Punëtorët kërkojnë që e diela të jetë pushim, bizneset nuk e respektojnë vendimin, komuna hesht

Ferizaj

Punëtorët kërkojnë që e diela të jetë pushim, bizneset nuk e respektojnë vendimin, komuna hesht

Nga: Faton Mehmeti Më: 28 shkurt 2024 Në ora: 11:24
Autori Faton Mehmeti

Nisur nga respektimi për të drejtat e punëtorëve dhe pas kërkesave dhe ankesave të punëtorëve që e diela të jetë ditë pushimi, tani e katër vite më parë, pikërisht më 28 shkurt të vitit 2020, Kuvendi Komunal në Ferizaj kishte votuar që e diela të bëhet ditë pushimi për të gjitha bizneset. Me anë të kësaj rregulloreje përfshihen të gjitha llojet e veprimtarive dhe përcaktohet orari i punës së tyre, duke vendosur që dita e diele të jetë pushim.

Derisa punëtorët e mirëpritën këtë vendim, votimi i një rregulloreje të tillë nuk është aspak i mirëpritur nga bizneset që operojnë edhe të dielave, sipas tyre "kjo rregullore shkakton humbje të mëdha për bizneset". Gjithnjë, sipas tyre "kjo rregullore do të ketë vetëm efekte negative dhe vështirëson klimën e të bërit biznes", por harrojnë se në rend të parë duhet të jetë respektimi i të drejtave të punëtorëve.

Kjo rregullore deri tani ka mbetur e pa zbatuar, me pushtetin në Ferizaj që duket se është nënshtruar përballë pangopësisë së pronarëve të bizneseve, e që po ua "pinë gjakun" punëtorëve. Në anën tjetër opozita akuzon Kuvendin Komunal që rregulloret "i bën vetëm sa për sy e faqe", në anën tjetër pushtetarët kanë qëndruar të heshtur përballë kërkesave të punëtorëve që të respektohet rregullorja, e miratuar nga vet kuvendarët.

Të ndodhur në mëshirë të të “pamëshirëve”, punëtorët po largohen në vendet e ndryshme. Andaj, sa më parë të zbatohet ky vendim, përballë të drejtave të punëtorëve dhe pangopësisë së bizneseve duhet të triumfojë e para.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat