​40 ditë paraburgim për Gëzim Çelën, i njohur si “baroni i drogës”

Ferizaj

​40 ditë paraburgim për Gëzim Çelën, i njohur si “baroni i drogës”

Më: 9 dhjetor 2023 Në ora: 15:57
Gëzim Çela

Gjykata Themelore në Ferizaj, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, për caktimin e masës 40 ditë paraburgim ndaj të pandehurit Gëzim Çela, i kërkuar nga autoritetet e Shqipërisë, në bazë të urdhër arrestit ndërkombëtar për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale trafikimi me narkotik, prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit.

Gjyqtari i procedurës paraprake i Departamentit për Krime të Rënda, ka vlerësuar se ekziston dyshimi i bazuar mirë se kundër të njëjtit është lëshuar urdhër-arrest ndërkombëtar nga Interpoli, me kërkesë të datave 8 gusht 2014 dhe 1 mars 2022 të shtetit të Shqipërisë për shkak të veprave penale trafikimi me narkotik, prodhim dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit sipas Kodit Penal të Shqipërisë dhe Italisë, ngase i njëjti është dënuar me 19 vjet e 9 muaj e 29 ditë burg.

Me këtë rast palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtyn ekzekutimin e tij.

Policia e Kosovës në Ferizaj dje ka arrestuar Gëzim Çelën, ish-punonjësin e policisë shqiptare në arrati, i njohur si “baroni i drogës”.

Deri tek arrestimi ka ardhur pas një pune intensive operative dhe në bashkëpunim e koordinim me policinë e Shqipërisë. Arrestimi i Gëzim Çelës, i cili kishte gjetur strehim në Kosovë pasi në Shqipëri u shpall në kërkim në gusht të këtij viti, ka ndodhur në fshatin Dardani të Ferizajt.

Gëzim Çela, në momentin e arrestimit ishte në shoqëri me dy femra shtetase të Shqipërisë dhe një mashkulli nga Kosova.

Dyshohet se një shtetas i Kosovës, ka strehuar për një kohë në shtëpinë e tij në një fshat të Vitisë, të dyshuarin nga Shqipëria.

Hetuesit e antidrogës gjatë operacionit të arrestimit të të dyshuarit janë mbështetur nga njësi tjera të Policisë së Kosovës.

Për arrestimin janë njoftuar organet e drejtësisë dhe me urdhër nga prokurori i Departamentit të Krimeve të Rënda-Ferizaj është kontrolluar shtëpia e të dyshuarit A.I., në një fshat të Vitisë, ku është gjetur dhe konfiskuar një AK-47 me 15 fishekë.

Po ashtu, lidhur me rastin është njoftuar edhe Njësia FAST-ILECU, e cila në koordinim me organet e drejtësisë, do të merret me procedura rreth rasteve të arrestimeve të personave në kërkim ndërkombëtar.

Ndryshe, Gëzim Çela, u arratis gjatë operacionit “Flakë në det” në Shqipëri. Policia shqiptare kishte zbuluar se Gëzim Çela dhe grupi i tij, i ndihmuar nga shefi i komisariatit të Kurbinit, Dritan Metaj, trafikonte kanabis nga zona e Fushë Kuqes drejt detit Adriatik ku në një velierë e shkëmbente kanabisin me kokainë.

Emri i Gëzim Çelës është ndër të parët e përmendur si trafikant droge në Shqipëri pasi këtë aktivitet e ka nisur në vitet ’90-ta. Dikur ish-punonjës policie, ai u shndërrua në kontaktin kryesor të shpërndarjes së heroinës në vend, si dhe autor i kalimit të dhjetëra kilogramëve kokainë në Kosovë.

Më herët ai ka qenë i arrestuar për shfrytëzim prostitucioni dhe trafik ndërkombëtar droge. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat