Ferizaj “i ngufatur” prej moteleve, banorët e Muhocit s’i duan në fshat

Ferizaj

Ferizaj “i ngufatur” prej moteleve, banorët e Muhocit s’i duan në fshat

Më: 22 dhjetor 2023 Në ora: 09:13
Foto ilustrim

Hyrje-daljet i kanë të shpeshta.

Madje, askush nuk i kërkon asnjë dokument të vetëm si vërtetim qëndrimi e as për moshën e personave që hyjnë aty.

Për numrin e moteleve në Kosovë nuk dihet. Ekspertët e hotelerisë dhe turizmit thonë se janë mbi 100 të tillë, megjithatë këto nuk janë statistika të sakta, për shkak të rritjes së përditshme të numrit të tyre.

E derisa ata sa vijnë e shtohen, shumë prej moteleve janë ndërtuar në afërsi të zonave ku ka shtëpi banimi, ani pse ligji e parasheh që ata të ndërtohen në periferi të qendrave të banuara.

Por, çfarë janë në të vërtetë objektet të quajtura “motele”?

Fjala motel daton që nga viti 1920, dhe ndërthur fjalët “hotel” dhe “motor”. Gjatë asaj kohe, nisën të zhvilloheshin sisteme të mëdha të autostradave. E për këtë, udhëtimet rrugore në distanca të gjata u bënë më të zakonshme, derisa u rrit edhe nevoja për vende akomodimi të lira dhe lehtësisht të arritshme gjatë natës afër rrugëve.

Pra, motelet janë të dizajnuara sipas definicionit për motoristët amerikanë, ku gjatë asaj kohe shfrytëzoheshin për çlodhje pas një udhëtimi të gjatë që bënin motoristët.

Zakonisht janë të ndërtuara në kate të ulëta me parkim të përshtatshëm.

Por, kohëve të fundit, qëllimi i shfrytëzimit të moteleve dhe zonat ku ndërtohen kanë devijuar.

E kjo ka bërë që disa banorë të fshatit Muhoc të Ferizajt të revoltohen pas nisjes së punimeve të një moteli në hyrje të fshatit.

Fillimisht, ata nuk e kishin ditur se çfarë kishte nisur të ndërtohej aty.

Me të kuptuar, kishin mbledhur nënshkrime duke ngritur një peticion për t’i ndaluar punimet.

Sipas tyre, ndërtimi i një moteli në atë pjesë është afër shtëpive dhe në kundërshtim me ligjin.

“Një pjesë kanë qenë ekzistuese, e fundit që është ndërtuar vitin e kaluar, ne nuk e kemi ditë në fillim se çka është t’u ndërtu. Në momentin që e kanë kuptu, banorët kanë kërku nga komuna që të mos lejohet ndërtimi. E kanë nënshkru një peticion me rreth 80 nënshkrime, për të kundërshtuar motel-villën në fjalë”, ka thënë Rrahim Neziri, banor i fshatit Muhoc.

Me gjithë kundërshtitë dhe peticionin e banorëve të dorëzuar në komunën e Ferizajt, moteli në fjalë i vazhdoi punimet.

Ndonëse kjo njësi akomoduese i ka bërë një vit funksionimi, banorët vazhdojnë të mos e duan aty, derisa thonë se kanë menduar edhe të protestojnë.

“E kemi dërgu në drejtori të Urbanizmit. Pas një jave na kanë kthy përgjige dhe na kanë thanë se nuk është në kundërshtim me ligjin, sepse plani zhvillimor komunal e parasheh si zonë komerciale. Mirëpo, na si fshat mendojmë se nuk lejohet. Edhe pse është zonë komerciale, nuk lejohen të gjitha bizneset të zhvillohen aty, të paligjshme, që e cenojnë edhe intergritetin e fshatit, imazhin”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat