrje për të gjithë", duke besuar se ky do të jetë rasti i fundit.

Thirrjet për drejtësi për Liridonën janë organizuar kudo në Kosovë dhe Shqipëri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat